Kujtojmë sot,me 4 shkurt, përvjetorin e vdekjes së Atë Vinçenc Malajt,
françeskan e studiues i njohur shqiptar. Atë Vinçenc Malaj, lindi më 1 dhjetor
1928 në Ljarje të Krajës, vdiq më 4 shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros.
Ndërmjet këtyre dy datave, kemi një jetë plot veprimtari, që filloi me thirrjen për
rrugë rregulltare ndër françeskanë, vijoi me studimet në liceun Illyricum, kushtet
e përjetshme të jetës rregulltare ndër bijtë e shën Françeskut të Asizit, studimet
filozofike e teologjike në Zagreb e ato linguistike në Romë, me prof. Ernes Koliqin,
shugurimin meshtarak e kremtimin e Meshës së parë në Tuz më 13 tetor 1957.
Pra françeskani Atë Vinçenc Malaj qe meshtar dhe studiues i njohur që la një trashëgimi
të pasur kulturore. Bashkëpunoi me revistën “Shenjzat” të prof. Ernest Koliqit, ku
botoi disa studime; shkroi veprën “Kuvendi I Arbënit”, studioi veprën e imzot Pjetër
Bogdanit, bëri shumë gjurmime mbi historinë kombëtare të popullit shqiptar, mbi krishterimin
ndër shqiptarë e mbi atletin e Krishtit, heroin Gjergj Kastrionit Skënderbeut, artin
e tjera.
Në moshë të shtyrë u rikthye atje ku kishte nisur jetën rregulltare: në Shkodër, ku
dha mësim në Seminarin ndërdioqezan, që sapo ishte hapur, mbi historinë e kombit dhe
të krishterimit shqiptar, duke i mësuar të rinjtë shqiptarë mbi të kaluarën dhe rrënjët
etnike e shpirtërore, shpresë e ardhmërisë së Kombit dhe të Kishës së martirizuar
shqiptare.
Figura poliedrike të atë Vinçenc Malajt
Në tetor të vitit 2010, më Mal Zi, misioni françeskan në Tuz, organizoi një simpozium shkencor, në qendrën polivalente kishtare, në Sukruç, mbi figurën poliedrike të atë Vinçenc Malajt, më rastin e 10 vjetorit të vdekjes. Në këtë simpozium shkencor u fol mbi kontributin e atë Malaj në fusha të ndryshme si në histori, arkeologji, folklor, poezi, art e teologji. Në vijim propozojmë kontributin e Gjovalin Çunit e Hasan Hasanit
Kontributi i Atë Vinçenc Malajt
Në vargun e albanologëve mendimtarë të kohëve moderne hyn edhe françeskani Atë Vinçenc
Malaj.
Vepra e tij shkencore “Kuvendi i Arbënit 1703”, tanimë i është nënshtruar analizave
dhe vlerësimeve shkencore. Vepra është përkthyer në shqip nga muzikologu u mirënjohur,
studiuesi prof. Tonin Zadeja. Studiues të tjerë para Malaj-t, janë marrë me këtë ngjarje
historike kishtare e kombëtare të shekullit XVIII, duke analizuar aspekte të veçanta,
ku mbizotërojnë ato gjuhësore, ndërsa në veprën e tij, Malaj përpiqet të nxjerrë në
pah vlerat e këtij Sinodi me karakter juridik - kishtar dhe doktrinar, në pikëpamje
historike, linguistike dhe shkencore (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër,
2000, fq. 264).
Atë Vinkoja (sikurse e thërrisnin të gjithë me dashamirësi), ishte vazhdues i asaj
plejade klerikësh, që deri në frymën e fundit të jetës së tyre menduan për dijen,
librin, kulturën. Atë Gjergj Fishta, sipas bashkëvëllezërve të tij, ndërsa ndodhej
në shtratin e vdekjes, në mënyrë të posaçme na linte porositë për Bibliotekën Françeskane,
këndi më i dashur i jetës së tij, Atë Justin Rrota solli në Shqipëri të fotokopjuar
në vitin 1929, “Mesharin” e dom Gjon Buzukut; Atë Vinçenc Prenushi i dha emrin dhe
e përktheu; albanologu Atë Zef Valentini, italian me zemër shqiptare e shkriu vetën
në biblioteka të ndryshme evropiane për të nxjerrë dokumente tepër të vlefshme historike
etj. Kontributi i Atë Vinçenc Malaj-t në fushën e bibliotekarisë është i shumanshëm.
