2017-02-17 13:07:00

Papa viziton Roma Tre. Në Universitet për të jetuar, duke dialoguar


Sot paradite Papa Françesku ishte për vizitë në Universitetin Roma Tre. Është vizita e tij e parë në një universitet shtetëror të kryeqytetit. Roma Tre, që frekuentohet nga rreth 40 mijë studentë, u vizitua edhe nga Gjon Pali II, më 2002.

Studentët, jashtëzakonisht të kënaqur, që e kishin fare pranë Atin e Shenjtë e mund t’i drejtonin lirisht pyetjet e tyre, shkëmbyen një dialog plot gjallëri me Papën, duke prekur disa nga problemet më të mprehta të epokës së globalizimit.

Ishte bisedë e lirë, që nisi me pyetjen e studentes siriane Nour Essa e vijoi me tri pyetje të tjera: për frikën, që ndjehet fort në situatën aktuale; vlerën e Romës për Papën, që vjen nga larg; ilaçet kundër dhunës dhe nevojën e një revolucioni të guximshëm kulturor.

Pyetje-përgjigje, biseda u bë një dialog i thellë ndërmjet studentëve e  Françeskut, që iu përgjigj së pari Nur Essa-s, siriane e ikur nga vendlindja dhe e ardhur në Romë nga Lesbo, së bashku me Papën, e cila natyrisht vuri theksin mbi emigracionet.

“Emigracionet nuk janë rrezik - u përgjigj Papa - E me këto fjalë deshi t’u përgjigjej edhe atyre, që thonë se duan ta mbrojnë identitetin e krishterë të Evropës. Evropa - sqaroi Ati i Shenjtë - u bë nga pushtimet, nga emigracionet e u bë artizanalisht, kështu! Emigracionet nuk janë rrezik, janë sfidë për t’u rritur, sfidë - ngulmoi Papa - që më pas shtoi: “Duhet menduar mirë problemi i emigrantëve, sot, që është fenomen kaq i fortë: të mendojmë Afrikën e Lindjen e Mesme në lidhje me Evropën. Të shprehesh qartë, ta thuash qartë atë, që po ndodh, nuk do të thotë të bësh politikë të njëanshme: “Atje ka luftë e ata ikin nga lufta; ka uri, e ikin nga uria. Po cila do të ishte rrugëzgjidhja ideale? Zgjidhja ideale do të ishte të merrte fund një herë e mirë lufta, të merrte fund uria. Të kishte paqe e të investohej në ato vende, sepse i kanë burimet për të punuar e për të fituar jetesën. Por është një kulturë, që i bën të vuajnë, të jenë njerëz të shfrytëzuar. Ne shkojmë atje pikërisht për të shfrytëzuar. Nuk duhen shfrytëzuar! Kanë uri, sepse nuk kanë punë, e nuk kanë punë, sepse ne shkuam t’i shfrytëzojmë!”.

Prandaj edhe ikin, bëhen emigrantë, për të shpëtuar. E për fat të keq, nuk shpëtojnë, sepse edhe këtu i pret shfrytëzimi, duke nisur nga shfrytëzuesit e gomoneve, nga ata që e shndërruan Mesdheun në një varrezë vigane: ‘Mare nostrum’ sot është varrezë. Ta mendojmë këtë, kur jemi vetëm, si të ishte lutje!

Pastaj, përgjigjja dhënë studentes romake Giulia Trifilio, që e pyeti si mund të veprohet për t’iu kundërvënë dhunës.

Ti, Giulia - sqaroi Papa – fole për veprimet e dhunshme, për dhunën. Është për t’u theksuar. Mjafton të mendojmë se tonaliteti me të cilin flitet sot, është  tepër i lartë. Sot bërtitet rrugës, këlthitet në shtëpi, madje përdoren edhe sharjet, që  shumëkujt i duken si gjë  normale. Ka dhunë edhe në mënyrën e të shprehurit, gjatë të folurit. Këtë pohoi Papa në bisedë me studentët e Universitetit Roma 3. Ky është realitet - vijoi - që e kemi të gjithë parasysh. Nëse ndodh diçka rrugës, ose ka ndonjë problem, në fillim dëgjohet një sharje, pastaj nis edhe pyetja çka e pse po ndodh. Edhe në qytetet tona dhuna ndjehet në ajër; edhe nxitimi, shpejtimi i ritmeve të jetës na bën të dhunshëm, deri në shtëpi, e nganjëherë harrojmë edhe t’i urojmë një ditë të mirë njëri-tjetrit. Mjaftohemi me ca përshëndetje anonime e vrap e jashtë.  Dhuna është proces, që na bën gjithnjë më shumë njerëz pa emër njëri për tjetrin. Ta shlyen emrin e marrëdhëniet tona bëhen anonime. Ti, që kalon para meje, je njeri, por unë të përshëndes si të ishte send. E kjo dhunë që kemi para vetes, rritet, rritet e rritet e bëhet dhunë botërore. Askush nuk mund ta mohojë sot se jemi në luftë. E kjo është Lufta III Botërore pjesë pjesë, por është. Duhet ulur pakëz toni, duhet folur më pak e duhet dëgjuar më shumë. Ka shumë ilaçe kundër dhunës, por ilaçi më i mirë është zemra, zemra, që di ta mirëpresë çka mendon tjetri. E, para se të diskutojmë, duhet të dialogojmë. Nëse ti mendon ndryshe nga unë, të dialogojmë.

