2017-02-09 14:04:00

Papa, “Qytetërimit Katolik”: të jeni revistë në dialog me botën


Papa Françesku priti sot në Vatikan, bashkësinë e revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, me rastin e botimit të numrit 4000 të saj. “Është arritje unike – u tha Ati i Shenjtë – revista ka bërë një udhëtim në kohë prej 167 vjetësh e vijon me guxim lundrimin e saj në det të hapur. Ja: rrini në det të hapur! Katoliku nuk duhet të ketë frikë nga deti i hapur, nuk duhet të kërkojë mbrojtje në porte të sigurta. Sidomos ju, si jezuitë, mos u kapni pas sigurive. Zoti na thërret të dalim në mision, të shkojmë në det të hapur e të mos dalim në pension për të ruajtur siguritë. Në det të hapur ndeshemi me furtuna e mund ta kemi erën kundër. E megjithatë, udhëtimi bëhet gjithnjë në shoqërinë e Jezusit, që u thotë të vetëve: ‘Guxim, jam unë, mos kini frikë!’ (Mt 14,27)”.

Drejtori i revistës, atë Antonio Spadaro, është përkrahës i fuqishëm i Papës Françeku. Të tijat janë idetë e vënies në internet të revistës e të botimit të saj në pesë gjuhë të ndryshme, që përurohet këtë muaj. Vërtet, më 11 shkurt, për herë të parë në historinë e revistës, do të dalin në librari edhe 4 edicione mujore në spanjisht, në anglisht, në frëngjisht e në gjuhën koreane. Edicioni spanjoll, me titull “Herder”, u paraqit sot, në orën 18.00, në Ambasadën e Spanjës pranë Selisë së Shenjtë, ndërsa edicioni anglez, me titull “Union of Catholic Asian News” (Bashkimi i Lajmeve Katolike Aziatike), më 28 shkurt, në orën 18.30, në rezidencën e ambasadores së Britanisë së Madhe pranë Selisë së Shenjtë. Edicioni francez quhet “Parole et Silence” e ai në gjuhën koreane botohet nën kujdesin e Provincës përkatëse të jezuitëve. Për të gjitha këto arsye, Papa Françesku i inkurajoi më tej jezuitët, duke kujtuar besnikërinë e tyre ndaj papëve të Romës:

“Lundrimi juaj [në këtë det të hapur] nuk është i vetmuar. Paraardhësit e mi, nga i Lumi Piu IX tek Benedikti XVI, duke iu takuar në audiencë, kanë vlerësuar më se një herë se ju lundroni me barkën e Pjetrit. Kjo lidhje me Papën është gjithmonë tipar thelbësor i revistës suaj. Ju jeni në barkën e Pjetrit. Ajo, nganjëherë, në histori – sot, ashtu si dje – mund të lëkundet nga valët e s’duhet të çuditemi për këtë. E edhe vetë marinarët, të thirrur për t’u dhënë rremave në barkën e Pjetrit, mund të vozisin në drejtimin e kundërt. Gjithnjë ka ndodhur. Ju të ‘Qytetërimit Katolik’ duhet të jeni ‘vozitës ekspertë e të vlefshëm’: jepuni rremave pra! Vozitni, të jeni të fortë, edhe kur era fryn kundër! Vozisim në shërbim të Kishës. Të vozisim së bashku!”

Ati i Shenjtë iu referua 4000 fashikujve të revistës, arritje e rëndësishme, jo vetëm për jezuitët:

“4000 fashikuj nuk janë një grumbull me letra! Ka jetë brenda, ka reflektim, shumë pasion, shumë luftë e kontradikta. Por sidomos, ka shumë punë. Mora vesh për paraardhësit tuaj të dikurshëm, që dëshironin të quheshin thjesht ‘punëtorë’. Jo ‘intelektualë’, por ‘punëtorë’. Më pëlqen shumë ky përkufizim, që është i përvuajtur, i thjeshtë e shumë i frytshëm. Shën Injaci na do punëtorë në vreshtën mistike. Unë punoj në një mënyrë, ju punoni në një tjetër. Por jemi së bashku, përkrah. Unë, gjatë punës sime, ju shoh, ju ndjek, ju shoqëroj me dashuri. Revista juaj është shpesh në tryezën time. Dhe e di se ju, me punën tuaj, nuk m’i hiqni sytë”.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.