2017-02-25 17:49:00

Papa famullitarëve: të jeni pranë çifteve në çdo situatë


Të jeni pranë çifteve në çdo situatë: pranë bashkimeve të kremtuara në Krishtin e bashkimeve civile, pranë familjeve të lumtura e atyre fare të palumtura. Këtë kërkoi Papa gjatë fjalimit drejtuar pjesëmarrësve në kursin e formimit për famullitarët lidhur me procesin e ri martesor, promovuar nga Gjykata Rota Romake. Kursi nisi të mërkurën e kaluar e përfundoi sot. Françesku, që i priti pjesëmarrësit sot paradite, në Vatikan, pohoi me forcë  nevojën e përgatitjes së gjatë para martesës, për ta jetuar jo thjesht si fakt shoqëror, por si Sakrament i vërtetë.

Famullitarët - kujtoi Papa - janë të thirrur të jenë “shokë udhe”, që i mbështesin dhe i ndihmojnë njerëzit në çdo situatë:

“Askush më mirë se ju nuk e njeh realitetin e indit shoqëror në territor e nuk është në kontakt më të ngushtë me larminë e tij: me bashkimet e kremtuara në Krishtin, me çifte që bashkëjetojnë, çifte të dështuara, me e pa  kurorë civile, familje e të rinj, të lum e të palum”.

Në shumicën e rasteve, famullitarët bashkëbisedojnë të parët me të rinjtë, që e dëshirojnë Sakramentin e martesës. E jo vetëm kaq. Atyre u drejtohen bashkëshortët, që kanë probleme serioze, ose nevojë ta rizbulojnë hirin e Sakramentit.

Kursi i formimit mbi procesin e ri martesor u organizua pikërisht për famullitarët, me qëllim që të thellohen në propozimet e Sinodit me temë “Martesa e familja”, të cilat më pas u përmblodhën dhe u integruan në Nxitjen Apostolike “Amoris laetitia” e u ndanë në dy akte juridike: Motu proprio Mitis Iudex e Misericors Jesus. Papa e lavdëroi këtë nismë studimi.

Katekumenat për përgatitjen e të fejuarve e pastaj, ndjekjen e çifteve të reja  

Gjëja e parë që kërkoi Françesku ishte të dëshmohet hiri i Sakramentit të martesës së burrit me gruan, si në përgatitjen e të fejuarve, ashtu edhe në shoqërimin e çifteve të reja, duke i ndihmuar ta jetojnë në çaste të mira e të vështira:

“Po unë e pyes veten sa herë, ose sa nga këta të rinj, që vijnë në kurset paramartesore e kuptojnë ç’do të thotë ‘martesë’ e shenjë e bashkimit me Krishtin e me Kishën? ‘Po, po’ të thonë: por a e kuptojnë vërtet këtë? A kanë besim në të? A janë të bindur se duhet një katekumenat i vërtetë për Sakramentin e martesës, e jo një përgatitje me dy-tre takime, për të qenë, pastaj, gati?”.

Prej këndej, Françesku u kërkoi famullitarëve ta realizojnë këtë katekumenat të bashkëshortëve të ardhshëm. Nevojë, kjo, që u shpreh edhe në fjalimin drejtuar Gjykatës Rota Romake:

“Ju inkurajoj ta vini në jetë, pavarësisht nga vështirësitë që mund të ndeshni. Besoj se vështirësia më e madhe është ta mendosh ose ta jetosh martesën si fakt shoqëror, e jo si Sakrament i vërtetë, që kërkon përgatitje të gjatë. Të gjatë!”.

Martesa është “ikona e Zotit”. Dashuria e Zotit, Një i Vetëm në tri Vetje dhe dashuria e Krishtit për Kishën duhet të jenë në qendër të katekizmit martesor.

Mos u paraqitni si specialistë normash juridike

Duhen ndihmuar edhe ata, që e kuptojnë se bashkimi i tyre nuk është martesë e vërtetë sakramentore dhe duan të dalin nga kjo gjendje:

“Një këtë vepër kaq të nevojshme dhe delikate, bëni që besimtarët të mos ju shikojnë aq si specialistë aktesh burokratike a normash juridike, por si vëllezër, që janë gati t’i dëgjojnë e t’i kuptojnë”.

Afërsi të rinjve, që bashkëjetojnë pa u martuar

Papa i porositi famullitarët të kujdesen në mënyrë të veçantë edhe për të rinjtë, që bashkëjetojnë pa u martuar. Janë ndërmjet të varfërve e të  vegjëlve, për të cilët Kisha dëshiron të jetë nënë e të mos i braktisë:

“Edhe këta njerëz duhen fort nga Zemra e Krishtit. Shikojini me dhembshuri e mëshirë. Ky kujdes për të fundmit, pikërisht sepse buron nga Ungjilli, është pjesë themelore e veprimtarisë suaj për nxitjen dhe mbrojtjen e Sakramentit të martesës” .

Famullia - kujtoi në përfundim Papa -  është, për antonomazi, vend i shpëtimit të shpirtrave, siç na mëson i Lumi Pali VI. Duhet, prandaj, të jeni shërbëtorë të ngushëllimit, posaçërisht ndërmjet njerëzve më të brishtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.