2017-02-07 14:44:00

Françesku: Zoti na jep ADN-në e bijve të vet dhe na beson Tokën


Njeriu i krijuar sipas shembëllimit me Hyjin, zot i tokës dhe me një grua përkrah për ta dashur. Janë këto, tri dhuratat e mëdha, që Zoti i bën njeriut në çastin e Krijimit, mbi të cilat Papa Françesku shtjelloi homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, duke kërkuar hirin për t’i ruajtur e për t’i zhvilluar më tej në impenjimin e përditshëm.

Zoti na ka dhënë ADN-në e bijve të vet

“O Zot, çfarë është njeriu që të kujtohesh për të?” Papa e filloi reflektimin, duke u bazuar mbi vargjet e Psalmit 8 e mbi tregimin e Librit të Zanafillës, pjesë e Liturgjisë së sotme. Hyji i jep njeriut tri dhurata, duke u nisur nga identiteti:

“Para së gjithash, na ka dhënë ‘ADN’-në, pra, na ka bërë bij, na ka krijuar në shembëllim me Të, në shembëllim e ngjashmëri, ashtu si Ai vetë. E kur dikush bën një fëmijë, nuk mund të kthehet mbrapsht: i biri është aty. E pavarësisht nëse shumë a pak, i ngjan të atit, e ka marrë identitetin prej tij. E nëse i biri bëhet i mirë, i ati është krenar me të, apo jo? ‘Pa shiko, sa i mbarë!’ E nëse është pak i shëmtuar, i ati thotë: ‘Është i bukur’, sepse kështu janë baballarët. Gjithmonë. E nëse bëhet i keq, i ati e justifikon, e pret… Jezusi na ka mësuar si i pret ati bijtë e vet. Hyji na ka dhënë identitetin e birit… burrë e grua, por duhet të shtojmë edhe ‘bir’. Jemi ‘si zotërinj’, sepse jemi bij të Hyjit”.

Toka i besohet njeriut që ta ruajë e jo ta shkatërrojë

Dhurata e dytë e Zotit të Krijimit, për Atin e Shenjtë, është edhe “detyrë”. Na ka dhënë gjithë tokën, por ta sunduar e për ta nënshtruar, siç thuhet në Librin e Zanafillës. Pra, Zoti na bën mbretër të tokës, sepse Ai i Lumi e do njeriun zotëri e jo skllav, por i jep edhe një detyrë:

“Ashtu si Ai punoi gjatë Krijimit, ashtu na e kaloi ne këtë punë për ta zhvilluar më tej Gjithësinë. Jo duke e shkatërruar, por duke e shumuar, duke u kujdesur për të, duke e ruajtur e duke e çuar përpara. Dha gjithçka. E çudi, mendoj unë: nuk na dha paratë. Kemi gjithçka. E paratë kush i dha? Nuk e di. Thonë gjyshet se djalli hyn nga xhepat: ndoshta… duhet të mendojmë se kush na i ka dhënë paratë… Zoti na dha Gjithësinë për ta ruajtur e zhvilluar: kjo është dhurata e Tij. E së fundi, ‘Zoti krijoi njeriun në shembëllim me Të, mashkull e femër i krijoi’”.

Dashuria: dhurata e tretë e Zotit gjatë Krijimit

E ja dhurata e tretë e Zotit, të cilën e kuptojmë duke lexuar tregimin nga Libri i Zanafillës. Është dashuria, është gjithçka lidh burrin me gruan. “Nuk është mirë që burri të jetojë vetëm”, citoi Papa Biblën. E kështu, Hyji krijoi shoqen e burrit. Zoti-dashuri i dhuron burrit dashurinë e duhet të ketë qenë “dialog dashurie” ai ndërmjet burrit e gruas së parë, imagjinoi Ati i Shenjtë. Pastaj, ftesa, që përfundoi homelinë:

“Ta falenderojmë Zotin për këto tri dhurata, që na dha: identitetin, dhuratën-detyrë dhe dashurinë. E t’i lutemi për hirin që ta ruajmë këtë identitet prej bijsh, të punojmë për dhuratën që na dha e ta çojmë përpara me punën tonë, si edhe të mësojmë çdo ditë si të duam më shumë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.