2017-02-10 11:50:00

Papa: në tundim nuk dialogohet, lutet Zoti


Në ligështinë e tundimeve, që i kemi të gjithë, hiri i Jezusit na ndihmon të mos fshihemi nga Zoti, por t’i lypim ndjesë për t’u ngritur përsëri në këmbë e për të ecur përpara. Kështu u shpreh Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke reflektuar mbi djallin, që i tundoi si Adamin e Evën, ashtu edhe Jezusin. Por - kujtoi Papa - me shejtanin nuk dialogohet, sepse përfundon në mëkat e në vdekje.

Djalli  të  mashtron  me dialog

Tundimet të shtyjnë të fshihesh nga Zoti, të ndryhesh në fajin tënd, në  mëkatin tënd, në vdekjen tënde. Duke u nisur nga Leximi I i sotëm, shkëputur nga Libri i Zanafillës, Papa Françesku u ndalua tek tundimi i Adamit dhe i Evës në kopshtin e Edenit, pastaj, edhe tek tundimi i Jezusit  në shkretëtirë. Djalli duket në formë gjarpëri: është tërheqës e, me dinakërinë e tij, përpiqet t’i mashtrojë njerëzit e parë. Është mjeshtër i vërtetë i mashtrimit e  babai i rrenës. Në këtë fushë nuk ia kalon kush! E di mirëfilli si t’i gënjejë e si t’i shfrytëzojë njerëzit. Ia nis, së pari me Evën: e bën gruan të ndjehet mirë, e më pas ia fillon edhe bisedës. Hyn në dialog me të e, hap pas hapi, shejtani e çon atje, ku do vetë. Me Jezusin ndodhë ndryshe, ojnat e djallit përfundojnë keq – kujtoi Françesku. - Djalli bën çmos të hapë bisedë edhe me Krishtin, duke përdorur edhe me Të dialogun. Sepse kur djalli e rrethon ndonjërin, e bën këtë me dialog, duke u përpjekur ta mashtrojë. Por me Jezusin nuk e ka aspak të lehtë. Zoti i bën ballë mashtrimit. Atëhere djalli e zbulon fytyrën e tij të vërtetë, por Jezusi i jep një përgjigje, që nuk është e Tij. Përgjigjja e Jezusit është Fjala e Zotit, sepse me djallin nuk mund të dialogosh, nëse nuk do të përfundosh si Adami e Eva: “lakuriq”:

“Djalli paguan keq! Si prijës i mashtruesve, që është! Të premton të ta shtrojë nën këmbë botën mbarë e të lë picak! Edhe Jezusi përfundoi lakuriq, por mbi Kryq, për t’iu shtruar vullnetit të Atit. Udhë tjetër, kjo. Gjarpëri, djalli, është dinak: nuk mund të dialogohet me djallin. Të gjithë ne e dimë ç’do të thotë të tundohesh, e dimë ç’ është tundimi. Të gjithë, sepse të gjithë tundohemi. Kemi tundime të shumta: tundimin e kotësisë, të fodullëkut, të lakmisë, të koprracisë…. Kemi shumë… shumë…”.

Korrupsioni nis pak nga pak

Sot - shtoi Papa - flitet vazhdimisht për korrupsion. Edhe për këtë duhet t’i kërkojmë ndihmë Zotit:

“Shumë të korruptuar, shumë peshq të mëdhenj të korruptuar, që ka në botë, jetën e të cilëve e njohim nga gazetat: ndoshta ia nisën me ndonjë gjë të vogël, nuk e di,  me ndonjë lojë të leverdisshme në kandar, duke  e peshuar 900 gramshin si kilogram. Me pak nis korrupsioni, e edhe ky, me dialog: ‘Po jo, jo, nuk është e vërtetë se të bën keq ky fryt! Haje, është i mirë!’. E ti ia nis ta hash pak e nga pak e askush nuk kujtohet. Haje! Haje, pra - vijon të të ngacmojë djalli - e ti, pak nga pak, pa e ndjerë fare, bie në mëkat, bie në korrupsion.

Në tundim nuk dialogohet, lutet Zoti

Kisha na mëson, kështu, të mos jemi foshnjarakë, për të mos thënë fare budallenj - reflektoi Papa - përkundrazi, duhet t’i bëjmë sytë katër e t’i lypim ndihmë Zotit, sepse vetëm nuk mund të bëjmë asgjë. Adami e Eva fshihen nga Zoti: ndërsa duhet hiri i Krishtit, për t’u kthyer e për të lypur falje:

“Në tundim nuk dialogohet, lutet Zoti: ‘Ndihmë, o Zoti im, jam njeri i ligshtë. Nuk dua të fshihem nga Ti’. Ky është guxim, kjo do të thotë të fitosh. Kur ti nis të dialogosh, ta dish se do të përfundosh i mundur, i shpartalluar. Zoti na dhashtë Hirin e na shoqëroftë  në guximin tonë, e nëse do të biem në tundim për shkak të ligështisë sonë, na dhashtë guximin të ngrihemi përsëri në këmbë e të shkojmë përpara. Për këtë erdhi Jezusi, pikërisht për këtë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.