2017-02-23 11:35:00

Papa Françesku Rabinit Abraham Skorka: në Torah gjejmë dashurinë e Zotit


Një takim rreth Torah, rreth dhuratës së Zotit, zbulesës së Tij, Fjalës së Tij. Papa Françesku me këto fjalë, priti sot një delegacion të përfaqësuesve hebraikë të një Shtëpie Botuese, udhëhequr nga Rabini argjentinas Abraham Skorka, miku i Atit Shenjtë Bergoglio qysh në kohët e Buenos-Aires-it, i cili ia paraqiti Papës botimin e ri të pesë librave të shenjtë Biblës - Torah. Përmbledhja e teksteve biblike të Besëlidhjes së Vjetër, Torah, përfaqëson për Papën Françesku “mësimin e gjallë të Hyjit të gjallë” siç e pati quajtur Torah shën Gjon Pali II. Ja fjala e Papës:

"Të dashur miq,

ju përshëndes përzemërsisht të gjithë juve, që keni ardhur për paraqitjen e botimit të ri e të çmueshëm të Torah. Falënderoj Abraham Skorka-n për fjalët e tij e, u jam shumë mirënjohës të gjithëve që patët këtë ide, e cila, sot, na bën të takohemi rreth Torah, domethënë rreth dhuratës së Zotit, zbulesës së Tij, fjalës së Tij.

Torah, që shën Gjon Pali II e pati quajtur “ mësim i gjallë i Hyjit të gjallë” (Fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në kremtimin e 25-vjetorit të Deklaratës “Nostra aetate”, 6 dhjetor 1990), shfaq dashurinë atërore e intime të Zotit, dashurinë e fjalëve e të gjesteve konkrete, një dashuri, që bëhet besëlidhje. E pikërisht kjo fjalë, besëlidhja, është e pasur me rezonanca, që na bashkojnë. Hyji është Aleati më i madh e më besnik. Ai e thirri Abrahamin, për të formuar prej tij një popull, që të bëhej bekim për të gjithë popujt e tokës, e ëndërroi një botë, në të cilën burrat e gratë të janë aleatë me Të, e këndej, të jetojnë në harmoni ndërmjet tyre dhe me krijimin”, tha Papa.

“Në mesin e kaq shumë fjalëve njerëzore, që mjerisht shtyjnë drejt ndarjeve e konkurrencës, këto fjalë hyjnore të besëlidhjes, hapin para nesh udhë të mira, për t’u përshkuar së bashku”. Këtë nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio e shtoi se “edhe ky botim është fryt i një “aleance” ndërmjet njerëzve me kombësi të ndryshme, me moshë dhe me bindje fetare të ndryshme, që kanë ditur të punojnë së bashku".

"Dialogu vëllazëror e institucional ndërmjet hebrenjve e të krishterëve, që ka kaluar përmes një konfrontimi të vazhdueshëm e bashkëveprues, tashmë është konsoliduar dhe ka sjellë fryte. Kjo dhuratë e juaj hyn plotësisht në vazhdën e këtij dialogu, që nuk shprehet vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes gjesteve.

Pjesa e madhe e hyrjes së kësaj vepre, që i shtohet tekstit, si edhe të dhënat e Botuesit, e nënvizojnë këtë aspekt të dialogut, duke shprehur një vizion kulturor të hapur, në respektin e ndërsjelltë e në paqe, në përkim me mesazhin shpirtëror të Torah. Personalitetet e rëndësishme fetare që kanë punuar për këtë botim të ri, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë edhe përmasës letrare të tekstit, ashtu si edhe tabelave të çmueshme me ngjyra, që e kanë shtuar edhe më tej vlerën e botimit.

E sot botimi i Shkrimeve të Shenjta përmban një vlerë shpirtërore që e tejkalon pambarimisht atë materiale. Prandaj - përfundoi Papa - i kërkoj Zotit t’i  bekojë të gjithë ata njerëz që kanë bashkëpunuar për këtë vepër, e në mënyrë të veçantë të gjithë ju, të cilëve ju shpreh sërish falënderimin tim personal".








All the contents on this site are copyrighted ©.