2017-02-07 13:38:00

Dita e të Sëmurit: paraqitet Karta e Re për veprimtarët e shëndetësisë


Për herë të tretë në Lurdë – ku u mbajt edicioni i parë – Dita Botërore e të Sëmurit, që u themelua 25 vjet më parë nga shën Gjon Pali II e që kremtohet çdo vit, më 11 shkurt, në festën liturgjike të Zojës së Lurdës. Tema e 2017-ës: “Mrekulli për veprat e Zotit: gjëra të mëdha ka bërë për mua i Gjithëpushtetshmi”. Dje, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqitën veprimtaritë e kësaj Dite dhe Karta e Re e operatorëve të shëndetësisë.

Në vend të kardinalit Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm, që ishte i sëmurë, u foli gazetarëve Sekretari, imzot Jean-Marie Mate Musivi Mupendawatu, i cili, së pari, falenderoi shtypin për vëmendjen, që i kushton botës së shëndetësisë:

“Vëmendje, për të cilën kanë me të vërtetë nevojë të sëmurët, të vuajturit dhe ata, që i kanë në ngarkim, si profesionalisht, ashtu edhe vullnetarisht”.

 Dita e sivjetme do të kremtohet në tri etapa, nga 10 deri më 13 shkurt. Si Legat i Papës, do ta kryesojë meshën në Lurdë, më 11 shkurt, kardinali Pietro Parolin. Edhe sot, lutja para Zojës së Lurdës është për të gjithë të sëmurët, por edhe për besimtarët e tjerë, çast i veçantë e i jashtëzakonshëm kishtar, siç nënvizoi imzot Mupendawatu:

“Është çast i fuqishëm lutjeje, bashkimi, dhurimi të vuajtjes për të mirën e Kishës. Është thirrje për të gjithë që të shohin Fytyrën e Krishtit në fytyrën e vëllait të sëmurë”.

Për ta jetuar sa më mirë këtë ditë, jo vetëm figurave profesionale si mjekët dhe infermierët, por edhe punonjësve shkencorë, farmacistëve, administratorëve dhe legjislatorëve, u vjen në ndihmë Karta e Re e veprimtarëve të shëndetësisë. Tre janë seksionet në të cilat është ndarë ajo: lindja, jeta dhe vdekja. Përmban disa risi, që marrin parasysh punën kërkimore-shkencore dhe përparimet e bëra në mjekësi, duke theksuar edhe një herë qëndrimin e Kishës kundër praktikave si aborti, diagnoza pre-implantive e embrionit dhe eksperimentimi mbi të mitur e mbi të rritur të paaftë për të vendosur vetë. Nuk kemi pretendimin se kemi zgjidhur çdo problem, nënvizoi pedagogu i Bioetikës në Universitetin Katolik të Romës, prof. Antonio Gioacchino Spagnoli, një ndër ekspertët e azhurnimit të Kartës:

“Sigurisht, Karta nuk parashikon të gjitha problemet që mund të hasen, por është realizuar për të dhënë një linjë orientimi sa më të qartë për problemet etike, që duhen përballuar në botën e shëndetit, në përkim me mësimet e Krishtit dhe me magjisterin e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.