2017-02-19 09:00:00

Predikimi për Kurien Romake, ndërmjet Martin Luterit e hebrenjve


Çdo vit, në fillim të Krezhmëve, mbahet një javë ushtrimesh shpirtërore për Kurien Romake. Papa Françesku preferon t’i mbajë ato jashtë Vatikanit, për të favorizuar shkëputjen nga gjërat e botës dhe meditimin, e këtu mund të shihet një tipar i tij si jezuit. Por ndikimi injacian ka qenë vendimtar që nga institucionalizimi i ushtrimeve shpirtërore. Papa Piu XI, në vitin 1239, me enciklikën “Mens nostra”, vuri në dukje rëndësinë e ushtrimeve shpirtërore dhe dha urdhër që ato të mbaheshin edhe në Vatikan. Që atëherë, me disa përjashtime të pakta, për shkak të kremtimeve jubilare ose konciliare, çdo vit, thirret dikush për të predikuar ushtrimet shpirtërore të Papës e të bashkëpunëtorëve të tij. Zgjedhja e predikatorit tregon, në një farë mënyre, orientimin e çdo papnie.

         Kështu, në kohët e Piut XI dhe të Piut XII u ftuan “profesionistët” e ushtrimeve shpirtërore, pra, jezuitët, ose të ashtuquajturit “misionarë të Rho”. Gjoni XXIII pati ftuar edhe një famullitar të thjeshtë dhe vetë predikatorin apostolik, kapuçinin atë Ilarino nga Milano. Me Palin VI erdhën edhe predikatorë ndërkombëtarë, përfaqësues të denjë të botës kishtare, si Bernhard Häring, domenikani që filloi përvojën e priftërinjve punëtorë Jacques Loew, Divo Barsotti, Maurice Zundel, kryetari i Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan izmot Eduardo Francisco Pironio; për herë të parë u ftua edhe një kardinal, kryeipeshkvi i Krakovit, Karol Wojtyla. I fundit, që mbajti ushtrimet shpirtërore në Kurien Romake, gjatë papnisë së tij, ishte kardinali Carlo Maria Martini, në atë kohë, rektor i Universitetit Papnor Gregorian. Me Gjon Palin II, pra, me Karol Wojtyla-n, të shumtë janë kardinajt e thirrur për të predikuar. Ndër ta, edhe Joseph Ratzinger, Papa aktual i nderit. Me Françeskun, janë meshtarët e thjeshtë ata, që mbajnë meditimet, por shpesh, edhe biblistë të shquar.

         Vetë atë Giulio Michelini, predikatori i sivjetëm, është biblist e nuk është zgjedhur rastësisht nga Papa Françesku. Kremtohet 500-vjetori i reformës protestante, që konvencionalisht, fillon me afishimin e 95 tezave të famshme të Martin Luterit në portën e kishës së Wittenbergut, në vitin 1517. E meqë tipari karakterizues i protestantizmit është epërsia e Shkrimit Shenjt, zgjedhja e një biblisti ka vlerë të konsiderueshme ekumenike. Gjithashtu, atë Michelini është studiues i apasionuar i hebraizmit e ka kryer punë kërkimore në qendra të rëndësishme të kulturës hebraike, duke shkruar edhe libra. Duke pasur parasysh qëndrimin armiqësor të së kaluarës ndaj hebrenjve, sidomos nga ana e protestantëve, por edhe nga ana e disa katolikëve, zgjedhja e tij për ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake tregon ndershmërinë intelektuale të Papës.

Para tij, shën Gjon Pali II, në letrën “Operosam diem” dërguar kryeipeshkvit të Milanos, kardinalit Carlo Maria Martini, në vitin 1996, me rastin e 1600-vjetorit të vdekjes së shën Ambrozit, ipeshkëv e dijetar i Kishës, pavarësisht se e ngre lart mendimin e shenjtit, vëren sa “i papërshtatshëm qe” qëndrimi i shën Ambrozit ndaj hebrenjve. Kur në vitin 388 u shkatërrua sinagoga e Kalinikos pranë lumit Eufrat, shën Ambrozi pati gjykuar se perandori i krishterë nuk kishte nevojë t’i dënonte fajtorët e as t’i detyronte ta dëmshpërblenin bashkësinë hebraike. Pikërisht, ky qëndrim konsiderohej “i papërshtatshëm” nga Papa, që u bë shenjt.








All the contents on this site are copyrighted ©.