2017-02-04 14:12:00

Papa: kapitalizmi i përjashton të ligshtit, jo mospagimit të taksave dhe sistemit të bixhozit


Të mposhtet idhujtaria e parasë, ushqyer nga ekonomia e përqendruar vetëm mbi fitimin. Ky, qortimi i Papës Françesku në audiencën me pjesëmarrësit në takimin “Ekonomia e Bashkimit”, organizuar nga Lëvizja e Fokolarëve. Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga “sistemi i  bixhozit”, që po rrënon miliona familje. Pohoi edhe se mospagimi i taksave është shkelje e ligjit themelor të jetës: ligjit të ndihmës reciproke. Së fundi nxiti të vihet gjithnjë në qendër të vëmendjes së sistemit ekonomik, njeriu, posaçërisht, ai që është më i varfër.

Të  lidhen ngushtë ekonomia e bashkimi, duke pranuar ftesën e Chiara Lubich. Papa Françesku nënvizoi rëndësinë e përvojës të Lëvizjes së Fokolarëve, 25 vjet më parë, në Brazil. E menjëherë pas, vërejti me hidhërim se kultura aktuale synon veçimin e ekonomisë nga bashkimi, me pasoja shkatërrimtare.

Papa i thotë jo kapitalizmit, që e shndërron paranë në idhull, duke iu kundërvënë sistemit bixhozçi

Para së gjithash - theksoi - duhet të ruhemi nga rreziku i shndërrimit të parasë në idhull. Paraja – saktësoi - është e rëndësishme, sidomos kur nuk e ke, sepse prej saj varet ushqimi, shkolla, ardhmëria e fëmijëve. Por bëhet shumë e rrezikshme, kur shndërrohet në qëllim në vete:

“Kur kapitalizmi e bën kërkimin e fitimit të vetmin qëllim, rrezikohet të shndërrohet në strukturë idhujtare, në një formë kulti. ‘Hyji fat’ është gjithnjë hyjni e re e njëfarë finance dhe e gjithë këtij sistemi bixhozçi, që po shkatërron miliona familje të botës, gjë së cilës ju i kundërviheni. Ky kult idhujtar është surrogat i jetës së pasosur. Prodhimet e ndryshme (autot, telefonat...) vjetërohen e konsumohen, por nëse kam para ose kredi, mund të blej menjëherë të tjerë, duke besuar më kot se mund ta blej e ta mund edhe vetë vdekjen”.

Ja pse pra - shtoi Papa - ka vlerë të madhe etike e shpirtërore mbledhja e fitimeve së bashku. Kjo është mënyra më e mirë e më konkrete për të mos e shndërruar paranë në idhull e për ta ndarë me të tjerët, posaçërisht me më të varfërit. Të mos e harrojmë kurrë - shtoi - se nuk mund t’u shërbehet njëkohësisht dy zotërinjve, dy padronëve: “djalli hyn nga xhepat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.