2017-02-05 18:00:00

Atë Aldo Pashkja: Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipërinë Komuniste


Bashkësia shqiptare e Romës u mblodh sot për të përkujtuar 50-vjetorin e fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, më 6 shkurt 1967, që i hapi rrugën luftës kundër “zakoneve prapanike e mbeturinave fetare”. Në kishën e Shën Gjonit të Malvës, në Trastevere të Romës, në orën 17.00, u mbajt takimi me temë “50 vjet nga shkatërrimi i tempujve të fesë”, menjëherë pas meshës në gjuhën shqipe. Të pranishmit i përshëndeti rektori i kishës, don Pasquale Ferraro, njëkohësisht edhe përgjegjës baritor për emigrantët shqiptarë në Itali.

Atë Aldo Skoda Pashkja, skalabrinian, zv.drejtor i SIMI-it (Instituti Ndërkombëtar i Skalabrinianëve për Emigracionin) e profesor teologjie në Universitetin Papnor Urbanian, foli mbi “Shkatërrimin e kishave gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri”, ndërsa i ngarkuari me punë i ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, z. Visar Zhiti, u përqendrua në persekutimin e martirëve, duke i parë në këndvështrimin e qëndresës para torturave e dhunës së çdo lloji dhe të shenjtërisë së jetës së tyre. Nuk munguan as tingujt e muzikës, që e mbushën kishën përmes zërit të sopranos Ana Lushi.

Po ju propozojmë disa pika nga fjala e mbajtur nga skalabriniani shqiptar, atë Aldo Pashkja…

Nje njeri qe harron rrezikon të humbë identitetin e tij; një popull që harron është i dënuar të riprodhojë gabimet e tij.

Pervjetori i 50-te i famëkeqit vit 1967 është mundësia për të rikujtuar edhe një herë tragjedinë në të cilën u fut shoqëria shqiptare në vazhdën e vetizolimit që prodhoi frikë, varfëri materiale dhe mbi të gjitha shpirtërore.

Nën thirrjet e diktatorit më të ri por edhe më të egër të Evropës së pas Luftës së Dytë botërore, do fillonte një persekutim i mirëmenduar dhe i mirëkoordinuar që synonte të godiste çdo istitucion fetar e në veçanti Kishën katolike që edhe pse e vogël në numër ishte shtylla kurrizore e kulturës dhe shtetformimit dhe identiteti shqiptar.

«Udhëheqësit e klerit nuk do të bëhen miq të qeverisë dhe partisë në pushtet, ndërsa besimtarët janë miqtë tanë, por partia duhet të punojë ngadalë dhe në mënyrë të përsëritur për të çrrënjosur besimin në zotat, fenë dhe Kishën». Me këto fjalë Enver Hoxha nxiste masat e dehura e të frikësuara të rinisë ndaj klerit dhe institucioneve kulturore, sociale e fetare të Kishës.

Kongresi V të Partisë së Punës, në nëntor të vitit 1966, e cilësoi luftën kundër fesë si një aspekt me rëndësi në zhvillimin e luftës së klasave dhe emancipimit të shoqërisë. Enver Hoxha në fjalimin e tij kishte thënë: “Luftë klase është... lufta kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive e zakoneve prapanike”. Pikërisht ky fjalim citohet si burim frymëzimi në gazetat dhe botimet propagandistike gjatë muajve të ardhshëm.

Në datën 8 shkurt, të vitit 1967 gazeta zyrtare “Zëri i Popullit” botoi në  faqen e parë me gërma kubitale këto fjalë: “Me Shpatën e Mprehtë të Ideologjisë së Partisë Kundër Ideologjisë Fetare”. Në këtë artikull, u paraqit me tone lavdëruese nxënësit dhe pedagogët e shkollës Naim Frashëri në Durrës, për “inisiativën revolucionare”, sepse ishin hedhur në luftë kundër fesë.“Në këtë shkollë po zhvillohet një aksion i rëndësishëm ideologjik...në një fletë-rrufe të të gjithë shkollës flitet për zotimet dhe punën që kanë bërë klasat e ndryshme, aty kritikohen të rinj e të reja si dhe ato klasa që nuk janë  aktivizuar si duhet në këtë lëvizje dhe kërkohet që ato të  japin përgjigje për qendrimet e tyre”. Duke qënë gazeta kryesore e vendit dhe organ i Partisë së Punës në fakt ngjarja nuk ishte thjeshtë një kronikë por një nxitje dhe një sinjal për atë që do vinte më vonë në të gjitha shkollat e vendit.

