2017-02-03 13:07:00

Urdhëri i Maltës: falenderojmë Papën për zgjidhjen e shpejtë të krizës


Urdhëri i Maltës falenderon Papën Françesku për zgjidhjen e shpejtë të krizës së kohëve të fundit. Dje, në një konferencë shtypi në Romë, Kancelari i Madh i Urdhërit, Albrecht von Boeselager, u sqaroi gazetarëve çështjen.

Ai vetë u shkarkua nga detyra në dhjetor, por u kthye në funksionin e vet në janar, pasi Ati i Shenjtë kërkoi dorëheqjen e Mjeshtrit të Madh, Fra’ Matthew Festing. Kancelari mundi të hedhë poshtë akuzat, sipas të cilave ai kishte lejuar përhapjen e kontraceptivëve gjatë veprimtarive asistenciale të Urdhërit në Azi e në Afrikë. “Jam besnik ndaj mësimeve të Kishës”, deklaroi von Boeselager për gazetarët, duke nënvizuar se ndërhyrja e Atit të Shenjtë nuk e dhunon aspak sovranitetin e Urdhërit të Maltës, sepse ka të bëjë me përmasën fetare të tij e jo me statutin. Synimi i Papës, theksoi më tej, është forcimi i misionit të Urdhërit e jo dobësimi i tij. Përsa i përket Legatit papnor, që akoma duhet emëruar, von Boeselager shpjegoi se ai do të përqendrohet në aspektet fetare dhe në rolin e anëtarëve të Urdhërit.

Kancelari i Madh nënvizoi se misioni i Urdhërit do të vijojë të favorizojë ndihmën, sidomos shëndetësore, për miliona njerëz, që ikin nga lufta, dhuna e mjerimi. “Jemi të alarmuar e të shqetësuar – pohoi – për qëndrimet diskriminuese ndaj emigrantëve, bazuar mbi kombësinë. Historia na jep shembuj të shumtë, që dëshmojnë pasojat dramatike dhe të shëmtuara të politikave, bazuar mbi prejardhjen dhe etninë. Njëkohësisht, Urdhëri i Maltës mban qëndrim kundër indiferencës në rritje për të drejtat humanitare, të sanksionuara me Konventën e Gjenevës. Ato norma – shpjegoi – jo vetëm janë nga më të injoruarat, por publikisht sfidohen dhe hidhen poshtë nga shtetet e ndryshme”. Von Boeselager ripohoi impenjimin e Urdhërit të Maltës për të bashkëpunuar me OKB-në në favor të refugjatëve sirianë në Libi. Kriza e fundit shkaktoi një rënie të vogël të donacioneve, por jo aq të rëndësishme.

Së fundi, Kancelari i Madh falenderoi edhe Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, Komisionin hetimor formuar nga Papa dhe vetë Fra’ Festing, që dha dorëheqjen. Zgjedhja e pasardhësit të Mjeshtrit të Madh do të bëhet gjatë tre muajve të ardhshëm, siç parashikohet nga Kushtetuta, por data nuk është caktuar akoma.








All the contents on this site are copyrighted ©.