Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe do
të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës
së pestë gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.
Në këtë të diele vazhdon fjalimi i Jezusit mbi mal, të cilin ua drejton dishepujve
që e kanë dëgjuar kumtimin e tij dhe janë vendosur për Të. Ai e ravijëzon identitetin
e dishepujve, identitetin e ithtarëve të tij, do të thotë identitetin e të krishterëve.
Kështu edhe në këtë të diele, Ungjilli vijon me mësimin e Jezusit për ata që duan
të jenë dishepuj e ndjekës të Tij, e thotë: “Kush vjen pas meje do ta ketë dritën
e jetës”. Thirrja për ta ndjekur konkretisht Jezusin, duke mishëruar programin e Lumnive
ungjillore në jetën e përditshme, u drejtohet të gjithëve. E të gjithëve ithtarëve
të vet, Jezusi u kërkon të jenë “kripa e tokës e drita e botës”.
Jezusi mëson se çka dhe kush janë dishepujt: ata janë persona që i japin shije tokës,
siç bën kripa; ata janë persona që e ndriçojnë botën, siç bën drita. E porosia e Jezusit
përqendrohen në atë çka drita duhet të bëj gjithmonë: të shndrisë, të shkëlqejë!
Të krishterët, sipas Jezusit, janë ‘kripë e tokës dhe dritë e botës’. E vërtetë mund
të jenë të tillë nëse jetojnë sipas frymës dhe mësimit të Lumnive ungjillore.
Nëse lumnitë ungjillore bëhen stil i jetës, njeriu që i mishëron në jetën e përditshme,
nuk mund të mos bëhet një çlirimtar e të mos jetë dëshmitar i shpresës.
Pra, simboli i kripës dhe i dritës, na thonë se ne si të krishterë, nuk mund të jetojmë
vetëm për vete, por para se gjithash duhet të jetojmë për të tjerët. Ky është mësimi
që marrim nga Ungjilli i kësaj së diele.
Leximi I Is 58,7-10
Izaia profet na tërheq vëmendjen dhe drejton thirrjen të ruhemi të mos e ndajmë kultin
dhe lutjen prej dashurisë ndaj të afërmit: feja, që nuk mishërohet në ndarjen e bukës
me të uriturit, nuk mjafton.
Leximi II 1Kor 2,1-5
Pali apostull na kujton se urtia e vërtetë nuk është urtia sipas kritereve të kësaj
bote, por vjen prej Zotit.
Ungjilli Mt 5,13-16
Lajmi Mirë që këtë të diele na vjen prej Jezusit, në Ungjill, është se mund të jemi
“dritë e botës dhe kripë e tokës”. Me kusht që të jemi të vendosur ta ndjekim udhën
që Ai na e tregon. Feja jonë, pra, gjen këtu rrënjët dhe ushqimin, për të qenë e gjallë
e nxitëse. Në fjalimin e malit, Jezusi u kërkon besimtarëve që besojnë në të, të jenë
dritë dhe kripë e botës, e jetën e tyre të jetë një rrezatim i forcës së Ungjillit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut (5,13-16)
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishte, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në maje të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.” Fjala e Zotit!
All the contents on this site are copyrighted ©. |