2017-02-15 18:51:00

Irak: kthimi i familjeve të para në Mosul


Në lagjet lindore të Mosulit, që pak ditë më parë iu hoqën duarsh milicive të Shtetit të vetëshpallur Islamik (Daesh), po kthehen familjet e para të krishtera. Sipas njoftimit të kanalit ankawa.com - rimarrë nga agjencia Fides - së paku tri familje armene tashmë jetojnë në shtëpitë e tyre, në zonat urbane të sapoçliruara nga xhihadistët, pa marrë parasysh  gjendjen e përgjithshme të pasigurisë, që vijon të peshojë rëndë mbi gjithë qytetin. Në ditët e kaluara, në zonat qytetare që nuk janë më nën kontrollin xhihadist, pati edhe atentate, që shkaktuan vdekjen e më se 9 civilëve.

Të krishterët ikën nga Mosuli në qershor 2014

Xhihadistët e Daesh e patën pushtuar Mosulin më 9 qershor 2014. Në javët e mëpasme, të gjithë të krishterët e pranishëm në qytet i braktisën shtëpitë e veta - shumë nga të cilat u shpronësuan menjëherë nga xhihadistët - duke kërkuar strehë si refugjatë, një herë në fshatrat e Rrafshit të Ninives ose në Kirkuk, e pastaj sidomos në Erbil e në fshatrat e Kurdistanit irakian.

Xhihadistët e Daeshit i dëbuan të krishterët e fundmë  të moshuar më 2015

10 pleqtë e fundit, të larguar nga fshatrat e Rrafshit të Ninives e të zhvendosur në Mosul, në gjysmën e vitit 2014, u dëbuan nga milicët xhihadistë më 7 janar 2015, pasi nuk pranuan të ndërrojnë fenë. Grupi i pleqve - disa nga të cilët me probleme të rënda shëndetësore - u strehua në Kirkuk, pasi kaloi dy ditë të akullta në “tokën e askujt”, ndërmjet fshatrave të pushtuara nga milicitë e Shtetit të vetëshpallur Islamik e zonës nën kontrollin e peshmergave kurdë.








All the contents on this site are copyrighted ©.