2017-02-12 12:30:00

Engjëlli i Tënzot: "Nuk kam ardhur të mohoj Ligjin"


Si zakonisht, në mesditë, Papa Françesku tha Lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Zoti ia lë njeriut të zgjedhë ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet bindjes, ose refuzimit të Fjalës së Tij. Leximet e kësaj së diele, nënvizoi Ati i Shenjtë, na ftojnë të privilegjojmë të mirën.

Ka një mënyrë të re për t’i respektuar normat e Ligjit, komentoi Papa Ungjillin sipas Mateut, ku Jezusi nënvizon se nuk ka ardhur t’i ftojë njerëzit për të mos respektuar Ligjin e Moisiut e profetët. Kjo mënyrë e re u përurua nga Krishti me Pashkët e veta. Njeriu nuk e ndjek më Ligjin vetëm si normë në vetvete, por e jeton atë për të qenë vërtet i lirë. Liria është pasuria më e çmuar, që Zoti i ka dhuruar njerëzimit. Por, për të qenë të lirë duhet flijuar diçka. Krishti na tregon një sekret për ta fituar më lehtë lirinë: të shkojmë drejt vëllait në nevojë.

Nëse do të dimë ta shohim praninë e Zotit tek të tjerët, siç na mëson sot Krishti në Ungjill, Ligji nuk do të jetë më barrë e rëndë, por busull, që na orienton në jetë. Nëse e kuptojmë se shpëtimi ynë lidhet me të mirat që u bëjmë të tjerëve, atëherë e kemi fituar vërtet atë urti, që askush s’mund të na e marrë më. Zoti deshi që shëlbimi i njërit të kalojë përmes shëlbimit të tjetrit. Leximi i parë i sotëm nga Libri i Siracidit pohon se respektimi i urdhërimeve hyjnore është jetë për njeriun. Edhe shën Pali Apostull, në Leximin e dytë nga Letra e parë drejtuar Korintianëve, flet për urtinë njerëzore, e cila është jashtëzakonisht larg nga urtia hyjnore, që na zbulohet vetëm falë Shpirtit Shenjt.








All the contents on this site are copyrighted ©.