2017-02-10 13:05:00

Ermal Meta fiton në San Remo


Një tjetër artist shqiptar ngjitet në skenën e San Remos. Është Ermal Meta, i cili  këndoi mbrëmë këngën “Amara terra mia” të  Domenico Modugnos. Ishte nata kur këngëtarët këndonin këngët e të tjerëve, po ai, që vjet pati kënduar një këngë me titullin simbolik ”I urrej përrallat”, e bëri këngën e huaj krejt të vetën. Në Sallën e madhe të teatrit Ariston drithma e shpirtit të artistit shqiptar pushtoi shpirtrat e shikuesve duke iu imponuar sallës e, më tej, një publiku të shumtë e të panjohur, që nuk e ndjeu më mes tij e vetes murin prej qelqi të ekranit, por hyri drejt e në shpirtin e këngës e të këngëtarit. Shpirt, që hyn në shpirt, me teksin, tingujt, mjeshtërinë... Melodi, në të cilën shkrihet e gjithë vetvetja, për të tjerët - ky ishte mbrëmë Ermal Meta, këngëtari shqiptar, që na pushtoi të gjithëve në një mënyrë të pashprehshme me fjalë. Por vetëm me këngën e tij.

“Toka ime e hidhur”-– “I urrej përrallat”- dy tituj që duken si të stisur enkas për t’i prekur në mënyrë të posaçme zemrat e mërgimtarëve shqiptarë, ndonjë prej të cilëve edhe në sallën e Aristonit, por shumica, krejt të hidhëruar, larg sallës e larg Atdheut, prej nga dëgjojnë vetëm përralla.  Por që nuk e harrojnë edhe këngën tjetër të Ermalit, me titull “Është e ndaluar të vdesësh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.