2017-02-24 13:36:00

Papa nxit të blihen për të varfërit prodhimet e zonave të dëmtuara nga tërmeti


Me porosinë e Papës, Lëmoshtaria Apostolike shkoi këto ditë në zonat e Italisë qendrore, të dëmtuara nga tërmeti, për të blerë nga fermat në vështirësi, prodhime ushqimore tipike e për t’i dhënë, kështu, ndihmë ekonomisë vendase. Prodhimet u shpërndanë në mensat karitative. Njoftimin e jep, përmes një komunikate, vetë zyra e Selisë së Shenjtë, që merret me bamirësinë ndaj të varfërve, në emër të Papës.

Marrëveshja me ipeshkvijtë e zonave të dëmtuara nga tërmeti

Në marrëveshje me ipeshkvijtë e Rietit, imzot Domenico Pompili; të Ascoli-Piceno, imzot Giovanni D’Ercole: të Camerino-San Severino- Marche, imzot Francesco Giovanni Brugnaro dhe të Spoleto-Norcias, imzot Renato Boccardo, u përcaktuan disa grupe fshtarësh, fermat e të cilëve - lexohet në një notë - rrezikohen të mbyllen për shkak të dëmtimeve të rënda, shkaktuar nga lëkundjet e tokës.

Ndihmë fermave në vështirësi

Lëmoshtaria Apostolike - shpjegohet - mendoi t’u blejë një sasi të madhe të prodhimeve të tyre, me ndjetin e shprehur nga vetë Ati i Shenjtë, që të ndihmohen e të inkurajohen për ta vijuar verprimtarinë bujqësore e blegtorale. Gjest, ky, në vijë me shërbesën papnore të Françeskut që - kujtohet - shpesh, gjatë takimeve të tij, pohon se “kur nuk fitohet buka e gojës, humbet edhe dinjiteti”. Të gjitha prodhimet e blera, u shpërndanë në disa nga mensat bamirëse të Romës, për përgatitjen e ushqimeve, që u jepen ditë për ditë falas, njerëzve nevojtarë e të pastrehë.

Të punohet për rifillimin e zhvillimit të ekonomisë

Prej disa ditësh, edhe pranë Annona-s - supermerkatit, që ndodhet brenda Qytetit të Vatikanit, në shërbim të punonjëve të Selisë së Shenjtë, mund të blihen prodhime tipike të zonave të dëmtuara nga tërmeti, duke kontribuar kështu, për t’i mbështetur e për t’i ndihmuar këto zona në rimëkëmbjen e ekonomisë, në këtë pjesë të Italisë qendrore, që vijon akoma të kalojë çaste të vështira.








All the contents on this site are copyrighted ©.