2017-02-05 17:22:00

Papa emëron imzot Becciu delegat pranë Urdhërit të Maltës


Papa Françesku emëroi imzot Giovanni Angelo Becciu, zëvendës për Punët e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, delegat i posaçëm në Kapitullin e jashtëzakonshëm të Urdhërit të Kalorësve të Maltës.

Emërimi i delegatit papnor arrin në fillim të përgatitjeve për Kapitullin e jashtëzakoshëm, në të cilin duhet të zgjidhet Mjeshtri i Madh i Urdhërit Sovran Ushtarak Spitalor të Shën Gjonit të Jeruzalemit, të Rodit e të Maltës. Në Letrën e emërimit, drejtuar prelatit, datuar 2 shkurt, Papa Françesku shpjegon se imzot Becciu “duhet të veprojë në bashkëpunim të ngushtë me të Nderuarin Balì Fra’ Ludwig Hoffmann von Rumerstein, zëvendës i përkohshëm, për të mirën e Urdhërit dhe pajtmin ndërmjet të gjithë pjesëtarëve, rregulltarë e laikë.

Delegati do të mbështesë e do të ndihmojë zëvendësin në përgatitjen e Kapitullit të jashtëzakonshëm: “do të vendosin së bashku për zgjedhjen e mënyrave të studimit të mundshëm të Kartës Kushtetuese të Urdhërit dhe të Statutit Melitense”.

Posaçërisht - shkruan Papa - imzot Becciu është i thirrur të kujdeset për  përtëritjen shpirtërore e morale të Urdhërit, sidomos të anëtarëve të kushtuar, që të realizohet qëllimi për promovimin e lumnisë së Zotit, përmes shenjtërimit të anëtarëve, për shërbimin ndaj fesë dhe Atit të  Shenjtë si dhe për ndihmesën ndaj të afërmit, siç shkruhet në Kartën Kushtetuese.

Deri në përfundim të mandatit të tij, domethënë deri në fund të Kapitullit të jashtëzakonshëm, që do të zgjedhë Mjeshtrin e Madh - saktëson Papa Françesku - do të jetë i vetmi zëdhënës për  të gjitha lidhjet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Urdhërit. Papa, pra, i jep imzot Becciu-t gjithë pushtetin e nevojshëm për të vendosur mbi problemet, të cilat mund të dalin në Urdhër,  gjatë  kryerjes së mandatit, që i është besuar.

Delegati zgjidhet pas krizës, që po kalon Urdhëri, me dorëheqjen e Mjeshtrit të Madh, Fra’ Mathew Festing dhe rikthimit të Kancelarit të Madh, Albrecht Boeselager, lëvizur nga detyra dhjetorin e kaluar. Në një konferencë shtypi, mbajtur këto ditë, Kancelari i Madh i shprehu Papës mirënjohjen për zgjidhjen e shpejtë të krizës: besnikëria e Urdhërit të Maltës ndaj Pasardhësit të Pjetrit - pati pohuar Boeselager - është e paprapsueshme. Kancelari i Madh shpjegoi edhe se pjesëmarrja e Papës nuk është ndërhyrje në punët e brendshme e as shkelje e sovranitetit të Urdhërit, sepse Françesku interesohet për përmasën e tij fetare, pa prekur përmasat administrative. Zgjedhja e Mjeshtrit të madh - pohon - do të realizohet brenda tre muajve të ardhshëm, ndonëse data nuk është caktuar akoma.     








All the contents on this site are copyrighted ©.