2017-02-20 14:51:00

Papa do të kryesojë, në Aventin, të Mërkurën e Përhime


Edhe sivjet Papa Françesku do të kryesojë, të Mërkurën e Përhime, procesionin tradicional,  që do të shënojë fillimin e kohës liturgjike të Kreshmëve. Riti do të përfundojë në Bazilikën romake të Shën Sabinës, në Aventin.

Siç njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, kremtimi do të zhvillohet në formën e “Stacioneve romake”, duke nisur nga ora 16.30, në Kishën e Shën Anselmit, në Aventin, me liturgjinë “stacionale”, që do të pasohet nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës.

Në procesion, së bashku me Papën Françesku, do të marrin pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjërit benediktinë të Shën Anselmit dhe etërit domenikanë të Shën Sabinës, të ndjekur nga besimtarët.

Në  përfundim të procesionit, në Bazilikën e Shën Sabinës, do të kremtohet Mesha Shenjte me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes. Gjatë ritit, edhe vetë Françesku do të përhihet si besimtar i thjeshtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.