2017-02-06 13:41:00

Papa: i krishteri është skllav i dashurisë, jo i detyrës


Njerëzit e ngurtë kanë “frikë” nga liria, që na jep Zoti, “frikë nga dashuria”. Këtë pohoi sot Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se i krishteri është skllav i dashurisë e jo i detyrës dhe i ftoi besimtarët të mos fshihen në “rreptësinë” e Urdhërimeve.

“Je tejet i madh, o Zot!”. Papa Françesku e ftilloi homelinë duke u frymëzuar nga Psalmi 103, këngë lavdi drejtuar Zotit për mrekullitë e Tij. Ati - vërejti - punon për të bërë mrekullinë e krijimit e për të bërë me të Birin, edhe mrekullinë e ri-krijimit. E, më pas, tregoi sesi një herë, një fëmijë, e pati pyetur çfarë bënte Zoti, para se ta krijonte botën. “Donte” - qe përgjigjja e Françeskut.

Duhet ta hapësh zemrën, jo të strehohesh në rreptësinë e Urdhërimeve

Atëhere, pse e krijoi Zoti botën?  “Thjesht për të ndarë bashkë me krijesat përsosurinë e Tij”. Ndërsa në ri-krijim, Zoti dërgon Birin e vet për të rindrequr: e kështu, nga e shëmtuara, bën të bukurën; nga gabimi, bën të vërtetën; nga i keqi, bën të mirin”:

“Kur Jezusi thotë: ‘Ati vepron gjithnjë, e edhe unë veproj gjithnjë’, doktorët e ligjit shkandullohen e duan ta vrasin pikërisht për këtë. E pse? Sepse nuk dinin t’i pranonin gjërat e Zotit si dhuratë, por vetëm si drejtësi! ‘Këto janë Urdhërimet. Por na duken pak, ndaj duhet të bëjmë më shumë’. E, në vend që t’ia hapnin zemrën dhuratës, u fshehën, kërkuan strehë në rreptësinë e Urdhërimeve, të cilat i shtuan e i shumuan aq, sa u bënë 500, a më shumë... Nuk dinin ta merrnin dhuratën. E dhurata merret vetëm lirisht. Po këta njerëz të rreptë kishin frikë nga liria, që na e jep vetë Zoti; e kishin frikë edhe nga dashuria”.

I krishteri është skllav i dashurisë, jo i detyrës  

Prej këndej Ungjilli thotë - vërejti në vijim Papa - “deshën ta vrisnin Jezusin. Deshën ta vrisnin, ngaqë  thoshte se Ati e ka bërë këtë mrekulli si dhuratë. E kjo do të thotë të marrësh dhuratën e Atit!”.

Prandaj e lumnuam sot Atin e thamë “I madh je, o Zot! Të dua me gjithë zemër, sepse ma fale këtë dhuratë. Më shpëtove, më krijove!”. E kjo është lutja e lavdërimit, lutja e gëzimit, lutja që e mbush me hare jetën e krishterë. E jo lutja e mbyllur, e trishtuar e njeriut, që nuk merr kurrë dhurata, sepse ka frikë nga liria, e cila sjell gjithnjë me vete dhuratën. Di vetëm të bëjë detyrën, vetëm detyrën e mbyllur. Skllav i detyrës, nuk mund të jetë kurrë skllav i dashurisë. Ti je i lirë vetëm kur bëhesh skllav i dashurisë. Ç’ skllavëri e bukur, kjo! Po ata nuk mund ta kuptonin këtë!

Të pyesim si merret dhurata e shëlbimit dhe ndjesa e Zotit

Ja pra, dy mrekullitë e Zotit - vijoi Papa – mrekullia e krijimit dhe mrekullia e shëlbimit, e rikrijimit. E më pas, pyetja: “Po si e marr unë këtë, që më dha Zoti? - krijimin - si dhuratë? E nëse e marr si dhuratë, a e dua gjithësinë? E ruaj krijimin? Sepse - pohoi - është dhuratë!”.

Si e marr unë  ndjesën, që më dha Zoti? A bëhem bir i Tij me dashuri, me dhembshuri, me liri, apo fshihem në rreptësinë e Urdhërimeve të mbyllura, që gjithnjë, gjithnjë, janë ‘më të sigurta’ (ndër thonjëza), po nuk të japin gëzim, sepse nuk të bëjnë të lirë. Secili prej nesh mund të mendojë sesi t’i jetojë këto dy mrekulli: mrekullinë e krijimit e akoma më shumë, atë të ri-krijimit. E Zoti na bëftë të aftë ta kuptojmë këtë gjë të madhe e edhe çfarë bënte para se ta krijonte botën: dashuronte! Na bëftë ta kuptojnë dashurinë e Tij për ne e na mësoftë të themi - siç thamë sot - “Je tepër i madh, o Zot! Të falënderojmë! Të falënderojmë!”. E të shkojmë kështu përpara. 








All the contents on this site are copyrighted ©.