2017-02-26 12:00:00

Engjëlli i Tënzot me Papën në Sheshin e Shën Pjetrit


Papa Françesku kremtoi sot Engjëllin e Tënzot me besimtarët e mbledhur nga e gjithë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. “Shikojini zogjtë e qiellit: nuk mbjellin e nuk korrin”, por Zoti mendon edhe për ta, kujtoi Ati i Shenjtë Ungjillin e sotëm, që na fton të reflektojmë mbi disa tema themelore të jetës e të fesë.

Fjala e Zotit na nxit ta pyesim veten nëse besojmë vërtet se Hyji i ndihmon ata, që japin jetën për Mbretërinë e Tij. Askush nuk mund t’u shërbejë dy padronëve, thotë Krishti. Nuk mund t’i shërbejmë edhe Zotit, edhe pasurisë. Hyji e di për çfarë kemi nevojë dhe kujdeset që të mos na mungojë asgjë. Gjithsesi, ndërhyrja e vazhdueshme e Provanisë Hyjnore për çdo krijesë të Zotit, vërtet, zhduk shqetësimin për të ardhmen, por nuk na përjashton nga impenjimi për jetën.

Edhe në Leximin II të liturgjisë së sotme, shën Pali apostull na kujton se Krishti i njeh dëshirat më të thella të zemrës së njeriut e vetëm dashuria e tij e ëmbël dhe e butë mund të banojë në intimitetin e shpirtit të secilit prej nesh. Prandaj, nuk duhet të kemi frikë se Hyji na braktis.

Sigurisht, të gjithë njerëzit shpresojnë ta kenë jetën e siguruar. Megjithatë, besimtarët provojnë nganjëherë pasigurinë, ose dyshimin nëse Zoti vepron me të vërtetë në jetën e tyre. U duket sikur Hyji i harron. Në këto çaste, jemi të thirrur të kemi besim në Fjalët, që Shpirti Shenjt na thotë përmes profetit Isaia, në Leximin I: “Nuk do të të harroj kurrë”. Edhe psalmisti dëshmon besnikërinë e Zotit për popullin e vet, prandaj i fton njerëzit e të gjitha kohrave ta hapin zemrën para Atit Qiellor e të kërkojnë strehë e ngushëllim tek Krishti, shkëmbi i shpëtimit tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.