2017-02-20 14:32:00

Ndërroi jetë Michael Novak: ëndërronte një kapitalizëm njerëzor


Ndërroi jetë të premten në Uashington, në moshën 93 vjeçare, Michael Novak. I lindur në vitin 1933 në Johnstown të Pensilvanisë, Novak - teolog, filozof, shkrimtar e diplomat - ka qenë një nga personalitetet më të rëndësishme në debatin për marrëdhëniet ndërmjet katolicizmit, ekonomisë dhe shoqërisë, në fund të shekullit XX e në fillim të shekullit XXI. Studiuesi amerikan e ripërkufizoi nocionin e “drejtësisë shoqërore”, duke vendosur në bazën e tij parimin e susidiaritetit e duke i dhënë si detyrë shoqërisë civile të jetë “kundërpesha e shtetit”. Në qendër të reflektimit të tij, koncepti i njeriut, të cilit i vuri në dukje lirinë, aftësinë për punë dhe krijimtarinë. U impenjua fuqimisht që vendi i tij, Amerika, t’i mbetej besnike rrënjëve të krishtera. Më 4 maj 1994, Novak pati marrë Çmimin e 24-t Templeton për përparimin në fe. Për filozofinë e tij, pyetëm pedagogun e Universitetit të LUMSA-s, në Romë, Luigino Bruni, ekonomist e historian i mendimit ekonomik:

         Michael Novak ka qenë sigurisht personalitet i rëndësishëm, novator, figurë që ka nxjerrë në dritë njeriun, përgjegjësinë e tij e pra, edhe temën e shtetit në marrëdhënie me njeriun, duke thënë gjëra të rëndësishme. Sidomos, vuri në qendër të debatit, etikën fetare – etikën e krishterë, katolike në rastin e tij – për të kuptuar kapitalizmin. Në veçanti, duke kritikuar, por edhe duke cituar Max Weber-in dhe librin e tij të famshëm “Etika protestante dhe studimi i kapitalizmit”, ai pati thënë se ka një etikë katolike në shpirtin e kapitalizmit. Ka qenë personalitet i ndërlikuar, i kritikuar shpesh: më shumë se për veprimet e tij, për mënyrën si u përdor në Amerikë nga një lloj katolicizmi më konservator, që e interpretoi punën e Novak, duke i dhënë një farë legjitimiteti etik kapitalizmit, kështu siç është sot.

         Ai thoshte se kapitalizmi është sistemi ekonomik më i pranueshëm, megjithëse jo më i miri. Sipas jush, ishte tepër optimist për lirinë e tregut?

         Si gjithmonë, duhet ta kontekstualizojmë mendimin e tij. Novak pati si armik të madh kulturor komunizmin dhe format e ndryshme të planifikimit stalinist. Nga kjo pikpamje, nëse krahasojmë komunizmin sovjetik me kapitalizmin amerikan, nuk duhet shumë për të thënë se ky i fundit ka më tepër respekt për vlerat e krishtera. Sigurisht, nëse Novak do të meditonte mbi kapitalizmin e sotëm, mbi linjën që po ndërmerr një lloj kapitalizmi financiar, individualist, i cili po kthehet në religjionin e ri të kohës sonë, fe pagane dhe kundër krishterimit, jam i bindur se do të kishte dyshime e do ta kritikonte shumë më tepër se ç’pati bërë gjatë karrierës së vet. Nëse mendojmë për Papën Françesku, nuk di si mund t’i interpretojmë tezat e tij. Ndoshta, Papa Françesku dëshmon për marrëdhënie më problematike të krishterimit me kapitalizmin e, besoj se Novak, në pjesën e fundit të jetës, ishte më kritik, më skeptik, në krahasim me kohën e rinisë. 

         Le t’i kthehemi koncpetit të “susidiaritetit”, që mund të interpretohet me frazën: ndërhy vetëm aty ku njerëzit nuk arrijnë t’i zgjidhin vetë problemet. Më duket me aktualitet të madh…

         Po, edhe këtu duhet të jemi të ndershëm ndaj Novak, për ta respektuar. Susidiariteti është kategori, që lindi sidomos në Evropë. Susidiariteti, që njohin amerikanoveriorët është pak i ndryshëm: i lihet shumë tregut. Ekziston edhe atje ky koncept, por gabimi i 30 vjetëve të fundit ka qenë mendimi se mënyra më e mirë për ta zbatuar parimin e susidiaritetit është t’i lihet tregut hapi i parë e të imagjinohet gjithçka tjetër si hapi i dytë, i tretë e i katërt, përfshi politikën dhe shoqërinë civile. Ky konceptim, sot, është në krizë të thellë, sepse po e kuptojmë gjithnjë e më shumë se ekonomia është kthyer në anti-susidiaritet. Baza e parimit është njeriu, siç thoshte Michael Novak, pra, njeriu, që jeton në atë kontekst, brenda atij problemi, që ka burimet, njohuritë dhe aftësitë për ta përballuar problemin. Në të vërtetë, ekonomia kapitaliste e sotme bën të kundërtën, duke centralizuar gjithnjë e më shumë vendimet…

         A mund të themi se shoqëria ka dëshirë për susidiaritet?

       Është absolutisht e vërtetë. Por kjo ekziston “pavarësisht” nga ekonomia dhe jo “falë” ekonomisë. Ka shumë kërkesë për susidiaritet, ka shumë forma që kërkojnë protagonizmin e shoqërisë civile, të njerëzve; por, e përsëris, kjo po ndodh, “pavarësisht” nga kapitalizmi aktual, jo “falë” tij.

         Cila është trashëgimia, që na lë Novak?

         Ka shumë gjëra pozitive. Sigurisht, njëra nga pikat e forcës së Novak ishte se nuk kishte frikë nga kritikat. Prandaj, trashëgimia e tij e parë është ndershmëria intelektuale. Së dyti, ta marrim seriozisht themelin fetar të kapitalizmit, sepse problemet dhe mundësitë e tij janë me natyrë teologjike. E meqe teologjinë nuk e studion më kush masivisht, atyre që merren me ekonomi u shpëtojnë përmasa themelore, që do të kuptoheshin nëse do ta studionim më shumë teologjinë. E së fundi, mesazhi i tretë i Michael Novak është roli i ekonomisë për një jetë më të mirë. Ai na kujton se ekonomia është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm ekonomistëve. Nëse sot, do të punësonim më shumë teologë, sociologë e njerëz të përshpirtshëm nëpër banka, nëpër ndërmarrje, nëse do të merreshim të gjithë me ekonomi e jo vetëm ekonomistët, ndoshta, kapitalizmi i mijëvjeçarit të tretë do të jetë më njerëzor e më pranë atij humanizmi, që ëndërroi Novak e për të cilin punoi.








All the contents on this site are copyrighted ©.