2017-02-28 17:35:00

Françesku: ta provojmë si ecet me këpucët e të tjerëve


Të fundmit, të varfërit, të pastrehët, emigrantët, lëmosha dhe vizita e ardhshme në Milano, në qendër të intervistës së Papës Françesku, dhënë Scarp de' tenis (Këpucë tenisi) revistë italiane e rrugës, pa qëllim fitimi, e lidhur me Karitasin. Emigrantët, që arrijnë në Evropë - mendon Ati i  Shenjtë - ikin nga lufta dhe kanë të drejtë të mirëpriten e të integrohen pa getizime, me virtytin e krishterë të maturisë.

Duhet ta provojmë të ecim me këpucët e të tjerëve! Duke luajtur me emrin e gazetës, që e intervistonte, Françesku pranon se “është shumë e lodhshme të ecësh me këpucët e të tjerëve, domethënë, të vihesh në vendin e tjetrit, sepse shpesh jemi skllevër të egozimit e, përballë atyre, që e jetojnë dhembjen si mort, mjaftohemi vetëm me ca fjalë, që nuk ngrohin, as ftohin!”.

Ta provojmë si ecet me këpucët e të tjerëve!   

Nganjëherë - pohon Papa - një i krishterë, i pyetur nga kush kërkon ngushëllim, “dëgjon, por nuk kupton”. Të ecësh me këpucët e tjetrit, do të thotë shërbim, përvujtëri, shpirtmadhësi: në disa raste në lagjet e barakave  ka shumë më tepër solidaritet, sesa në lagjet e qendrës e, ndoshta - ndoshta në  lagjet  e varfëra “droga shihet më shpesh”, por vetëm sepse në lagjet e tjera  është më e maskuar e përdoret me doreza të bardha.

Të pastrehët duhen shikuar si njerëz, jo si qen

Gjëja e parë, që thotë Papa kur takon ndonjë të pastrehë, është: “Mirëmëngjes, si jeni?”. Ata - rrëfen - e kuptojnë menjëherë kur tjetri interesohet vërtet për ta. “Sepse mund ta takosh një të pastrehë e ta shikosh si njeri, por edhe si qen”. Françesku kujton se në Buenos Ajres nuk i shkoi as nëpër mend ta dëbonte një çift pa strehë, që banonte në trotuar të kryeipeshkvisë. Shumëkush thoshte: “Po na e flliqin kurien”, por në këto situata - komenton Papa - duhet pasur shumë humanitet, sepse ndyrësia është në shpirt, ndërsa këta njerëz kanë dinjitet të madh.

Lëmosha të jepet duke prekur duart e duke e parë tjetrin në sy

Ati i Shenjtë shpreh, ndërmjet tjerash, kënaqësinë e tij për mënyrën si e pritën strukturat kishtare dhe famullitë italiane, thirrjen e tij të kohëve të fundit për t’ua hapur portat të varfërve. Të japësh lëmoshë është gjithnjë e drejtë. Natyrisht nuk është gjë e mirë t’i lëshosh lypësit në shuplakë vetëm ca kacidhe e pastaj të shikosh punën tënde. Rëndësi ka ta ndihmosh atë që lyp, duke e shikuar në sy e duke ia prekur duart. E nëse beson se po ia jep të hollat një njeriu, që shkon sakaq e pi me to një kupë me verë, “bën mirë të mendosh se ndoshta pikërisht ajo kupë me verë, është e vetmja lumturi që i ka mbetur në jetë”.

Të strehohen emigranët në ikje nga lufta

Françesku rikthehet tek tema e tij e dashur e emigrantëve, “atyre, që arrijnë në Evropë për të shpëtuar nga lufta, ose nga uria”. E ne - shton - jemi në një farë mënyre fajtorë, sepse i shfrytëzojmë trojet e tyre e nuk bëjmë kurrfarë investimi, që ata të mund të fitojnë aq, sa për të mbajtur gjallë jetën. Kanë të drejtë të emigrojnë, e të drejtë edhe të ndihmohen! Por mirëpritja - porosit Papa - duhet bërë me virtytin e krishterë  të "maturisë”, domethënë, duke strehuar ata, që mund të strehohen numerikisht, e, sidomos, duke i integruar. Nëse emigrantët nuk integrohen, getizohen - shton Françesku - duke kujtuar rastin e atentatorëve të Zaventem, në Belgjikë, emigrantë të breznisë së dytë, të rritur në geto. Për t’u lavdëruar, sipas Papës, shembulli i integrimit dhënë nga Suedia.

Nuk kam mundësi të dal në rrugë

Papa, më pas,  flet për familjen e tij të përbërë prej emigrantësh, ashtu si pothuajse të gjitha familjet në Argjentinë, vend ku dialogu ndërfetar është ligj. Gjyshërit e mi e im atë - tregon - duhet të ishin nisur aty nga fundi i vitit 1928. I kishin prerë biletat për të udhëtuar me anijen  Princesha Mafalda, anije që u fundos në brigjet e Brazilit. Por nuk mundën të shisnin gjithçka kishin e kështu i ndërruan biletat e u nisën me anijen Jul Çesari, më 1 prill 1929. Prandaj njerëzit e mi janë atje. E kur kujtohet Buenos Ajres, Françesku  thotë: “Një gjë, që më mungon shumë, është mundësia për të dalë e për të ecur lirisht nëpër rrugë". E në Milano, qytet që është gati për ta pritur Papën në fund të marsit, ku ka qenë vetëm një herë në kalim, Françesku shpreson të takojë shumë njerëz.








All the contents on this site are copyrighted ©.