2017-02-19 09:00:00

Grimca nga veprimtaria e djeshme në Vatikan e në Kishë


Dje, në mesditë Papa Françesku priti pjesëmarrësit e Kapitullit të Përgjithshëm të Kongregatës së klerikëve marianë të Zojës së Papërlyer. Rreth 40 vetë përfaqësuan kongregatën e themeluar në Poloni, në vitin 1673, nga Shërbëtori i Zotit Stanislau i Jezusit e i Marisë Papçinski. Ajo u miratua nga Papa Inoçenci XII, sipas “Rregullës së dhjetë virtyteve të së Lumes Virgjër Mari”. Në vitet 1909-1910, kongregata u rinovua dhe u reformua nga i Lumi Giorgio Matulaitis-Matulewicz.

         Dje, në orën 9.00, në kapelën e Zojës-Nënë e Familjes, në Pallatin e Guvernatoratit, në Vatikan, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi meshën për përurimin e vitit gjyqësor të Gjykatës së Shtetit. Ky është viti i 80-të i veprimtarisë së kësaj Gjykate. Më pas, në Sallën e vjetër të Sinodit, promotori i drejtësisë, Gian Piero Milano, mbajti një relacion për të pranishmit.

         Po dje, u kremtua 33 vjetori i rishikimit të Konkordatit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë, që solli ndryshime në Paktet Lateranense të vitit 1929. Konkordati i ri u nënshkrua, nën papninë e shën Gjon Palit II, nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit të Vatikanit, kardinali Agostino Casaroli, dhe nga kryeministri italian, Bettino Craxi.

        Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së kardinalit Carlo Maria Martini, më 15 shkurt 1927, dje e sot, Fondacioni që mban emrin e tij promovoi një sërë nismash për të rijetuar mesazhin e shpresës të prelatit italian. Tema e këtyre takimeve, që u mbajtën në Qendrën San Fedele, ishte “Unë jam gjallë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.