2017-02-10 14:31:00

Papa: shëndeti është e drejtë, jo vetëm punë parash


Papa Françesku  priti  pjesëmarrësit e Takimit, organizuar nga Komisioni i Bamirësisë e i Shëndetit pranë Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Në fillim të fjalimit, falënderoi kardinalin Montenegro, ipeshkvijtë e pranishëm, Konsultën Kombëtare, Drejtorët e zyrave dioqezane dhe bashkëpunëtorët e tyre, ardhur me rastin e 25-vjetorit të Ditës Botërore të të Sëmurit dhe të 20-vjetorit të Zyrës Kombëtare për baritorinë e shëndetit.

Papa falënderoi Zotin për udhën e përshkuar në këtë kohë lidhur me mjekimin e gjithanshëm të të sëmurëve. E edhe për bujarinë e shumë burrave e grave, që iu përgjgjen ftesës së Jezusit për ta vizituar në të sëmurët (krh Mt 25-36). Ishin vite të ngarkuara me ndryshme të mëdha  shoqërore e kulturore - kujtoi - që sollën një të sotme plot dritë e hije. Papa vijoi të fliste për kërkimet shkencore, që kanë përparuar aq, sa të shërojnë disa nga sëmundjet deri dje të pashërueshme; për punjonjësit e shëndetësisë,  që e jetojnë punën si mision,  duke prekur çdo ditë  korpin e vuajtur të Krishtit. E këtë Papa e quajti nder i madh e përgjegjësi e madhe, Pa harruar edhe vullnetarët, që ua bëjnë të lehta të sëmurëve, ditët e rënda të vuajtjes, posaçërisht kur janë të moshuar, të vetmuar, të varfër.

Më tej, duke folur lirisht, lavdëroi punën e vullnetarëve në Itali, të cilën e konsideroi vepër të famullitarëve, që ditën të luftojnë me të gjitha forcat në këtë fushë:

“Njëherësh me dritat, ndërkaq, vërehen edhe hije, që krijojnë rrezikun e rëndimit të përvojës së vëllezërve e motrave tona të sëmura. Nëse ka një  sektor, në të cilin kultura e hedhurinës i bën dhimbshëm të dukshme pasojat e saj, është pikërisht ai shëndetësor”.

E akoma:

“Kur i sëmuri nuk vihet në qendër të vëmendjes e nuk merret fare parasysh dinjiteti i tij, krijohen sjellje, që mund të spekulojnë deri me fatkeqësitë e të tjerëve. E kjo është shumë e rëndë!”.

Duhet, prandaj, të jeni vigjilentë - i porositi të pranishmit Papa - posaçërisht kur të sëmurët janë të moshuar, duke kujtuar, më pas, sëmundjet e shumta, që i prekin të motnuarit e duke theksuar se modeli i ndërrmarrjes në fushën shëndetësore, nëse përshtatet në mënyrë të parregullt, krijon rrezikun të prodhojë hedhurina njerëzore. T’i përmirësosh burimet, do të thotë t’i përdorësh në mënyrë etike e solidare, e jo t’i dënosh më të ligshtit:

“Në vendin e parë është dinjiteti i çdo njeriu, që nga çasti i zënies, deri në frymën e fundit” – ritheksoi me forcë Papa në këtë takim, që ka të bëjë me një nga gjërat më serioze: me mbrojtjen e të drejatev të njerëzve më të ligshtë.

E duke kujtuar një nga qëllimet kryesore, që pati Shën Gjon Pali II kur themeloi Ditën Botërore të të Sëmurit, përveç promovimit të kulturës së jetës, ishte edhe angazhimi i dioqezeve, bashkësive të krishtera, familjeve rregulltare në baritorinë e shëndetit, sidomos në shërbim të njerëzve të sëmurë, që jetojnë në shtëpi, gjithnjë më të vetmuar.  








All the contents on this site are copyrighted ©.