2017-02-13 16:13:00

Logoja e udhëtimit të Papës në Fatima më 12 e 13 maj


U bë e njohur logoja e udhëtimit të Papës Françesku në Fatima të Portugalisë, më 12 e 13 majin e ardhshëm. Rektori i shenjtores së Zojës, atë Carlos Cabecinhas, nënvizon se në të paqyrohet, me thjeshtësi dhe qartësi, ç’e karakterizon Atin e Shenjtë.

Në imazhin, e vizatuar nga Francisco Provvidenza, paraqitet një zemër e formuar me kokrrat e rruzares, e cila ka në majë kryqin. Brenda saj, shkruhet “Papa Françesku – Fatima 2017”, ndërsa poshtë, motoja e vizitës papnore: “Me Marinë, shtegtar i shpresës dhe i paqes”. Në pjesën fundore, emblema e kremtimeve për 100-vjetorin e dukjes së Zojës në këtë vend, nga ku i kërkoi gjithë botës të lutet vazhdimisht e ta kërkojë fenë përmes Rruzares Shenjte.

Në manifestet e varura në Fatima, logoja shoqërohet me një fotografi të Papës Françesku, në të cilën ai buzëqesh dhe përshëndet me dorën e majtë. “Jemi përpjekur të vlerësojmë afërsinë fizike dhe miqësore të Papës, i cili, duke buzëqeshur, bën me dorë gjestin e përshëndetjes e të bekimit”, shpjegon autori i logos, Francisco Provvidenza.








All the contents on this site are copyrighted ©.