2017-02-27 14:37:00

“I Kryqëzuari është i gjallë”. Komastri flet për librin e tij të ri


“I Kryqëzuari është gjallë”. Ky, titulli i librit të ri, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, botuar këto ditë nga Shtëpia Botuese e Shën Palit. Vëllimi i çon lexuesit tek “terapia e Mëshirës”, duke treguar histori kthesash e shndërrimesh të njerëzve, që provuan forcën e Kryqit. Libër posaçërisht i nevojshëm për kohën e Kreshmëve, udhë drejt  Pashkëve të Zotit. Në mikrofonin tonë, kardinali Angelo Komastri e shtjellon reflektimin e tij, duke u nisur nga pohimi i shkrimtarit të famshëm rus, Aleksandr Solženicyn: “Njerëzit e kanë harruar Zotin!”.

Përgjigje: - Solženicyn tregon se kur ishte fëmijë, domethënë aty rreth viteve ’20 - ’22, në fshatin e tij njerëzit ankoheshin gjithnjë e thoshin: “Po pse i ndodhën gjithë këto të zeza Rusisë?”. Ishin vitet kur rusëve iu imponua diktatura e egër e Stalinit. E atij i kujtoheshin fjalët e pleqve: “E kemi braktisur Zotin! S’është për t’u çuditur, prandaj, për pasojat, që i kemi të gjithë parasysh”.  E kjo vlen edhe për sot. Ankohemi, duke harruar  shoqërinë në të cilën jetojmë e karakteristikat e saj. Janë dy, kryesore; “E sotmja është e pushtuar nga dhuna e pakënaqësia”. Dhunën e takojmë nga pak kudo. Po ashtu edhe pakënaqësinë. Po pse gjithë ky shqetësim? Zoti është trau, mbi të cilin mbështetet çatia e jetës: nëse Zoti hyri në histori, historia e ka një rrugë shpëtimi, e ka një  dalje pozitive. E ne jemi të sigurt se, në fund të fundit, fitorja u takon të mirëve. Atëhere, duke e ditur se i Kryqëzuari është gjallë, domethënë se Zoti është brenda historisë, është përkrah nesh, duke e ditur këtë, ne duhet të kemi shumë shpresë, shumë besim; bota mund të ndryshojë, bota mund të përtërihet e fitorja e të mirëve do të jetë e sigurt.

Pyetje: - Kreshmët janë fare pranë. Ky libër flet për Ringjalljen, gjë që ndjehet menjëherë që nga titulli. Si duhet të përgatitemi për këtë kohë tejet të përshpirtshme të vitit?

Përgjigje: - Bota në të cilën jetojmë, mund të na e shtjerë frikën. Ka shumë elemente, që të bëjnë ta humbasësh fare guximin. Atëhere më vijnë në mendje fjalët, që m’i thoshte gjithnjë Nënë Tereza: “Nuk ia vlen fare të bërtasësh në kupë të qiellit: ‘Është errësirë! Terr i verbër!’. Bërtit sa të duash, britma jote nuk mund ta ndezë dritën, aq të dëshiruar. Drita nuk ndizet me britma. Bota do të ndriçohet, kur të bëhemi ne vetë dritë!”. Atëhere, në fillim të Kreshmëve, duhet ta pranojmë se të gjithë e kemi në shpirt një skutë të zhytur në hije, skutë të harruar, të mbuluar nga pluhuri. Sa gjë e bukur është ta shkundësh shpirtin, ta pastrosh, ta bësh të ndrisë, t’ia hapësh të gjitha dritaret, që në të të vërshojë drita: këto janë Kreshmët. Kështu dita e Pashkëve nuk do të jetë thjesht kujtim i Ngjalljes së Jezusit, por edhe çast, në të cilin i afrohemi Ngjalljes së Krishtit. Sepse ky është kuptimi i Kreshmëve: të bëhemi bij të ngjallur!”.

Pyetje: - Ju nënvizoni se terapia, që u duhet njerëzve të kohëve tona, është mëshira e Zotit. Temë, kjo, jashtëzakonisht e pranishme tek Papët e pas Koncilit, posaçërisht tek Gjon Pali II e tek Françesku. Pse, sipas jush?

Përgjigje: - Besoj se tema e mëshirës është zemra e Ungjillit. Sot po e nënvizojmë e po e zbulojmë më shumë, pikërisht sepse është zemra e Ungjillit. Të marrim Kapitullin e 15-të të Shën Lukës. Ungjilltari tregon se një ditë mileti po mërmëriste kundër Jezusit, sepse i dukej tepër i mirë, tepër i ndjeshëm ndaj mëkatarëve. E Jezusi iu përgjigj me tri shëmbëlltyra, duke dashur t’i sqaronte: “Ju nuk e dini kush është Zoti! Nuk është ashtu, si e mendoni ju! Zoti është si një bari, që ka njëqind dele dhe e humb një. Mund të thoshte edhe: “Boll i kam 99”. Po nuk e tha! Madje u nis ta kërkonte delen e humbur. Ky është Zoti! E Jezusi përfundon: “Në qiell bëhet festë vetëm për një! Një të vetëm! Një mëkatar, që pendohet e rikthehet në vathë”. Pastaj Jezusi vazhdon: “Zoti është si gruaja, që ka dhjetë monedha dhe e humbet njërën”. E po mirë, ç’dëshiron të thotë Zoti me këto monedha të çmuara? Monedha është njeriu, njeriu mëkatar. E thotë Jezusi: “Gruaja  e sukullon gjithë shtëpinë, e kthen përmbys”. Edhe në këtë figurë ndjehet fort prania e Zotit, që na kujton se Ai bën çmos për të na gjetur. Pastaj, shëmbëlltyra e djalit plangprishës. E mrekullueshme. Djali shkapet portën, ikën nga shtëpia e shkon e përfundon në një thark thish. Poshtërim më i madh se ky nuk mund të përfytyrohet! Shëmbëlltyra më nxit të mendoj se Jezusi, kur e tregoi, në një farë vendi u ndal. Pikërisht në çastin kur kujtoi: “Por djali u pendua e tha: ‘Do të kthehem tek im atë’”. Nuk e di pse, por mua më duket se Jezusi duhet të jetë ndaluar në atë çast e duhet të ketë thënë: “Përfytyrojeni vetë takimin!”. Ndoshta ndonjëri ka ndërhyrë e ka thënë: “Do t’ia ketë dhënë një dru të mirë!”. E Jezusi i është përgjigjur: “Jo, kështu arsyetojnë njerëzit, jo Zoti”. Ati e sheh nga larg, domethënë po e priste. E tingëllon bukur përdorimi i foljeve, që e mbushin me lëvizje skenën e takimit: “I ati vrapoi, e mori ngrykë, e shtrëngoi në krahë me dashurinë, që mund ta ketë vetëm një atë i mirë. Prej këndej, ne edhe mund t’i humbasim tiparet e bijve, por Zoti nuk i humbet kurrë tiparet e Atit! 








All the contents on this site are copyrighted ©.