2017-02-12 13:25:00

Papa Kristo Negovani në 112 vjetorin e therorisë


Sa herë e zëmë në gojë emrin e Papa Kristo Negovanit (1875 - 12 shkurt 1905), na vjen menjëherë në mendje njeriu, që mbeti në kujtesën e kombit me pamjen e shqiponjës mbi flamurin kombëtar! Martiri dhe prijësi shpirtëror i Shqipërisë, përkrah të cilit, pas 20 vjetësh, u rreshtua martiri tjetër i madh i Veriut, Atë Shtjefën Gjeçovi.

E kujtojmë sot, në përvjetorin e martirizimit (12 shkurt 1905), së pari në Negovanin e Follorinës, ku lindi më 1875. E ndjekim pas në  Athinë, ku kreu shkollën.

Më 1891 e gjejmë në Braila të Rumanisë, ku punoi si marangoz e ku e lidhi përgjithnjë emrin e tij me lëvizjen, që njihet si Rilindja jonë Kombëtare.

Më 1897 e gjejmë në fshatin e lindjes: prift e mësues. Dy detyra që, në historinë e kombit shqiptar, u lidhën tejet shpesh, në Jug e Veri, me  dritën e Zotit e të mendjes. Mësuesi i katundit u bë njëkohësisht pararendës, frymëzues dhe krijues i Kishës së mëvonshme Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Ditën mësuesin e gjejmë në shkollë - e popin, në Kishë. Duke mësuar shqip, e duke meshuar shqip, gjë që e çoi në rrugën e martirizimit. Në rrethanat kur Patriarkana greke bënte çmos ta greqizonte Shqipërinë.

Ndërsa natën e gjejmë duke shkruar, gjithnjë shqip, për të përhapur atë dritë, për të cilën Naimi shkruante: “Dhe drit' e diturisë, përpara do na shpjerë. Përpara drejt lirisë!”: manifest me vlera aktuale, kur kjo dritë nuk e ka më shkëlqimin e kohëve të rilindjes së Kombit.

Më 1905, kur e masakruan, Papa Kristua ishte autor i një mori veprash. Kujtojmë:

Istori e dhiatësë vietërë, Bukuresht 1899 ;

Vjershë shkresëtoreja, Sofje 1899 ; vjersha Prisheja e Hormovësë , Sofje 1903 ; një përmbledhje vjershash me 78 faqe ;

Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë) ; - libri me 122 faqe dhe një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, Selanik 1909, botuar pas vdekjes ;

Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ndonëse nuk dallohen për ndonjë vlerë të veçantë artistike, shkrimet e mëposhtme paraqesin interes gjuhësor e historik:

Vjershëshkresëtoreja (1899 - vargje);

I drunjti Kryq (1906 - vargje vepra në dy pjesë) - Sofje 1906 ;

Prishja e Hormovës (1904- vjershë lirike) 

I vogëli Donat Argjendi (1908- novelë për fëmijë) - Sofje 1904 .

 Prifti vijoi ta përdorë shqipen në Kishë: më parë e këndonte shqip vetëm Ungjillin, pastaj, tërë Meshën. Kështu Kisha dhe shtëpia e tij u bënë çerdhe kombëtare. Në Kishë merrej kungata e Krishtit, në shtëpi, kungata e Kombit.

Ndërkaq, më 12 shkurt 1905, e  shikojmë të martirizuar, së bashku me pesë të tjerë.

“Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët” – e pati kërcënuar Mitropoliti i Kosturit, duke dalë, një ditë të acartë shkurti, i tërbuar, nga Kisha ku Papa Kristua meshonte shqip. Pas dy ditësh fshati u rrethua nga banditët, që e copëtuan me sopata. Të ishte dorë e një njeriu të Kishës, kjo, që rëndoi kaq tmerrshëm mbi jetën e një kleriku tjetër? Në ndeshjen për jetë a vdekje të interesave, që kishin të bënin me vetë mbijetesën e Kombit shqiptar e të gjuhës shqipe, tipar dallues i çdo kombi? E dëshmon ngjarja tragjike e dimrit të acartë të vitit 1905, kur Papa Kristua i martirizuar, me rason e zezë, mbi borën e skuqur krejt nga gjaku, dukej si shqiponja në fushën e Flamurit. Kështu mbeti në kujtesën e kombit Papa Kristo Harallambi, atdhetar, klerik, mësues, shkrimtar  e “flamur shqiptar”!

Kalendari Kombiar i vitit 1907, fq 111, e përshkruan kështu këtë fund:

“... Papa Kristonë e vranë,

Dhe s’ra për ‘të një këmbanë!...”.

Ndërsa zemra e Kombit e vajtoi me dënesë:

“... E gjithku në Shqipëri

Mbajën e rinë në zi;

Cilido si për një bir

Çë la jetën me pahir...

Jo te sheshi i burërisë

Po te prita e kusërisë!”

La jetën, e edhe porosinë e shkruar me gjak: “Shkronjat e bëjnë Kombin të quhet komb. Po të mos kemi shkronjat shqip, dituria e kombeve të tjera do të na mbysë, nuk do të dëgjohen më fjala shqiptar e shqip!”

Papa Kristo Negovani: “Lypësi”

Për veç një tjatër’ afronet

fort i vobegët’e i flet,

me reçka veshur, pjestonet

bukë të thatë një thel’ i jep!

1 Këlthet- bërtet; 2 rrëmet- shumë (të bardhë); 3 me të reftë - me të rrebët








All the contents on this site are copyrighted ©.