2017-02-17 14:09:00

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, uron përvjetorin e pavarësisë


Kosova shënon sot 9-vjetorin e pavarësisë. Pas 9-të vjetësh, përmes deklaratës solemne të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të Prishtinës, Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, duke kurorëzuar ëndrrën dhe vullnetin e qytetarëve të vendit. 

Dje, natën e festës, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne me rastin e 9-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci tha se 9 vite më parë, pikërisht në sallën e Kuvendit përfundoi një ëndërr, për të filluar një ëndërr tjetër.

“Ka përfunduar një angazhim për të filluar një tjetër. Ka përfunduar puna për lirinë dhe shtetin e Kosovës, e ka filluar angazhimi për një Kosovë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për një Kosovë të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet e lirisë, të barazisë, të drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes. Për një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, në të cilën secili do të jetë i lirë të gjejë lumturinë e tij, pa u cenuar nga të tjerët dhe pa i cenuar të tjerët”, tha Thaçi.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përmendi të gjithë ata që me mundin e madje edhe gjakun e tyre, bënë mundur të arrihet deri te 17 Shkurti i 2008-s. “Në këtë përvjetor u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë shkrirë mendjen e kanë dhënë jetën, që Kosova sot të marrë frymë e lirë, sovrane, e pavarur dhe demokratike”, tha kryeministri Mustafa.

I ftuar nderi në ceremoninë solemne në Prishtinë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili duke dhënë urimin e tij tha se 17 Shkurti është një ditë e bekuar, dhe se Kosova po tregohet si shembull rrezatues i bashkëjetesës harmonike mes komuniteteve të ndryshme.

Në nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u kujtua edhe arkitekti, ideologu i pavarësisë, Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Edhe ipeshkvi katolik të Kosovës, imzot Dodë Gjergji, ishte dëshmitar e pjesëmarrës i ngjarjes historike të shpalljes së pavarësisë, para 9 vjetësh.  Në mikrofonin e Radio Vatikanit imzot Dodë Gjergji uron përvjetorin e pavarësisë dhe flet për sfidat e mëdha që ka sot vendi. Ai bën thirrje të tejkalohen interesat personale e partiake, të punohet për të mirën e përbashkët të të gjithëve, të ndërtohet një shoqëri me vlera autentike. Sipas ipeshkvit të Prishtinës, imzot Dodë Gjergjit, një kontribut i rëndësishëm për vendit, do të ishte edhe njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë, po ta dëgjojmë imzot Dodë  Gjergjin...








All the contents on this site are copyrighted ©.