Malaj krijoi vlera me të cilat duhet të krenohet shkenca shqiptare e bibliotekarisë.
Biblioteka personale
Detyra e klerikut dhe e dijetarit e detyruan atë të familjarizohet me librin. “Shpeshherë
e kujtojnë bashkëvëllezërit françeskanë atë Malaj, që edhe bukë hante me libër në
dorë. Në kishë, në bibliotekë dhe me njerëz kalonte pjesën më të madhe të kohës.”
(Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, fq. 254).
Bibliotekat publike, si gurrë informimi janë të domosdoshme, por sado të pasura dhe
komode që janë, ato nuk mund të zëvendësojnë bibliotekën e shtëpisë, nuk mund të japin
gëzimin dhe intimitetin që të shkakton një libër i vjetër, një dokument i rrallë në
duart tuaja.
Nga vizitorë të ndryshëm, miq të Malaj-t marrin vesh diçka për bibliotekën personale
dhe vlerat e saj. Studiuesi Klajd Kapinova, mik i Malaj-t na informon, se biblioteka
e tij e vendosur brenda famullisë shërbente edhe si kabinet pune dhe kishte “disa
mijëra e mijëra vëllime dhe tekste të lashta, që nga shekulli XII deri në ditët e
sotme, tekste në pergamenë dhe libra të rrallë të shtypshkronjave evropiane të Mesjetës.
Nuk mungonin mbishkrimet e lashta latinisht...” (Klajd Kapinova, Po aty, f. 255),
ndërsa nga dr. Ahmet Osja, njoftohemi se librat e vjetër kanë qenë pasioni i tij i
veçantë dhe më tej shton: “Është talenti dhe përkushtimi i tij, që e bëri të arrinte
të kompletonte më së miri një bibliotekë të veçantë, jo vetëm për numrin e librave,
por edhe për rëndësinë e tyre në famullinë e Tuzit” (Po aty, f. 257 - 258).
Dashuria për librin nuk kaloi pa rënë edhe në sy të eprorëve të tij françeskan, të
cilët e ngarkuan me detyrën e bibliotekarit në Kuvendin Françeskan të Kotorrit (1958
- 1962), në Bibliotekën e Kuvendit ‘Mala Braqa’ në Dubrovnik (1960 - 1966), censor
librash në Tivar në vitin 1974.
Hulumtuesi dhe kërkuesi
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e Atë Malaj-t zunë edhe hulumtimet dhe kërkimet
në bibliotekat e ndryshme të Romës, ish - Jugosllavisë, Evropës, SHBA-së etj., me
rëndësi të veçantë për studiuesit e albanologjisë. Bazuar në të dhënat e autorëve
të ndryshëm, për historikun e zhvillimit të gjuhës së shkruar shqipe, në vitin 1995,
françeskani Malaj na jep informacion të saktë edhe për ekzistencën e bibliotekave
mesjetare në hapësirën shqiptare, informacion i panjohur deri atëherë.
Duke analizuar kontributin e klerit katolik në shkrimet shqipe gjatë shekullit XII,
Atë Vinçenc Malaj shkruan: “Qendra të fuqishme të administratës e kulturës, arkiva
e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Dioklesë, Tivarit, Shkodrës
dhe Shkupit...” (P. Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999,
f. 280) dhe më tej, duke analizuar urdhërin e Dominikanëve, themeluar në Durrës më
1224 dhe të shpërndarë në anë të ndryshme të vendit, tërheq vëmendjen në shprehjen
e famshme të arqipeshkvit të Tivarit Gugliemus Adae: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt
tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në tërë librat e tyre”.
