2017-02-15 14:59:00

Emergjencat shoqërore dhe biotestamenti në takimin Itali-Seli e Shenjtë


Emergjencat shoqërore, ndër temat e takimit të djeshëm ndërmjet Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin dhe presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me rastin e përvjetorit të Pakteve Lateranense. I pranishëm edhe kryeministri italian, Paolo Gentiloni.  

         U fol për punësimin e të rinjve, për emigracionin, për tema që e shqetësojnë politikën aktuale, si biotestamenti, i cili po diskutohet aktualisht në parlamentin italian. Të dëgjojmë kardinalin Parolin:

         “Ne shqetësohemi për reduktimin e problematikave, që kanë të bëjnë me vetëvendosjen e personit, ndërsa duhet të krijohen më shumë mundësi , për shembull, për dialogun ndërmjet mjekut dhe pacientit”.

         U fol edhe për rolin e Bashkimit Evropian, për qëndrimin ndaj emigracionit dhe për populizmin në rritje. Gjithnjë kardinali Parolin:

         “Mbyllja nuk është kurrë politikë e mirë, apo jo? Prandaj, kjo paaftësi për të pritur dhe integruar, mund të jetë e rrezikshme. Këtë na mëson historia. Të paktën, të përpiqemi që historia të mos përsëritet në aspektet e saj më negative”.

         Italia ka një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pasi që nga 1 janari ka në dorë presidencën e G7-ës, është anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryesinë e të cilit do ta marrë në nëntor dhe do të kremtojë 60 vjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës, me të cilat u themelua Bashkimi Ekonomik Evropian, më 25 mars 1957. Për këtë, kardinali Parolin i kërkoi Italisë të impenjohet në mbrojtjen e të krishterëve të persekutuar e në përgjithësi, të pakicave etnike e fetare në botë. Nga ana e tij, presidenti italian Mattarella falenderoi Papën për afërsinë e tij me të dëmtuarit nga tërmeti në Italinë Qendrore.








All the contents on this site are copyrighted ©.