2017-02-26 18:08:00

Papa në Kishën anglikane të Gjithë Shenjtorëve: “Të lutemi së bashku me Ungjillin e dashurisë së krishterë”.


Sot pasdite, përqafimi i Papës me bashkësinë anglikane të Romës! Françesku u prit në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, me rastin e dyqindvjetorit të krijimit të Kishës, në Rrugën e Babuinit: ishte një etapë e rëndësishme për dialogun ekumenik të katolikëve me anglikanët. Gjatë vizitës Françesku bekoi ikonën e Krishtit Shëlbues.

Katolikë e anglikanë, vëllezër e motra në Krishtin

Pas përshëndetjes së mirëseardhjes, nga i nderuari Jonathan Boardman dhe ipeshkvi Robert Innes, që vunë në dukje takimet e Papëve të së kaluarës së afërt me bashkësinë anglikane, falënderimi i Françeskut për ftesën. Papa kujtoi se kanë kaluar më se dyqind vjet, që kur u mbajt, në Romë, shërbesa e parë liturgjike publike anglikane, për një grup anglezësh, që jetonin në këtë krah të qytetit. Theksoi, më pas, se shumë ndryshime ka pësuar, që asokohe, Roma e Bota e se në rrjedhë të këtyre dy shekujve, shumë gjëra kanë ndryshuar edhe në marrëdhëniet ndërmjet anglikanëve e katolikëve të cilët, në të kaluarën, shikoheshin me dyshim e armiqësi; ndërsa sot, e pranojnë njëri-tjetrin ashtu si janë në të vërtetë: si vëllezër e motra në Krishtin, përmes Pagëzimit të përbashkët e, si miq e shtegtarë, dëshirojnë të ecin së bashku, ta ndjekin së bashku Zotin Jezu Krisht. E pikërisht Krishti u drejtoi apostujve të tij – kujtoi Papa - e edhe ne të gjithëve, thirrjen: “A je gati të lësh diçka nga e kaluara jote, për mua? A dëshiron të jesh kasnec i dashurisë sime, i mëshirës sime?”.

Udha e përbashkët, nën shenjën e mëshirës

Mëshira hyjnore - nënvizoi Papa - është burim i gjithë shërbesës së krishterë. Falë këtij vizioni, Shën Pali Apostull arriti t’i kapërcejë mosmarrëveshjet brenda bashkësisë së Korintit, duke e jetuar shërbesën sipas mëshirës që mori, e vetmja mënyrë për të rifilluar rrugën e pajtimit. Atë që bëri Shën Pali -  theksoi Françesku  - duhet ta bëjmë edhe ne në bashkësitë tona të të krishterëve të pagëzuar, kur ndodhemi përballë mosmarrëveshjeve. Mëshira, e bashkuar me përvujtërinë, ashtu si Palit, na krijon mundësinë ta kumtojmë Krishtin Zot. E për këtë, duhet të bëhemi të përvuajtur e të shpërqendrohemi - ashtu si Apostulli i Popujve - duke pranuar se kemi nevojë për Zotin, se jemi lypës të mëshirës së tij: kjo është pikënisja – theksoi Papa Françesku – për të qenë Zoti, ai që do të veprojë!  E duke kujtuar një  nga figurat më të njohura, krijuar nga Shën Pali, pohoi: “Jemi vetëm enë argjile, por ruajmë brenda nesh thesarin më të madh në botë. Pali, mëkatar i falur, pranon përvujtërisht se është i brishtë, si enë balte. Por e ka provuar dhe e di se pikërisht atje, ku mjerimi njerëzor hapet para veprimit të mëshirshëm të Zotit, Ai i Lumi kryen mrekulli! Kështu vepron pushteti i jashtëzakonshëm i Zotit!

Të lutemi së bashku, me Ungjillin e dashurisë së krishterë

Katolikë e anglikanë - kujtoi Françesku - jemi përvujtërisht mirënjohës sepse, pas shekujsh mosbesimi reciprok, tani mund të pranojmë se bashkimi i vërtetë dhe i fortë rritet e fuqizohet kur veprohet së bashku në ndihmë të atij, që ka nevojë. Përmes dëshmisë së harmonishme të bamirësisë, fytyra përdëllyese e Jezusit bëhet e dukshme në qytetet tona. Ta falënderojmë Zotin, që ndërmjet të krishterëve është thelluar dëshira  për afërsi më të madhe, gjë që shprehet në lutjen e përbashkët dhe në dëshmimin e përbashkët të Ungjillit. Nganjëherë progresi i ecjes drejt bashkimit të plotë mund të duket i ngadalshëm dhe i paqartë, por sot mund të marrim guxim nga takimi ynë. Për herë të parë Ipeshkvi i Romës viziton bashkësinë tuaj. Është hir e përgjegjësi: përgjegjësi për të fuqizuar marrëdhëniet tona në lavd të Krishtit, në shërbim të Ungjillit e të këtij qyteti.

T’i braktisim paragjykimet e së kaluarës, për t’u bërë dishepuj besnikë të Krishtit

Së fundi, edhe një inkurajim tjetër i Françeskut, drejtuar anglikanëve, për t’u bërë dishepuj gjithnjë më besnikë të Krishtit, gjithnjë më të lirë nga paragjykimet e së kaluarës e gjithnjë më të dëshiruar për t’u lutur për e me të tjerët. Një shenjë e bukur, që e shpreh këtë dëshirë, është vëllazërimi, apo binjakëzimi, realizuar nga famullia juaj e All Saints  dhe ajo katolike  e Gjithë Shenjtorëve - kujtoi Papa. - Shenjtorët e të gjitha konfesioneve të krishtera, plotësisht të bashkuar në Jeruzalemin atje lart, na hapin rrugën që duhet përshkuar, këtu poshtë, dhe të gjitha udhët e mundshme për një ecje të krishterë vëllazërore e të përbashkët. “Atje ku njerëzit mblidhen në emër të Jezusit, atje është edhe Ai (krh Mt 18,20) e na drejton shikimin e Tij plot mëshirë, duke na bërë thirrje të shkrijmë gjithë jetën për bashkimin e dashurisë. Uroj – tha në përfundim Papa - që Fytyra e Zotit të shndrisë mbi ju, mbi familjet tuaja dhe mbi gjithë këtë bashkësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.