2017-02-09 15:43:00

Papa: edukimi katolik ofron horizonte të hapura drejt transhendencës


“Shkollat dhe universitetet katolike janë në shërbim të zhvillimit të njerëzimit, në dialog e shpresë”: e kujtoi Papa sot paradite, duke pritur pjesëmarrësit në Plenaren e Kongregatës për Edukimin Katolik, shoqëruar nga prefekti, kardinali Giuseppe Versaldi.

Horizonti është ai i ungjillëzimit: atje ku ka shpresa për të ofruar një kontribut të vlefshëm për misionin e Kishës. Ndërsa Plenaria - vijoi Papa -  është rast për të skicuar orientimet e angazhimeve të ardhshme, duke nisur nga rishfletimi i dokumentit konciliar Gravissimus educationis, tek studimi  i Fondacionit me të njëjtin emër. Ndër problemet më urgjente, që duhen përballuar, është, mbi të gjitha – vërejti Papa – individualizmi  përmbytës, që të bën të varfër në shpirt e shterpë në kulturë. Prej këtu, nevoja që të humanizohet edukimi:

“Shkolla dhe universiteti kanë kuptim të plotë vetëm në lidhje me formimin e njeriut”.

Të gjithë edukatorët janë të thirrur t’i ndihmojnë të rinjtë për t’u bërë konstruktorë të një bote më solidare e më paqësore:

“Akoma më shumë institucionet edukative katolike kanë misionin të ofrojnë horizonte të hapura për transhndencën”.

Shpresë tjetër - kujtoi Papa - është të thellohet kultura e dialogut, në një botë që tashmë është bërë ”fshat global”, ku çdo njeri i përket njerëzimit  e ka të njëjtat shpresa për një ardhmëri më të mirë, së bashku me të gjithë familjen e popujve:

“Njëkohësisht, për fat të keq, vërehen shumë forma dhune, varfërie, shfrytëzimi, diskriminimi, mënjanimi, ligje që i kufizojnë liritë themelore e që krijojnë kulturën e hedhurinës”.

Institutet edukative katolike janë të thirrura të praktikojnë gramatikën e dialogut, që të formon për takimin me larmitë kulturore e fetare dhe të mëson t’i vlerësosh:

“Dialogu edukon, kur njeriu komunikon me tjetrin plot respekt, nderim, sinqeritet, kur dëgjon dhe e shpreh me vërtetësi, pa e errësuar e pa e zbutur, identetin e tij,  të ushqyer nga frymëzimi ungjillor”.

Breznitë e reja, nëse edukohen krishterisht për dialog, do të dinë të ndërtojnë ura e t’u japin përgjigje të reja sfidave të kohës sonë. Shpresa e fundit është që edukimi të dijë të mbjellë shpresë:

“Jam i bindur se të rinjtë e sotëm kanë nevojë sidomos për këtë jetë, që të ndërtojnë ardhmërinë. Prandaj, edukatori i vërtetë është si atë e si nënë, që transmeton pikërisht jetën e aftë për të përballuar të ardhmen. Për ta pasur këtë aftësi,  duhen vënë në punë veshët, duhen dëgjuar  të rinjtë”.

E do ta bëjmë - shtoi Françesku - në Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve, duke ua kushtuar pikërisht atyre. Edukimi dhe shpresa – përfundoi Papa - janë miell i të njëjtit thes:

“Shpresa nuk është optimizëm i cekët, nuk është as aftësi për t’i parë sendet me sy dashamirë, por mbi të gjitha, është aftësi për të rrezikuar në mënyrë të drejtë, pikërisht si edukimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.