2017-02-16 14:39:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: paqja


Në Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Efesianëve thuhet: “Krishti është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d.m.th. armiqësinë” (2,14). Të dashur dëgjues sot do të flasim për kuptimin e krishterë të fjalës “paqe”. Siç ju thamë, edhe Papa Françesku e përqendroi mbi këtë koncept homelinë e tij të meshës së sotme, duke bërë thirrje për fundin e luftrave, por edhe duke nënvizuar se paqja nuk është thjesht mungesë lufte.  

Po shën Pali Apostull u shkruante të krishterëve të Romës: “Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt” (Rom 14,17). Fatkeqësisht, historia e njerëzimit rigohet vazhdimisht me gjakun e luftrave e të dhunës dhe Bibla, e cila është zbulimi i Zotit në histori e mbi historinë, nuk mund të mos jetë plot me beteja e padrejtësi: mëse 600 pasazhe evokojnë luftra e vrasje e 1000 përshkruajnë gjykimin e Zotit për të këqiat e bëra nga njerëzimi. E megjithatë plani hyjnor, që përshkruhet në kapitullin 2 të Zanafillës, përfshinte një harmoni të trifishtë e të përsosur të njeriut me Zotin, me natyrën e me të afërmin e vet (pra me gruan).

Madje, horizonti drejt të cilit shkon krejt rruga e historisë, sipas Biblës, është paqja mesianike, në hebraisht “shalom”, në greqisht “eiréne”. Në Talmud, teksti i shenjtë i traditës hebraike, lexohet se “paqja është për botën, si tharmi për brumin”. Fjala “shalom” është me shumë kuptime, pasi rrënja e saj presupozon diçka të plotësuar, të përsosur e, atëherë, paqja biblike përmban në vetvete jo vetëm mungesën e luftës, por edhe mirëqënien, begatinë, drejtësinë, gëzimin, plotësinë e jetës. Siç thuhet në Psalmin 85, “drejtësia e paqja do të puthen” (rr.11), e filozofi i njohur hebre hollandez, Baruk Spinoza pohonte me të drejtë se “paqja nuk është vetëm mungesa e luftës, është një virtyt, një gjendje e shpirtit, që na predispozon ndaj mirësisë, besimit, drejtësisë”.

Në këtë kuptim, mbetet emblematike shpallja e Lindjes së Krishtit nga engjëlli: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” (Lk 2,14). Toka e qielli bashkohen me një dashuri të harmonishme, siç pati thënë profeti Isaija në atë afresk të mrekullueshëm, ku përshkruan kafshët armike që paqtohen me arritjen e mbretit/Emanuelit mesianik (11,6-8). Vullneti i Fjalës së Zotit është në fakt, që të gjithë popujt “shpatat e veta t’i kthejnë në plore e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë” (Is 2,4). Mbreti mesianik është i pari që zhduk karrocat e luftës e kavalerinë e saj, thyen harkun e shigjetat dhe “u shpall paqen të gjithë njerëzve” (Zk 9,10).

Lind kështu përfytyrimi i paqes universale, që Besëlidhja e Re e ekzalton në Krishtin “paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d.m.th. armiqësinë… me qëllim që prej dyve të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin…duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat” (Ef 2,14-17). Pra, Krishti është ai që hedh poshtë ndarjet, të cilat janë veç burim urrejtjesh e konfliktesh. Me të vërtetë, në Predikimin e mbajtur ne Mal, Jezusi nuk heziton t’i ftojë dishepujt “ të duan armiqtë e të luten për persekutuesit” (Mt 5,43-45).

Kjo është rruga përmes së cilës Kisha është bërë shenjë bashkimi e paqeje ndërmjet popujve, ashtu siç duket në skenën e Rrëshajve, ku në të gjitha kulturat e gjuhët zhduket ndarja e Kullës së Babelit (Ak 2; Zn 11). E njëjta gjë përvijohet edhe për qëllimin e fundmë të historisë njerëzore, kur “një turmë e panumërueshme… prej çdo kombi, çdo fisi, populli e gjuhe” do të shpallë me zë të lartë himnin e shpëtimit (Zb 7) e të gjithë më në fund do të dëgjojnë “atë që thotë Zoti: Ai flet për paqen” (Ps 85,9).








All the contents on this site are copyrighted ©.