2017-02-20 14:21:00

Një skulpturë kushtuar Papës Françesku, vendosur ndërmjet Meksikës e SHBA-ve


4 metra e 60 centimetra gjatësi, më se një tonelatë peshë, krejt e bardhë:  kështu paraqitet skulptura kushtuar Papës Françesku, realizuar nga artisti meksikan Pedro Francisco Martínez, që u vendos të enjten e kaluar në Ciudad Juárez, në vijën e kufirit ndërmjet Meksikës e SHBA-ve. Tani “Papa i bardhë” lartohet pikërisht në “Pikën” ku është vendosur kufiri ndërmjet dy vendeve, “pikë” mbi të cilën Françesku shkeli një vit më parë, në etapën e fundme të shtegtimit të tij në Meksikë.

Simbol dashurie e solidariteti

“Me krahun e majtë të shtrirë paralel me Rio Bravo-n, lumin që ndan Meksikën nga SHBA-të, shtatorja tingëllon si simbol dashurie, mirësie, solidariteti - shpjegon artisti Pedro Francisco Martínez. I lartuar në hapësirën kufitare, me pëllumbin në dorë, gati për fluturim, Papa i bardhë duket sikur drejton një mesazh shprese, që bashkon qytetin tonë me “El Passo”-n, domethënë me qytetin Texas, në SHBA, menjëherë tej kufirit. Janë dy qytete të bashkuara - thekson skulptori - që nuk duhen ndarë as nga muri e as nga lumi. “Bashkësia njerëzore nuk ka as nuk duhet të ketë kufij”.

Ceremonia e përurimit, me Meshën përfundimtare

Në ceremoninë e përurimit, më 17 shkurtin e kaluar, ishte i pranishëm kryetari i bashkisë së qytetit meksikan, Enrique Serrano, si dhe orkestra e aztekëve, me 120 muzikantë të rinj. Meshën përfundimtare e kryesoi  imzot Josè Guadalupe Torres. Ditët e fundit dhjetra mijëra meksikanë - njoftojnë mediat lokale - kanë mbushur plot sheshet, duke protestuar kundër vendimit të presidentit të ri amerikan, Tramp për ndërtimin e murit  në kufirin ndërmjet dy vendeve. Protesta, edhe në shumë qytete amerikane.

Ndërkaq, ndërmjet dy shteteve, në vijën e kufirit, lartohet skulptura e Papës së bardhë, me pëllumbin e paqes në dorë, gati për fluturim në qiellin e lirë, pa mure!








All the contents on this site are copyrighted ©.