Dialogu afron. E jo vetëm njerëzit, por edhe zemrat. Me dialog bën miqësi me tjerin. Këshu bëhet edhe miqësia shoqërore. Kur marr në dorë gazetën  e shikoj se njëri shan dikë tjetër, se ky i thotë atij që... në një shoqëri, ku politika ka rënë shumë poshtë, flas për shoqërinë botërore, jo tuajën. Kështu humbet kuptimi i ndërtimit shoqëror, i bashkëjetesës sociale, e bashkëjetesa bëhet duke dialoguar. Por që të dialogosh, më parë duhet të dëgjosh! Kjo bie shumë në sy gjatë fushatave elektorale, gjatë diskutimeve në televizor ku, pa e kryer mirë fjalën, të vjen përgjigjja. E po dale, prit të mbaroj, dëgjoje deri në fund fjalën time, pastaj mendoju e jep edhe përgjigjen! Duhet  të dëgjoj mirë një herë, e nëse nuk e kuptoj atë që do të thuash, mund të pyes: ç’deshe të thuash, se nuk e kuptova mirë? Duhet durim në dialog. E atje ku nuk ka dialog, ka dhunë. Kam folur shpesh për luftën: është e vërtetë, jemi në luftë. Po luftërat nuk nisin atje ku mendojmë ne, nisin në zemër, në zemrën tonë. Atje ku unë nuk jam i zoti t’ua hap zemrën të tjerëve, t’i respektoj të tjerët, t’u flas të tjerëve, të dialogoj me të tjerët, atje nis menjëherë lufta. Kur nuk ka dialog në shtëpi, për shembull, kur në vend që të flasim, bërtasim: bërtasim edhe kur jemi në sofër, ku në vend të bisedës, secili merret me telefoninin e vet. Flet, po, por me një tjetër. Kjo është fara e fillimit të luftës, sepse mungon dialogu. E kjo, besoj se është baza. E i thotë shumë universitetit: universiteti është universi, caku, ku mund të dialogohet, ku ka vend për të gjithë, ku njëri mendon në një mënyrë e tjetri, në një tjetër. Një universitet, ku vetëm sa shkoj në shkollë e vetëm sa dëgjoj profesorin a profesoreshëm e pastaj rikthehem në shtëpi, nuk është universitet. Universiteti duhet të ketë punën artizanale të dialogut, filigranën e dialogut. Leksionet duhet të dëgjohen, natyrisht, duhet thithur dija, që japin profesorët, por pa e harruar kurrë dialogun,  diskutimin - kjo është tejet e rëndësishme.  

Papa kujtoi edhe të rinjtë, që bënë masakrën në Zaventem:

“Ishin belgë, të lindur në Belgjikë. Bij emigrantësh, por të getizuar, jo të integruar. Ka disa vende të Evropës që japin shembull të mirë lidhur me integrimin. Për shembull, unë njoh, që nga koha e diktaturave ushtarake në Amerikën Latine, Suedinë: Suedia strehoi shumë emigrantë jugamerikanë, shumë. Por menjëherë, një ditë pas arritjes, kishin banesën e tyre, pastaj, punën e  pastaj, edhe gjuhën...Suedezët, për shembull, sot janë 9 milionë, por prej tyre 890 mijë janë suedezë të rinj, domethënë, emigrantë e bij emigrantësh të integruar. Ditën kur largohesha nga Suedi, në emër të qeverisë erdhi të më përshëndeste ministri... ishte grua, e bija e një gruaje suedeze dhe e një ati, që besoj se ishte nga Gaboni, ishte emigrant. Ministrja e shtetit! E pse? Sepse suedezët dinë ta bëjnë këtë! E edhe vende të tjera dinë ta bëjnë E kur e bëjnë këtë, kur strehojnë, shoqërojnë, integrojnë, nuk ka asnjë rrezik nga emigracionet. Merret një kulturë e ofrohet një tjetër. Kjo është edhe përgjigjja ime për frikën.

Pastaj Papa e përfundoi bisedën me fjalët: “Ju falënderoj. Por Universitet eh? Dialog në larmi, eh? E shumë faleminderit!”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.