Megjithëse nuk shënon gjë në studimet e tij, Malaj, duket se bashkohet me faktin e
pranuar edhe nga autorë të tjerë shqiptarë mbi qarkullimin e librave tek ne ende pa
lindur shtypshkronja (Injac Zamputi, “Çështje të shkrimit dhe fillimit të letërsisë”,
“Hylli i Dritës”, Tiranë 1995, nr. 1- 2, f. 27 - 30), si dhe shënon faktin që në Bibliotekën
e Dominikanëve në Split (Kroaci), me tërheqjen e këtyre të fundit nga Shqipëria: ruhen
7 libra koralë (4 gradualë e 3 aniforë) shkruar me pergamen nga shekulli XV bashkë
me shumë inkunabula të sjella prej Kuvendit të Durrësit përkrye Venedikut në vitin
1513”. (V. Malaj, “Të dhanat albanologjike 2”, Ulqin - Tuz, 1999).
Ashtu siç vërente studiuesja Olga Peroviq, formimi i tij personal, interesimi për
gjithçka, shëtitjet dhe studimet në qendrat më të zhvilluara të Evropës dhe sidomos
zotërimi i disa gjuhëve të huaja evropiane dhe klasike, si: greqishtja e vjetër, e
ndihmuan atë në fushën hulumtuese dhe kërkuese. (Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”,
Shkodër, 2000, f. 254).
Kulmi i kësaj veprimtarie u shënua në vitin 1968, vit në të cilin hapësirat shqiptare
përgatiteshin për festimin e 500 - vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Në vitin 1968, në revistën “Shejzat” (Le Pleiadi), drejtuar nga shkrimtari prof. Ernest
Koliqi, nr. 1 - 2 - 3, jep të dhëna rreth gjetjes në Bibliotekën Kombëtare të Romës
të një vepre të panjohur të Gjergj Kastriotit, operën “Scanderbeg”, me libretë të
Antonio Salvit, botuar në Firencë më 1718 dhe muzikë të kompozitorit të famshëm Antonio
Vivaldi, luajtur për herë të parë në Firencë më 22 janar 1718, në teatrin Pergola.
Zbulimi i nënshtrohet një studimi të thellë, jo vetëm letrar e historik, por edhe
një analize muzikore, gjë që të lejon që të arrish konkluzionin që frati ynë kishte
edhe njohuri të mira muzikore.
Një vepër tjetër e rëndësishme e panjohur u publikua nga Malaj gjatë këtyre viteve.
Është fjala për një tjetër operë mbi Gjergj Kastriotin, një tragjedi e gjetur në Bibliotheque
de l’Opera dhe në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Opera është e vitit 1735 me libretë
të autorëve La Mote - La Serre, dhe muzikantëve Rebel - Francuer. Ajo u luajt për
herë të parë më 27 tetor 1735. Gjithnjë sipas shënimeve të Malaj-t, në njërën nga
33 shfaqjet e saj, në vitin 1763, ajo u shfaq në Chosy, Fontainebleau para mbretit
Luigi XV dhe oborrtarëve të Versajës. (Vinçenc Malaj, “Të dhana albanologjike 2”,
Ulqin - Tuz, 1999, f. 25 - 26, 57, 63, 73).
Zbulimi i këtyre dy operave pati ngjallur zilinë e studiuesve shqiptarë, të cilët
u përpoqën të përvetësonin mundin dhe djersën e klerikut. “E kemi fjalën, thotë studiuesi
Willy Kamsi, ndër të tjera për studimin që i bani atë Vinçenci, operës së Antonio
Vivaldit, kushtue heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skanderbegut. Tjetër kush
e zbuloi, tjetër kush u frynte në Tiranë për këtë zbulim” (W. Kamsi, Artikull i cituar).
Fryt i kërkimeve të tij janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e urdhrit
françeskan. Duke thyer kornizat e një akademiku, ai i kushtoi një kujdes të veçantë
edhe hulumtimit të kulturës popullore në trevat shqiptare të Malit të Zi dhe në krahinën
arbëreshe të Falkonarës, Itali. Kërkimet e tij i botonte në disa revista të dëgjuara
të hapësirës shqiptare dhe në gjuhë të ndryshme, ku mbizotëronte italishtja dhe serbokroatishtja.
