2017-02-17 06:00:00

Europarlamenti drejt një fondi për financimin e abortit


Shqetësim për vendimin e Parlamentit Evropian, i cili ka miratuar një rezolutë, që i kërkon Bashkimit Evropian të përkrahë krijimin e një fondi ndërkombëtar për të financuar abortin. Njëkohësisht, Parlamenti shprehet kundër presidentit amerikan, Donald Trump, i cili u ka mohuar financimet organizatave, që praktikojnë ndërprerjen e shtatzanisë. Lëvizjet për Jetën, kudo në botë, protestuan kundër rezolutës, duke e quajtur atë “shkandull të vërtetë”. Të dëgjojmë presidentin e kësaj Lëvizjeje në Itali, Gian Luigi Gigli:

Fatkeqësisht, për këtë gjë flitej prej ditësh. Ne e patëm ngritur zërin edhe më parë. Propozimi danez, që u mbështet nga Hollanda, Belgjika, etj., parashikon që Evropa ta zëvendësojë me fondet e veta mungesën e fondeve për industrinë e abortit (“Planned parenthood”), e cila eksporton në të gjitha vendet në zhvillim atë, që quhet “paketa e shëndetit riprodhues”, pra, abortin, kontraceptivët dhe sterilizimin, në vend që të çojë ushqim, punë e zhvillim shoqëror. Kjo është politikë e ndërmarrë prej kohësh nga Kombet e Bashkuara dhe është përkrahur fuqishëm nga kandidatja amerikane për presidente, Klinton, e cila ka qenë financuese e bindur e këtyre politikave për kontrollin e lindjeve në vendet në zhvillim. Tani, kjo politikë hasi vështirësi, për shkak të shkurtimit të fondeve nga presidenti aktual Trump. Do të ishte skandaloze nëse Evropa, duke u fshehur pas qëllimit të mirë – sepse fusin në të njëjtin thes çdo gjë, nga lufta kundër dhunës ndaj grave tek mundësitë e barabarta për punë, etj. – ta shpërndajë këtë mollë të helmatisur të të ashtuquajturit “shëndet riprodhues” në vendet në zhvillim. Tani për tani, kjo bëhet vetëm vullnetarisht. Hollanda, për shembull, ka dhënë tashmë 20 milion euro e çdo vend është i lirë të bëjë si të dojë, por nëse kjo kthehet në politikë të Bashkimit Evropian, duhet të mendohemi mirë për arsyet, që na mbajnë të lidhur në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.