2017-02-18 17:35:00

Papa Klerikëve Marianë: jemi pranë njerëzve të thjeshtë, nuk jemi princër


Të përparojmë me liri profetike e urti drejt kufijve misionarë e të jemi gjithnjë pranë njerëzve të thjeshtë. Kjo, nxitja e Papës në fjalën drejtuar rreth 40 pjesëmarrësve në Kapitullin e Përgjithshëm të Kongregatës së Klerikëve Marianë të Zojës së Papërlyer, që i priti sot paradite në Vatikan. Kongregata i kushtohet kryesisht edukimit të krishterë të të rinjve, misioneve dhe apostullimit të shtypit.

Kur duhen përtërirë Kushtetutat e një Kongregate rregulltare, nuk mund të shkohet përpara pa përmasën e kujtesës, “kujtesës të së kaluarës” dhe “historisë së themeluesve”. Për të ecur përpara, duhet ruajtur edhe kujtesa e mëkateve të Kongregatës. Këtë nënvizoi Françesku në fjalën drejtuar Kapitullit të Përgjithshëm të Klerikëve Marianë, mbledhur pikërisht për të reflektuar mbi rregulloret. Prej këndej, porosia e Papës: “Besnikëri ndaj  karizmës së themeluesit, por edhe zemër e mendje të hapur për t’i njohur e për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve”.

Nuk jemi princër, jemi pranë njerëzve të thjeshtë

Françesku u kërkoi Klerikëve Marianë ta mbajnë gjallë angazhimin ndaj të varfërve, tipar ky, që e karakterizon që në fasha familjen e tyre rregulltare, ashtu si dhe jetën e themeluesit të tyre, shën Stanislaut të Jezusit dhe të Maria Papczynskit, që jetuan në gjysmën e 1600-tës e u shenjtëruan në qershorin e vitit të kaluar.

Papa i nxiti rregulltarët marianë të jenë pranë njerëzve të thjeshtë, që e morën fenë pikërisht me thjeshtësinë e nënave e të gjysheve:

“Ne nuk jemi princër, bij princërish, kontësh a baronësh, jemi njerëz të thjeshtë, popull. Prandaj edhe u afrohemi me këtë thjeshtësi, të thjeshtëve e atyre, që vuajnë më shumë: të sëmurëve, fëmijëve, pleqve të braktisur, të varfërve, të gjithëve. E kjo varfëri është në qendër të Ungjillit, sepse është varfëria e Jezusit, nuk është varfëri sociologjike, kjo e Jezusit!

Të përparojmë drejt kufijve misionarë me gjuhë të kuptueshme për kohën tonë 

Ati i Shenjtë kërkoi edhe t’i jepet përgjigje thirrjes së njerëzimit nevojtar, në një botë ku nuk janë të pakta fatkeqësitë morale e materiale. Kjo është edhe fusha e pamasë e apostullimit tuaj - u kujtoi Papa rregulltarëve marianë - duke theksuar, më pas, edhe se përballë mjeteve të pakta e padenjësisë sonë, ajo që ka vlerë kryesore, është besimi ynë në pushtetin e Zotit:

“Zoti mundet, Zoti është i aftë! E vogëlsia jonë është pikërisht fara, fara e vockël, që pastaj mbin e rritet. Zoti e vadit. E kështu lëshon shtat. Por ndjenja e vogëlsisë është pikërisht hovi i parë drejt besimit në pushtetin e Zotit: ‘Shkoni përpara në këtë rrugë!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.