2017-02-16 13:54:00

Papa viziton të dielën famullinë e shën Maria Jozefa në Castelverde di Lunghezza, në Romë.


Të dielën më 19 shkurt, Papa Françesku do të shkojë në lagjen romake Ponte di Nona, për t’u takuar me komunitetin e famullisë kishtare të Shën Maria Jozefa e Zemrës së Jezusit, në sheshin me të njëjtin emër, në Castelverde di Lunghezza. Papa Bergoglio do të pritet nga Vikari papnor për dioqezën e Romës, kardinali Agostino Vallini, ipeshkvi ndihmës i sektorit lindor, imzot Giuseppe Marcianbate, famullitari don Francesco Rondinelli, vikari i famullisë don Luca Bazzari e shumë meshtarë tjerë të prefekturës së XVIII të dioqezës së Romës.

Është e trembëdhjeta vizitë e Papës  Françesku në një famulli kishtare të dioqezës së Romës, e dyta  brenda pak më shumë se një muaj: më 15 janarin e kaluar, pati vizituar famullinë kishtar të Shën Marisë në Setteville, në Guidonia.

Programi i vizitës së kësaj të diele, parashikon, menjëherë pas arritjes së Atit të Shenjtë Françeskut, një takim me fëmijët dhe të rinjtë e katekizmit e me një grup të rinjsh, në teatrin e famullisë. Pastaj do të jetë takimi i Papës me të sëmurët, këndej me familjet dhe veprimtarët e qendrës së Karitasit kishtar, që kujdesët për mase 200 familje të varfëra të zonës.

Shën Gjon Pali II e pati vizituar këtë komunitet kishtar më 16 dhjetor të vitit 2001, e me atë rast pati kremtuar Meshën e dhuruar famullisë “Krishtin e kryqëzuar”, një pikturë në pëlhurë me “La Pietà,”që sot është vendosur mbi altar. Kisha famullitare që do të vizitohet nga Papa është një Kishë e re, përuruar më 2 tetor 1989, dhe i kushtohet  shën Maria Josefa Sancho de Guerra, themelueses së Kongregatës së Shërbëtoreve të Jezusit të Dashurisë, kanonizuar më një tetor të vitit 2000.








All the contents on this site are copyrighted ©.