Biografi dhe recensenti
Vend të rëndësishëm në funksionimin normal të një biblioteke padyshim luajnë edhe
biografitë dhe bibliografi, ose, thënë ndryshe, njeriu që harton një listë sistematike
të publikimeve të llojeve dhe autorëve të ndryshëm, bazuar në argumentet e trajtuara.
Bibliografia shqiptare, ka fillimet e saj në vitin 1870 me filologun slloven Franc
Mikloshiç, me veprën: “Elementet sllave në gjuhën shqipe”, botuar në Vjenë. Por siç
shkruan prof. Jup Kastrati: “... botimet e mirëfillta bibliografike mbi vendin dhe
historinë tonë, shfaqen me arkitektin Georg T. Petroviç. Libri i tij “Skënderbeu”,
shtypur në Paris më 1881, është një sprovë bibliografike e arsyetuar për Heroin tonë
Kombëtar Gjergj Kastrioti, shkruar në nëntë gjuhë”. (J. Kastrati, “Për një bibliografi
shkencore albanologjike”, Tiranë 1996, f. 13).
Pa dashur të ndalemi te të gjithë bibliografët që trajtuan probleme shqiptare, duhet
theksuar se atë Vinçenc Malaj OFM hyn në radhën e bibliografëve më të shquar shqiptarë,
duke u radhitur në krah të Gj. Pekmezit, Lumo Skendos, J. Rrotës, K. Gurakuqit, Dh.
Paskos, J. Kastratit etj.
E veçanta e bibliografive të tij qëndron në faktin, se i referohet direkt burimit
origjinal, duke u përpjekur të shmangë burimet dytësore. Bibliografitë e tij kanë
edhe shenja të origjinalitetit. Shpeshherë ato janë të formës biobibliografike dhe
shoqërohen me anonime të shumta, siç ndodh me botimin e vitit 1979, “Shënime Bio-Bibliografike
mbi Gjeçovin në 50 - vjetorin e vdekjes”. (V. Malaj, “Të dhana albanologjike 2”, Ulqin
- Tuz, 1999, f. 111).
Në përgjithësi, autori nuk ndjek rregulla fikse të përpunimit të bibliografive. Ai
u shmanget atyre duke u përpjekur që të lehtësojë sa më tepër punën e studiuesve.
Disa nga studimet e tij të veçanta, ndonëse nuk janë thjesht punime bibliografike,
falë thellësisë së argumenteve, bazuar në një literaturë të bollshme, kanë shërbyer
si burime të rëndësishme bibliografike, ku mund të veçojmë studimet: “Stefano Zanovich,
un sedicente erede di Scanderbeg”, 1974 dhe studimin tjetër paraqitur në Mbledhjen
e V-të të Studimeve Ndërkombëtare në Palermo (Itali), në vitin 1968, “Neccissità d’un
coordinamento bibliografico castriotiano”.
Autori në këtë shkrim shpreh shqetësimin e mungesës së studimeve bibliografike mbi
Gjergj Kastriotin në prag të 500 -vjetorit të vdekjes së tij. I pakënaqur edhe nga
puna e bërë në këtë drejtim nga shkencëtarët shqiptarë, ai hedh idenë e hartimit të
kësaj bibliografie dhe hartimin e saj bazuar në ndarjet:
1. Dokumente.
2. Punime historike:
a) bibliografi;
b) studime historiko - kritike dhe artikuj mbi Gjergj Kastriotin;
3. Vepra letrare:
a) poema e poezi;
b) drama dhe melodrama;
c) romane dhe novela;
4. Vepra operistike.
Gjatë shtjellimit të ideve të tij në këtë studim, ai u referohet 137 zërave bibliografikë
dhe shumë fotografive e frontespiceve të librave të ndryshëm. Megjithëse kërkonte
koordinimin e veprimtarisë shkencore në të dy anët e kufirit, duke kuptuar vështirësitë
politike për realizimin e kësaj pune, albanologu Malaj, inkurajonte përpjekjet që
bëheshin në Shqipëri për botimin e kësaj vepre, ashtu edhe siç hidhërohej për shtyrjet
e pakuptimta të botimit.
Punimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Bibliografi (1454 - 1835)”, arriti të botohej
vetëm në vitin 1997. Punimi është realizuar nga Kasem Biçoku dhe Jup Kastrati. Ndonëse
i ndërtuar në një formë krejt tjetër nga ajo çfarë propozoi Atë Vinçenc Malaj, në
të zënë vend mjaft zëra bibliografikë të pasqyruar nga Malaj në punimet: “Un opera
musicale francese del settecento su Scanderbeg”, “Necessita d’un cordinamento bibliografico
castriotiamo”, botuar gjatë viteve 1968 - 1969 në numra të ndryshëm në revistën “Shejzat”
dhe në Aktet e Konferencës së V Ndërkombëtare në Palermo (Shih Biçoku & Kastrati “Gjergj
Kastrioti Skënderbeu Bibliografi 1454 - 1835” 1, Tiranë, 1997, f. 440 - 441).
Në vitet 1970 dhe 1985, kemi përsëri dy botime të albanologut Malaj, në njërën si
bashkautor. Botimet pasqyrojnë punën shkencore të dy personaliteteve të shkencës albanologjike,
italianëve Zef Valentini dhe Antonio Baldacci (1867 - 1950), “Bibliografia di Giuseppe
Valentini”, që u botua në vitin 1970. Miqësia me pader Zef Valentinin, duhet të ketë
qenë e hershme. Ndonëse jo e deklaruar në shënimet e tij, Malaj duhet ta ketë njohur
apo edhe patur profesor Valentinin, gjatë kohës kur në Shkodër mësonte në Gjimnazin
Klasik të Jezuitëve. Kjo miqësi u përforcua akoma edhe më tepër gjatë studimeve të
Malaj-t për letërsi italiane dhe botërore në Universitetin e famshëm “La Sapienza”,
Romë, më 1966, ku edhe diplomoi, duke fituar gradën shkencore “Doktor” dhe në komisionin
e vlerësimit ishte dhe prof. pader Zef Valentini.
Gjatë qëndrimit në Itali Atë Vinçenc Malaj ishte anëtar i “Qendrës Ndërkombëtare për
Studime Shqiptare”, pranë Universitetit të Palermos. Në “Vjetari i vitit Akademik
1966 - 1967” të kësaj Qendre, krahas shumë albanologëve të dëgjuar, mes të cilëve
edhe pader Zef Valentini si nënpresident dhe drejtor i Qendrës, gjejmë edhe emrin
e pader Vinçenc Malaj. (Vjetari i vitit Akademik 1966 - 1967, Palermo, 1967, f. 162).
“Padre Zef Valentini, shkruan atë Malaj, e dashuronte dhe vazhdon ta dashurojë Shqipërinë,
tokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që e konsideronte atdheun e tij të adoptuar
dhe ideal”.
Bibliografia, është më tepër një listë librash, studimesh, artikujsh e recensionesh
të renditura në mënyrë kronologjike sipas viteve të botimit. Autori Malaj, është i
vetëdijshëm, se në të nuk janë përfshirë të gjitha botimet e Valentinit, por e botoi
atë vetëm nisur nga vlerat albanologjike të lëndës së trajtuar.
Biografia e dytë: Antonio Baldacci (1867 - 1950), Bibliografski Vjesnik, God. XVI,
Br. 1 Cetinje, 1985, është një bashkëpunim me Vukiq Puleviq. Ajo ka karakter bibliografik
dhe pasqyron jetën dhe studimet e Baldaçit, botanistit të shquar, studiuesit të florës
dhe veçorive të gjeografisë bimore të Malit të Zi, Shqipërisë, Greqisë, Kretës, etj.
