2017-02-26 18:00:00

Veprimtari ekumenike katoliko-protestante


Marrëdhëniet ekumenike me protestantët karakterizuan veprimtarinë e Kishës Katolike këtë fund jave. Dje, në orën 8.00, në Kapelën Newman të Pallatit të Propaganda Fide-s, në Sheshin e Spanjës, u kremtua mesha për të kujtuar ditëlindjen e kardinalit të lum John Henry Newman (21 shkurt 1801). Fillimisht anglikan, Newman ishte eksponenti i asaj rryme brenda Kishës Anglikane, që kërkoi gjithnjë e më shumë afrimin me katolicizmin. Një nga animatorët e Lëvizjes anglo-katolike të Oksfordit, u kthye në katolicizëm, duke arritur të krijohej edhe kardinal nga Papa Leoni XIII. Me bindjen e tij se laikët duhet të merrnin pjesë aktive në jetën e Kishës, i dha, në mungesë, një kontribut të shquar teologjik e filozofik Koncilit II të Vatikanit. Nga shumë studiues konsiderohet një nga prozatorët më të mëdhenj anglezë, mbrojtës e apologjet i besimit katolik në Britaninë e Madhe e një nga më të rëndësishmit në historinë e krishterimit. Në planin filozofik kontribuoi në zhvillimin e filozofisë së veprimit. Për tolerancën dhe butësinë, që e karakterizonin, u vlerësua shumë edhe në ambientet jo katolike.

***

Sot, në Universitetin Papnor Gregorian, filloi simpoziumi ndërkombëtar “Luteri dhe Sakramentet”, i cili do të vijojë deri më 1 mars. Fryt i tre vjetëve të bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, Fakultetit Teologjik të Gregorianës dhe Institutit Johann-Adam-Möhler për ekumenizmin, në çdo seksion parashikohet të flasin një relator luteran e një katolik. Së bashku, do të analizojnë temat e Pagëzimit, të Rrëfimit, të Eukaristisë e të Urdhërit të Shenjtë. Gjithashtu, do të diskutohet për formulimet e vërteta të tezave të Martin Luterit. Çdo relator është ftuar të marrë me vete studentët e tij, në mënyrë që brezi i ardhshëm i ekumenistëve të ketë mundësi të njihet. Takimi u hap sot me kremtimin solemn të Mbrëmësores dhe me një konferencë të kryetarit të dikasterit për bashkimin e të krishterëve, kardinalit Kurt Koch. Punimet do të përfundojnë me relacionin e Prefektit të Kongregatës për doktrinën e fesë, kardinalit Gerhard Müller.








All the contents on this site are copyrighted ©.