2017-02-21 13:12:00

Papa: turpi shenjtë e ndihmon Kishën të lirohet nga tundimi i ambicionit


Zoti na dhashtë hirin e “turpit të shenjtë” para tundimit të ambicionit që i përfshin të gjithë, edhe komunitetin kishtar. Ky qortimi i Papës Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi ftesën e Jezusit për t’u vënë në shërbimin e të gjithëve.

“Të gjithë do të tundohemi”. Niset nga ky fakt që verifikohet edhe në jetën e krishterë, homelia e Papës Françesku mbi Leximet biblike të Meshës së ditës së sotme: Leximi parë nga Siracidi (Sir 2,1-13) na kujton se kush don t’i shërbejë Zotit, duhet të jetë gati t’i mbartë kryqat, të jetë gati të përballet me tundimin, ndërsa Ungjilli i ditës nga Marku (Mr 9,30-37) na tregon për Jezusin, cili u paralajmëron dishepujve vdekjen e vet, mirëpo ata nuk e kuptojnë e kanë frikë ta pyesin. Ky është “tundimi i mos plotësimit të misionit”, thotë Papa. Edhe Jezusi qe tunduar: së pari në shkretëtirë për tre herë nga djalli e pastaj nga Pjetri gjithnjë para lajmërimit të vdekjes së vet.

Po ekziston një tundim tjetër për të cilin na flet Ungjilli: dishepujt udhës diskutojnë, vërtetë, se kush prej tyre do të jetë më i madhe e heshtin kur Jezusi u kërkon se për çka ishin duke folur. Heshtin sepse turpëroheshin për atë që diskutonin:

“E pra ishin njerëz të mirë, njerëz që donin ta ndiqnin Zotin Jezus, donin t’i shërbenin Zotit. Mirëpo nuk e dinin se udha e shërbimit të Zotit nuk ishte kaq e lehtë, nuk ishte si të rekrutohesh në një entitet, në një shoqatë bamirëse, për të bërë mirë: jo, është diçka tjetër. Kishin frikë nga kjo. E pastaj ekziston tundimi i mondanitetit: nga momenti që Kisha është Kishë e deri më sot, kjo ka ndodhur, ndodh e do të ndodhë. Po le t’i mendojmë për shembull betejat në famullitë kishtare: ‘Unë dua të jem president i kësaj shoqate, dua të arrijë një pozitë të lartë”, ‘Kush është më i madhi, këtu? Kush është më i madhi në këtë famulli? Jo, unë jam më i rëndësishëm se ai e ai tjetri atje jo sepse ai ka bërë diçka...’, e aty, del vargu i mëkateve”.

Është tundimi që na sjell të “përgojojmë, të flasim keq” e të “ngjitemi sa më lartë”. E Papa Françesku për të bërë që të kuptohet ky tundim përmend shembuj tjerë konkret:

“Disa herë ne priftërinjtë, ne presbiterët e themi me turp: ‘Unë do ta doja këtë famulli...’- ‘Po mos të harrojmë se Zoti është këtu...’- ‘Po unë do ta doja atë....’. E njëjta gjë. Jo udhën e Zotit, por udhën e mendjemadhësisë (kotësisë), udhën e mondanitetit. Edhe ndër ne ipeshkvijtë ndodh njësoj: mondaniteti vjen si tundim. Shpesh herë, ‘Unë jam në këtë dioqezë por e shikoj atë tjetrën që është më e rëndësishme e lëvizi për bërë....që t’ia arrijë, vë në lëvizje këtë ndikim, këtë tjetër, atë ndikim, bëj presion, shtyj e ngul këmbë mbi këtë pikë për të arritur atje ...’-‘Po mos të harrojmë se Zoti është atje!””.

Dëshira për të qenë më i rëndësishëm se të tjerët na shtyn drejt udhës së mondanitetit. E prandaj Papa këshillon t’i kërkojmë gjithmonë Zotit “hirin e turpërimit, kur gjendemi në këto situata”. E të mësojmë nga Jezusi që e përmbys këtë logjikë: Ai u kujton të Dymbëdhjetëve se “ nëse ndokush don të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi dhe shërbëtori i të gjithëve” e merr një fëmijë dhe e vë në mesin e tyre .

Papa Françesku kërkon pra t’i lutemi Zotit për Kishën, “për të gjithë ne” që Zoti të na mbrojë “nga ambicia, nga mondaniteti që na bënë të ndjehemi më të mëdhenj e më të rëndësishëm se të tjerët”:

“Zoti na dhashtë hirin e turpërimit, të turpit të shenjtë, kur gjendemi në këto situata, nën tundim, të turpërohemi: ‘Po unë a jam i aftë të mendoj kështu? Kur e shoh Zotin tim në kryq, e unë dëshiroj ta përdorë Zotin për t’u ngjitur sa më lartë?’. E na dhashtë hirin e thjeshtësisë së një fëmije: që të kuptojmë se vetëm udha e shërbimit...ka vlerë. E ndoshta, unë e imagjinoj pyetjen e fundit kështu: “O Zot, të kam shërbyer tërë jetën. Kam qenë i mbrami tërë jetën. E tani, çka?’, çka na thotë Zoti? ‘Thuaj vetvetes: ‘Shërbëtor i pavlefshëm’” jam (Lk 16,10).








All the contents on this site are copyrighted ©.