2017-02-05 14:59:00

Engjëlli i Tënzot: kultura e jetës, përgjigje për logjikën e hedhurinës. Të krishterët ‘dritë’ e ‘kripë’ e botës


“Gra e burra  për jetën, në gjurmë të Nënë Terezës” - kjo, tema  e Ditës  së jetës. Prej këndej, nxitja e Françeskut dhe e ipeshkvijve italianë për veprimtari të guximshme edukative, që askush të mos lihet vetëm e dashuria ta mbrojë kuptimin e jetës:

“Ta çojmë përpara kulturën e jetës, si përgjigje ndaj logjikës së hedhurinës e të pakësimit demografik; të jemi pranë e së bashku të lutemi për fëmijët, të cilët rrezikohen nga ndërprerja e shtatzanisë, ashtu si edhe për njerëzit, që numërojnë çastet e fundme të jetës”.

Më pas, Papa kujtoi ftesën e pa mort të Nënë Terezës:

“Jeta është e bukur, admiroje; jeta është jetë, mbroje! Si jetën, që del në dritë, ashtu edhe atë, që perëndon. Çdo jetë është e shenjtë”.

Në katekizmin para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa - i frymëzuar nga Ungjilli i së dielës - rikujtoi misionin që Jezusi, gjatë Predikimit në mal, ua besoi dishepujve të Tij të të gjitha kohëve, pra - pohoi - edhe ne. E për ta theksuar këtë mision, Françesku përdori metaforat e dritës e të kripës. Dritë, përmes veprave të mira:

“Në të vërtetë, është sidomos sjellja jonë që - si në të keqe, ashtu në të mirë – lë shenjë në shpirtin e të tjerëve”.

Kemi, prandaj, një detyrë, e edhe një përgjegjësi për dhuratat, që morëm:

“Dritën e fesë, të cilën e kemi në shpirt përmes Krishtit e veprimit të Shpirtit Shenjt, nuk duhet ta mbajmë si të ishte prona jonë”.

Nuk duhet harruar se jemi të thirrur t’ua dhurojmë edhe të tjerëve, përmes veprave të mira:

“E sa shumë ka nevojë bota për dritën e Ungjillit, që shndërron, shëron e ia garanton shëlbimin, atij që e pranon!”.

Duke dhuruar vetveten - vërejti në vijim Françesku - feja nuk shuhet, por përflaket më shumë, për të vepruar si kripë e cila, përveçse u jep shije gjellëve, i mbron edhe nga prishja. Prej këndej, misioni i të krishterëve  në shoqëri është t’i japin shije jetës me fe e dashuri, e njëkohësisht, të rrinë larg mikrobeve ndotëse të egoizmit, të zilisë, të thashethemeve e kështu me radhë:

“Këto mikrobe e rrënojnë indin e shoqërive tona, që duhet të shkëlqejnë  si vende të mikpritjes, të solidaritetit, të pajtimit”.

E, më pas, ftesa për të vepruar në mjediset e jetës së  përditshme...:

“...duke ngulmuar në kryerjen sa më mirë të detyrës për ta përtërirë realitetin njerëzor në frymën e Ungjillit e në perspektivën e Mbretërisë së Zotit”.

Së fundi, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Nëna jonë na ndihmoftë ta lëshojmë krejtësisht veten në dorë të Zotit, që të na pastrojë e të na ndriçojë, për t’u bërë ‘kripë e tokës’ e ‘dritë e botës’” .

Në përshëndetjet përfundimtare, një inkurajim i posaçëm drejtuar të gjithë atyre, që punojnë për mbrojtjen e jetës, pedagogëve të Universiteteve romake dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që t’i formojnë sa më mirë breznitë e reja, për t’u bërë të afta të ndërtojnë një shoqëri mikpritëse e të denjë për çdo njeri.








All the contents on this site are copyrighted ©.