2017-02-08 12:41:00

Papa Françesku për Ditën e të Sëmurëve: të mbështetet njeriu i vetmuar


Sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Papa Françesku kujtoi edhe një herë se të shtunën e ardhshme, në festën e Zojës Lurdë, do të kremtohet Dita e 25-të Botërore e të Sëmurit. Kremtimi kryesor - shpjegoi - do të jetë ai i Lurdës, i kryesuar  nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të luten, që Zoja e Bekuar të ndërmjetësojë për të sëmurët, posaçërisht për ata, që vuajnë më shumë e që u duhet ta përballojnë vuajtjen në vetmi. Papa nuk harroi t’i falënderojë edhe ata, të cilët kujdesen për njerëzit e vuajtur.

Françesku bekon shtegtimin e kardinalit Parolin në Lurdë, për Ditën e të Sëmurit

 Kremtimi kryesor i Ditës së 25-të  Botërore të të Sëmurit. siç e kujtoi  Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme, do të kryesohet nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shtegtimin e të cilit e bekoi. Më pas, duke përshëndetur shtegtarët dhe besimtarët polakë, Françesku kujtoi se Dita e të  Sëmurit u themelua nga Shën Gjon Pali II.  Papa Shenjt pati shkruar se kjo ditë duhet të jetë për të gjithë besimtarët  një çast i fortë lutjeje korale, ndarjeje të përbashkët të vuajtjes shkaktuar nga sëmundja  dhe  mbartjes së vuajtjes për të mirën e Kishës.  Ditë, kjo - shtonte Shën Gjon Pali II – që u kujton të gjithëve se, në fytyrën e vëllait të sëmurë, duhet të shikojnë Fytyrën Shenjte të Krishtit.

Ndërsa Papa Françesku uroi: “Kjo ditë ngjalltë në zemrat tona dëshirën për t’i mbëshetur materialisht dhe shpirtërisht të sëmurët, që jetojnë ndërmjet nesh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.