2017-02-15 14:49:00

Papa: qeveritë ta favorizojnë pjesëmarrjen e plotë të popujve vendas


Qeveritë ta favorizojnë pjesëmarrjen e plotë të popujve vendas. E kërkoi këtë Papa i cili sot, para audiencës së përgjithshme, në Sallën e vogël, pranë asaj të Palit VI, u drejtoi fjalën në gjuhën spanjolle, rreth 40 përfaqësuesve të popujve vendas, në përfundim të Forumit të Tretë, kushtuar atyre. Takimi, që përfundoi në Romë të hënën e kaluar, u organizua nga Ifad, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor, i cili sivjet kremton 40-vjetorin e themelimit.

Françesku i përshëndeti në Sallën e vogël 40 mysafirët e pranishëm, përfaqësues të 30 popujve vendas, domethënë, të 370 milionë banorëve. Banorë, që jetojnë në 90 vende të ndryshme të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine, që përbëjnë 5% të popullsisë botërore, e, njëkohësisht, edhe 15% të varfërisë globale.

Për bashkëpunimin ndërmjet qeverive e popujve vendas, duhet e drejta e miratimit paraprak

Fjalimi i Papës u nis nga çështja kryesore e diskutuar në Forumin e Tretë: si të kombinohet e drejta për zhvillim, me mbrojtjen e karakteristikave të popullsive autoktone e të trojeve të tyre, posaçërisht kur bëhet fjalë për veprimtari ekonomike, që mund të ndërthuren me kulturat vendase. Për Papën, duhet të ketë gjithnjë epërsi e drejta për informim dhe miratim paraparak, siç e parashikon neni i 32-të i Deklaratës mbi të drejtat e popujve vendas:

“Sólo así se puede garantizar una cooperación pacífica …

“Vetëm kështu është e mundur të sigurohet bashkëpunimi paqësor ndërmjet autoriteteve qeveritare dhe popujve vendas, duke kapërcyer kundërshtimet e konfliktet”.

Të vlerësohet e të favorizohet pjesëmarrja e plotë

Por, përtej miratimit paraprak, është edhe një aspekt tjetër, që Papa e ka shumë për zemër: ai i pjesëmarrjes së plotë, domethënë, i përfshirjes, e jo vetëm i përfilljes. Në hartimin e projekteve e të vijave udhëheqëse, duhet pasur mirë parasysh që të përfshihet edhe identiteti i popujve vendas, me vëmendje të posaçme për gratë e të rinjtë:

“Esto implica que los gobiernos reconozcan que las comunidades indígenas …

Kjo do të thotë që qeveritë të pranojnë se Bashkësitë autoktone janë pjesë përbërëse e popullsisë e se duhen vlerësuar, përfillur e duhet të marrin pjesë plotësisht në jetën e vendit, në nivel lokal e kombëtar”.

Për ta realizuar këtë road map të nevojshme, mund të japë ndihmesën e vet Ifad, me financimet e kompetencat e veta sepse “zhvillimi teknologjik dhe ekonomik, që nuk lë pas një cilësi jete më të lartë e më të gjithanshme, përfundoi Papa, duke cituar “Lëvduar qofsh”, nuk mund të konsiderohet progres”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.