2017-02-04 18:27:00

Parolin nënshkruan Marrëveshjen Kuadër në Kongo


Dje, në Brazavil, kryeqytet i Republikës së Kongos, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nënshkroi Marrëveshjen lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike dhe shtetit. I pranishëm në çastin e nënshkrimit, edhe Presidenti kongolez.

Marrëveshja Kuadër, e përbërë nga një hyrje dhe 18 nene, i garanton Kishës mundësinë ta zhvillojë lirisht misionin e saj në Kongo. Posaçërisht, Kisha dhe institucionet e saj njihen si person juridik. Të dyja palët, duke ruajtur pavarësinë dhe autonominë, tipike për secilën, angazhohen të bashkëpunojnë për mirëqenien morale, shpirtërore dhe materiale të njeriut, si dhe për përparimin e së mirës së përbashkët.

Me këtë rast kardinali Parolin i solli edhe pëshëndetjen e Papës Françesku “të gjithë popullit kongolez”, duke nënvizuar se nënshkrimi i marrëveshjes  përbën një etapë të re, me rëndësi historike, e se përkon me përvjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kongos.  Hirësia e Tij citoi Gjon Palin II, që e vizitoi Kongon në maj të vitit 1980: “Shteti mund të mbështetet mbi bashkëpunimin e ndershëm  të Kishës, që synon gjithnjë ta ndihmojë njeriun e të kontribuojë në përparimin e tij të gjithanshëm. E Kisha, në emër të misionit të vet shpirtëror, kërkon, nga ana e saj, lirinë t’u drejtohet ndërgjegjeve, ashtu si edhe mundësinë që besimtarët ta praktikojnë, ta ushqejnë dhe ta kumtojnë fenë e tyre. Liria fetare është në qendër të respektimit të të gjtiha lirive dhe të të gjitha të drejtave të patjetërsueshme të njeriut”(Shtegtimi Apostolik në Afrikë, Fjalimi i Gjon Palit II drejtuar Presidentit të Republikës së Kongos dhe Kombit; Brazavil, 5 maj 1980).

Është e mira të nënvizojmë - shtoi kardinali Parolin - se me këtë marrëveshje Kisha katolike nuk kërkon në asnjë mënyrë të ketë privilegje të veçanta, në dëm të konfesioneve të tjera, përkundrazi, kërkon të bashkëpunojë ngushtësisht me to, të forcojë mirëkuptimin reciprok e edhe bashkëpunimin me bashkësitë e tjera fetare. Hirësia e Tij kujton edhe se vënia në jetë e kësaj marrëveshjeje mund të japë ndihmesë të veçantë për njohjen e Kongos në arenën ndërkombëtare, duke vërtetuar se Kongo i trajton me respekt bashkësitë fetare dhe u kushton vëmendjen e duhur parimeve të së drejtës, të njohura në nivel ndërkombëtar, posaçërisht parimit themelor të lirisë fetare: e në këtë drejtim, dokumenti duhet parë si një e mirë në favor të të gjitha instancave fetare, katolike e jo katolike. Së fundi, sekretari i Shtetit uroi që “marrëveshja të ndihmojë për ruajtjen e bashkëjetesës paqësore si dhe për zhvillimin e gjithanshëm të vendit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.