Në bibliografi jepen edhe zëra të ndryshëm që i përkasin etnografisë, toponomastikës,
antropologjisë, historisë, arkeologjisë, etj. E reja që sjellin autorët në këtë bibliografi
është “Literatura” mbi Baldaçin.
Me intuitën e një bibliotekari të zellshëm, Malaj-n e vërejmë edhe në rolin e recensentit.
Ashtu si paraardhësit, faqet e fletores “Shejzat” u përpoq t’i kthente në tribuna
të mendimit albanologjik. E deshti albanologun Aleksandër Stipçeviç, jo se ishte thjesht
një arbëresh nga Arbanasi afër Zarës (Kroaci), jo se e lidhte puna e bibliotekarit,
por i vlerësonte përpjekjet e bëra përmes botimeve të tij, për të nxjerrë në dritë
rrënjët e kombit. E vlerësoi dhe u bëri mjaft publicitet veprave të Stipçeviçit: “L’arte
degli Illiri” (1963), “Gli Illiri” (1966), si dhe botimit që përgatitej të dilte:
“Bibliografi ilirjane”.
Frati i Tuzit, i dhënë pas fesë, nuk pushoi së punuari edhe për kulturën shqiptare.
Miku i të gjithëve
Kontributi i Atë Vinçenc Malajt ofm në fushën e bibliotekave qe i gjithanshëm. Përpos
mundit dhe shpenzimeve materiale, ai i la bibliotekës shqiptare, veprën e tij, të
përbërë prej 30 studimesh shkencore në fusha të ndryshme, disa kumtesa të mbajtura
në Konferenca Ndërkombëtare, artikuj të shumtë që mbushën faqet e fletoreve më prestigjioze
shqiptare në qendrat evropiane dhe në SHBA, materiale arkeologjike dhe shumë vepra
arti, të cilat përbëjnë pjesën më të rëndësishme të kontributit albanologjik të shqiptarëve
në Mal të Zi.
Frati pat shumë miq. Lista e tyre është shumë e gjatë. Ata janë shqiptarë dhe të huaj;
disa rrojnë akoma, të tjerët ashtu si edhe Malaj, kanë vdekur për t’u bërë të pavdekshëm.
Ambientet shkencore e vlerësuan punën e tyre. Shpërblimet e mirënjohjet nuk u munguan.
Në vitin 1999, për kontributin e madh të dhënë në fushën e kulturës, si albanolog
i shquar dhe i palodhur, nga Akademia malazeze u vlerësua me titullin e lartë “Akademik”.
Ishte themelues dhe Kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore “Don Gjon Buzuku” në Ulqin
dhe Tuz, anëtar i Shoqatës “Illyricum” në Tuz dhe i asaj “Matica Cernagorska” në Cetinë,
profesor i lëndës së historisë së Krishterimit në Shqipëri, në Seminarit e Lartë të
Filozofisë e Teologjisë në Shkodër.
Atë Vinçenc Malaj ndërroi jetë në vitin 2000 në kulmin e veprimtarisë së tij shkencore.
Studiues të ndryshëm, shënojnë shumë vepra që kanë mbetur në dorëshkrim, ku veçojmë:
“Bibliografinë e plotë të punimeve të Atë Zef Valentinit” në bashkëpunim më studiuesin
shkodran Willy Kamsi, “Seria e dorëshkrimeve të shkruara në gjuhën serbokroate”, “Bibliografia
për martirët e krishterimit në trojet iliro-shqiptare”, një bibliografi prej 250 zërash,
për të cilën vetë Malaj deklaronte: “Kjo është vepra ime më e madhe e jetës”. (Klajd
Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër 2000, f. 256).
Pasioni i Akademik Profesor Atë Vinçenc Malaj OFM ishte Ungjilli e shkenca, frymëzimi
i tij qe përjetësisht feja në Jezu Krishtin.
“... feja në Zotin është ajo që e fisnikëron më shumë jetën e njeriut, ajo të mbron
dhe të ngushëllon në çdo moment të vështirë të jetës”, deklaronte ai.
Nga Gjovalin Çuni
All the contents on this site are copyrighted ©. |