Më 19 nëntor të 1967-ës regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve”. Ai anuloi menjëherë një sërë dekretesh të viteve të mëparshme, të cilat legalizonin kartat e rishikuara të komuniteteve fetare. Gjithashtu ndalonte të gjitha ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë shkelësit duke sanksionuar kështu ateizmin praktik të Republikës. Ky dekret doli pasi ishte kryer një fushata e hapur kundër fesë edhe pse Kushtetuta akoma parashikonte lirinë e besimit.

Me ligjin e ri Kushtetues n. 5506, të 28.12.1976 shpallet në mënyrë definitive ateizmi jo vetëm si filozofi shtetformuese dhe edukuese por edhe si praktikë

Neni 37. «Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botkuptimin materialist shkencor»

Neni 55. «Ndalohet krijimi i çfardo organizate me karakter fashist, antidemokratik, fetar dhe antisocialist».

Rregjimi provoi t’i jepte Zotit dënimin me vdekje pasi kishte shkatërruar institucionet e kultit, ato arsimore, kulturore e sociale dhe pasi kishte shantazhuar, persekutuar, torturuar dhe vrarë eksponentë të rëndësishëm te hierarkisë kishtare. Është fillimi i fundit të kultit publik në Shqipëri por jo fundi i ndjenjës fetare që populli kultivonte tashmë në klandestinitet të plotë.

Histeria e përgjithshme në të cilën ra shoqëria shqiptare u shtri si një hije e zezë mbi të gjithë kombin duke prodhuar vdekje dhe frikë. Janë vitet e persekutimit por edhe të dëshmisë së një mënyre të re e të qenurit Kishë. Katolikët tashmë kishin hyrë në një epokë të re katakombesh. Shembulli, shpresa, dashuria dhe feja e palëkundur që dëshmohej nga kleri, rregulltarët, rregulltaret dhe laikët e persekutuar ishte vetë një sinjal që sado të mundohet cilido rregjim e sado mizor të jetë, feja nuk mund të shkulej lehtë nga zëmrat e shqiptarëve.

Mbyllja e kishave dhe objekteve të tjera të kultit nuk ishte vetëm një aksion kundër fesë, por i frymëzuar nga shembujt më të ulët të inxhenjerisë shoqërore, ishte tentativa për të zhbrazur njeriun nga brënda, për ta privuar nga identiteti, dinjiteti, arsyeja, ndërgjegja dhe definitivisht nga liria. Duke parafrazuar fjalët e Shën Palit “aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe liria”, mund të themi se diktatura komuniste ishte laboratori për të privuar njeriun nga liria duke filluar nga ajo e besimit.

E megjithatë mendoj se një reflektim final do ishte i rëndësishëm sidomos për brezat e rinj. Jemi shpesh dëshmitarë të botimeve edhe në të përditshme ku diktatura prezantohet në aspektet e saj gati intrigues, pa u ndalur sa duhet dhe siç duhet në tragjeditë që prodhoi dhe që i bart edhe sot shoqëria shqiptare. Shoqëria shqiptare duhet ti rezistojë tundimit të një narrative naive e padashur të rreme të historirë së saj moderne dhe duhet të qojë deri në fund njohuritë dhe pasojat e asaj periudhe famëkeqe. Harresa eshte mallkimi i popujve qe jane te denuar ti përsërisin tragjeditë e tyre.

Ajo që mbetet sot është sigurisht shembulli i jetës dhe i dëshmisë së gjallë i martirëve, njerëz që sot Kisha universale i kremton si “të lumë”. Nga goja e tyre nuk doli kurrë një mallkim, një dashakeqësi, apo një ndjenjë hakmarrjeje por gjithmonë fjalët “Rroftë Krishti mbret... Rroftë Shqipëria… Unë po ju fal…”.

Ne kemi nevojë për shembullin e tyre, për forcën e tyre, për të tashmen dhe për të ardhmen e Kishës dhe gjithë shoqërisë shqiptare.








All the contents on this site are copyrighted ©.