2017-02-27 17:24:00

Do të jetë i Lum don Tito Zeman, martir salezian nën komunizëm


Papa Françesku priti sot paradite kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe autorizoi Dikasterin për të shpallur dekretet, që kanë të bëjnë me një të Lum të ri dhe shtatë Shërbëtorë të Nderuar të Zotit.

Do të jetë së shpejti i Lum meshtari sllovak, Tito Zeman, salezian, të cilit iu njoh martirizimi. Një i Lum tjetër në aradhet e të martirizuarve nga diktaturat komuniste satelite të Moskës, pas 38 të Lumëve shqiptarë, edhe ata martirë nën diktaturë, ndoshta më e egra, pa kujtuar të tjerët, që mund të lumnohen më tej.

I Lumi i ardhshëm lindi më 1915, pranë Bratislavës. Mësimet e para e të mesme i mori në vendlindje e, më pas, si zgjodhi rrugën e meshtarisë,  studioi në Universitetin Papnor Gregorian, në Romë. Ishte 23 vjeç, kur bëri kushtet e përjetshme, në Kishën saleziane të Zemrës së Krishtit, në Romë. Më 1940 u shugurua meshtar në Torino.

Sapo u rikthye në vendlindje, për të nisën stacionet e para të Udhës së Kryqit.  Në vitin 1950 regjimi komunist çekosllovak i ndaloi veprimtaritë   e të gjitha urdhërave fetare dhe nisi t’i internonte meshtarë e laikë në kampet e përqendrimit. Don Zeman organizoi udhëtime klandestine në Torino, për t’u krijuar të rinjve mundësinë të kryenin studimet e të bëheshin meshtarë. Ishte udhë tejet e rrezikshme, të cilën ai e përballoi me guxim.  Në udhëtimin e tretë e zbuluan: u arrestua, iu nënshtrua një procesi të gjatë e të mundimshëm, gjatë të cilit u cilësua tradhtar i atdheut e spiun i Vatikanit. Fjalë të përsëritura njëmijë herë në të gjitha gjyqet e organizuara nën thundrën e diktaturave komuniste, shprehje shabllone, pa pikë kuptimi e vërtetësie, që çuan në pushkatim sa e sa të rinj në lule të moshës, të pafajshëm e tejet atdhetarë, të cilët u flijuan me brohori të ngjashme me ato, të cilat i kemi dëgjuar kaq herë në gojën e të rënëve “Për Fe e Atdhe!” të Kishës shqiptare. Brohori që në të gjitha Republikat satelite u dëgjua para plotoneve të pushkatimit! Me vdekje u dënua edhe i Lumi i ardhshëm, dënim që iu shndërrua në 25 vjet burgim. Doli nga burgu në vitin 1964, pas 12 vjet heqje lirie, gjatë të cilave pësoi tortura e mungesa të të gjitha natyrave. Por trupi i tij,  tashmë ishte ligështuar tepër e shëndeti, dëmtuar pa shpresë shërimi. Vdiq kur ishte vetëm 54 vjeç:

“Edhe nëse do ta humbisja jetën - pati thënë - nuk do ta konsideroja jetë të  humbur, duke e ditur se, së paku njëri nga ata, që i ndihmova, u bë meshtar e zuri vendin tim”. 

Edhe në historinë e martirëve shqiptarë, që e humbën jetën  nën diktaturën enveriane, kemi shembuj të tillë: a nuk u shugurua me dorën e ipeshkvit martir, imzot Ernest Çoba, një grup meshtarësh të rinj, që vijuan  edhe pas rënies së komunizmit misionin e tyre meshtarak? Ndërmjet tyre, edhe njëri nga katër ipeshkvijtë e shuguruar nga Papa Shenjt Gjon Pali II, imzot Zef Simoni.  E deri kardinali i dytë shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Troshani, u shugurua meshtar më 8 prill 1956, pikërisht nga Imzot Çoba, që e përfundoi jetën si martir në burgjet komuniste.

Ndërmjet Shërbëtorëve të Nderuar të Zotit, të cilëve iu njohën virtytet heroike, është edhe figura e mjekut nga Spello, Vittorio Trancanelli. I lindur më 1944, u martua me Lia Sabatinin: pati një djalë e bijësoi edhe shtatë të tjerë. Punoi si kirurg në një nga spitalet e Perugia-s: për të, profesioni ishte mision. Në qendër të jetës vuri gjithnjë të sëmurin. Edhe ai provoi përvojën e një mori sëmumdjesh, për të vdekur në moshën 54 vjeçe. Pak para se të mbyllte sytë, deshi pranë gruan e fëmijët, të cilëve u la amanetin e fundit:

“Për këtë ia vlen të jetosh: edhe po të isha bërë kushedi se kush, po të kisha pasur para në bankë, po të kisha blerë shumë shtëpi, ç’do të kisha marrë me vete, tani që po nisem për rrugën pa kthim? Ç’ do të kisha  paraqitur para Zotit? Ndërsa tani po çoj dashurinë, që e dhashë dhe e mora!”.

Shërbëtorët e tjerë të nderuar të Zotit janë:

- Imzot Ottavio Ortiz Arrieta, i Shoqërisë Saleziane të Shën Gjon Boskos, ipeshkëv i Chachapoyas; lindur më 19 prill 1878 e vdekur më 1 mars 1958;

- Don Antonio Provolo, prift dioqezan, Themelues i Shoqërisë  së Marisë për Edukimin e Shurdhmemeceve: i lindur më 17 shkurt 1801, vdiq më 4 nëntor  1842;

- Atë Antonio Repiso Martínez de Orbe, Meshtar  i Shoqërisë së Jezusit, Themelues i Kongregatës së Motrave të Bariut të Mirë ; lindur më 8 shkurt 1856, vdiq më 27 korrik 1929;

- Nënë Maria e Mercede Cabezas Terrero, Themeluese e Institutit Rregulltar të Punëtoreve Misionare të Zemrës së Krishtit: lindur  më 19 dhjetor 1911, vdiq më 30 shtator 1993;

- Motër Luçia  e Zojës së Papërlyer (në shekull Maria Ripamonti), e Kongregatës së Shërbëtoreve të Bamirësisë; lindi më 26 maj 1909,  vdiq më 4 korrik 1954;

- Pietro Herrero Rubio, Laik; lindur më 29 prill 1904 e vdekur më 5 nëntor 1978.








All the contents on this site are copyrighted ©.