2017-02-26 14:34:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: nuk mund t’i shërbesh edhe Zotit, edhe pasurisë


“Të zgjedhësh ndërmjet Zotit, që nuk të zhgënjen kurrë, e idhujve të rremë, pasurive!”. Për këtë alternativë foli sot Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ndjehej fort fillimi i pranverës. Papa i nxiti rreth 30 mijë besimtarët, shtrënguar rreth tij në lutje, t’ia besojnë plotësisht vetveten Zotit, sepse është Atë i dhembshur, që nuk i harron kurrë bijtë e tij. Gjë shumë e rëndësishme ta ndjejmë praninë e Atit, në këtë epokë  jetimësh.

“Nuk mund t’i shërbeni edhe Zotit edhe pasurisë”. U nis nga fragmenti ungjillor i kësaj së diele, reflektimi i Françeskut në Engjëllin e Tënzot. Duhet të zgjedhim. Pa mëdyshje:

“O Zotin, o idhujt tejet joshës, edhe pse krejt të rremë. Kjo zgjedhje, që duhet ta bëjmë, pasqyrohet, pastaj, në veprimet, programet e angazhimet tona. Duhet të zgjedhim. Pa asnjë lëkundje! E ta vazhdojmë rrugën e zgjedhur, sepse tundimin për t’ia nënshtruar gjithçka parasë, kënaqësisë e pushtetit e kemi gjithnjë në prag të portës. E aty, edhe tundimet e tjera të shumta, që na joshin të ndjekim këtë rrugë”.

Nderimi i idhujve sjell rezultate të përkohshme, besnikëria e Zotit është e përhershme

Nderimi i idhujve të çon drejt rezultateve të prekshme, edhe pse të paqëndrueshme - kujtoi Papa - ndërsa kur zgjedhim Zotin “frytet e kësaj zgjedhjeje nuk shihen menjëherë”. Është vendim, që e lë në dorë të Zotit realizimin e plotë, duke u mbështetur fort tek shpresa. S’ka gjë që mund ta ndalë këtë shpresë, sepse bazohet mbi besnikërinë e Zotit, e cila nuk mungon kurrë - kujtoi Françesku.

Në epokën e jetimëve, ka rëndësi ta ndjesh se e ke një Atë 

Zemra e nxitjes, që bëri sot Papa, ishte: “Duhet t’i besosh Zotit, sepse ai është Atë i dhembshur, që nuk i harron kurrë bijtë e vet e që  kujdeset për të gjitha qeniet e gjalla të gjithësisë, siç na e kujton edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm. Prandaj edhe na fton me ngulm: “Mos u shqetësoni për të nesërmen!”. Është e vërtetë se jeta rrjedh e ngarkuar me shqetësime, ndonëse, shpesh herë, gjithë ky ankth është krejt i kotë - kujtoi Papa - sepse me a pa ankth, njeriu nuk arrin ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Ndërsa besimi në Zotin, edhe pse nuk t’i zgjidh magjikisht problemet, të ndihmon t’u bësh ballë  me  guxim e shpresë:

“Zoti nuk është qenie e largët, pa emër; është streha jonë, burimi i qetësisë sonë e paqja jonë. Është shkëmbi i shpëtimit tonë, pas të cilit mund të kapemi, të sigurt se nuk do të biem: kush kapet pas Zotit, nuk rrëzohet kurrë! Është mburoja jonë, përballë së keqes, gjithnjë në pritë. Zoti është për ne miku i madh, aleati, ati ynë, po ne jo gjithnjë e ndjejmë praninë e Tij".

Nuk kujtohemi se e kemi një mik, një aleat, një atë, që na do fort; e na pëlqen të kapemi pas të mirave të menjëhershme, që mund t’i shohim, t’i prekim, t’i shijojmë, duke e harruar, e nganjëherë edhe duke e refuzuar, të mirën më të madhe, dashurinë atërore të Zotit:

“Ta ndjejmë Atë, në këtë epokë jetimërie, është shumë e rëndësishme! Në këtë botë jetime, të ndjesh se e ke një Atë! Ne, që largohemi nga dashuria e Zotit, kur shkojmë në kërkim të ankthshëm të të mirave tokësore e të pasurive, duke u kapur, kështu, pas këtij realiteti, me ankth të tepruar”.

Të kërkojmë Mbretërinë e Zotit e të jemi mbarështues besnikë, por pa bërë më shumë se duhet, sikur të varej gjithçka nga ne 

Ky kërkim plot ankth i pasurive nuk na bën të lum. Përkundrazi, të mjerë! Prandaj Jezusi na jep një rregull themelore jete: të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë qiellore! E kjo do të thotë të realizosh çka Jezusi e kumtoi gjatë predikimit në mal, domethënë, t’ia besosh plotësisht vetveten Zotit,  që nuk të zhgënjen, ndërsa një mori miqsh na kanë zhgënjyer, e të jemi mbarshtues besnikë të pasurive, që na i dhuroi, “edhe pasurive tokësore”, por pa bërë më shumë se duhet, sikur gjithçka “të varej vetëm nga ne”.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti shtegtarët e pranishëm, ndërmjet të cilëve, edhe një grup i ardhur me rastin e “Ditës së sëmundjeve të rralla”, që do të përkujtohet pasnesër:

“Ju falënderoj për gjithë çka bëni - u tha Papa. - E uroj - vijoi - që të sëmurët dhe familjet e tyre të ndihmohen si duhet në udhën e tyre aspak të lehtë, si në nivelin mjekësor, ashtu edhe në atë ligjor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.