2017-02-15 19:23:00

Tabgha, rihapet kisha. Benediktinët: të mos pranohet kurrë urrejtja


U kremtua me një ceremoni ndërkonfesionale dhe një meshë, rihapja, të dielën e kaluar, e Kishës së Shumëzimit të bukëve dhe të peshqve, në Tabgha. Ndërtesa kishte mbetur e mbyllur për gati 20 muaj, pas një zjarri   vënë nga ekstremistët hebraikë, në qershor 2015, nga urrejtja kundër kristianizmit.

U deshën njëzet muaj mbylljeje e njëzet të tjera restaurimi, për t’ia rikthyer kishën kultit të besimtarëve. Benediktini, atë Mathias Karl, rektor i kishës së Tabgha, duke hapur ndërtesën e rindërtuar, theksoi me hidhërim:

“Kjo urrejtje vijon, këto veprimtari antikristiane vijojnë, në gjëra të vogla, por edhe të mëdha. Vijojnë të shkatërrohen makinat e manastireve, mbi muret e tyre duken shkrime të papranueshme kundër Jezusit, Marisë, të krishterëve në përgjithësi. Ka fundamentalistë në bashkësitë e hebrenjve. Vërtet janë pak, por kjo pakicë është gjithnjë problematike. Në të gjitha fetë gjinden pakica, që krijojnë probleme, punojnë - themi ne - kundër vetë fesë së tyre; nuk i lexojnë Urdhërimet e Tënzot, sepse feja hebraike nuk u krijon mundësi të veprojnë kundër të krishterëve. Po janë fundamentalistët, ekstremistët, që e duan tokën e Izraelit vetëm për vete e për askënd tjetër. Nuk kanë pikën e respektit për ata, që nuk janë hebrenj”.

Rreth një milion dollarë, shpenzimet për rindërtimin, shumë në të cilën kontribuoi edhe qeveria izraelite  si dhe gupet e hebrenjve të moderuar. E një shenjë e rëndësishme nga ana autoriteteve izraelite, ishte edhe prania  e presidentit Reuven Rivkin në ceremoninë e hapjes:

“Për ne ishte shenjë e bukur – vijon atë Mathias -  Erdhi të na vizitojë për herë të, dytë: herën parë pasi u dogj kisha, pastaj në ceremoninë e bekimit. Erdhi me bashkëshorten, për të treguar se ishte jo vetëm akt zyrtar, por edhe se kishte rëndësi personale për të. E kjo shenjë që na dha, u tregoi të gjithëve se urrejtja nuk duhet pranuar kurrë e nga askush. U tregoi edhe hebrenjve, që kryejnë veprime antikristiane, se Shteti nuk i miraton sjellje të tilla. E ne besojmë se ky akt do të ketë pasoja pozitive për sigurinë e për një ardhmëri më të mirë në Tokën Shenjte”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.