2017-02-03 15:03:00

Gallagher: askush nuk është i gjithëpushtetshëm e përmbi të drejtën


Promovimi i kulturës së paqes: kjo, tema e Lectio magistralis mbajtur dje në Universitetin Sophia të Tokios. nga imzot Paul Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet me shtetet. Ishte një nga takimet e shumta  të shtegtimit të tij në Japoni, nisur më 27 janarin e kaluar e përfunduar sot.

Paqja është virtyt aktiv  

Imzot Gallagher foli para  bashkësisë së një universiteti katolik, drejtuar nga Shoqëria e Jezuitëve, i cili synon formimin e përgjithshëm të njeriut, pa harruar asnjë temë që ka të bëjë me jetën e individëve dhe të popujve. Ndërmjet tyre, ajo e paqes. E imzot Gallagher shpjegoi menjëherë se kuptimi i vërtetë i paqes, që lidhet ngushtë me Doktrinën e Kishës e që mund të jetë edhe agjendë për marrëdhëniet ndërmjet shteteve, njëjtësohet me një virtyt aktiv, që kërkon angazhimin e çdo njeriu dhe të të gjithë korpit shoqëror.

Drejtësia, themel i paqes

Prej këndej sigurimit të paqes, parë si bashkëjetesë e rregullt ndërmjet popujve, duhet t’i paraprijë parandalimi i shkaqeve, që mund të shkaktojnë shpërthimin e luftës. Në rrënjën e paqes, pra, është drejtësia, e drejta e çdo njeriu, si dhe respektimi i bazave themelore të marrëdhënieve njerëzore.  Tepër shpesh harrohet lidhja themelore ndërmjet paqes e kulturës së paqes - pohoi imzot Gallagher - prej këndej - vijoi - modeli i OKB-së, ndonëse përcakton  norma e ndalime, është dëshmitar i shkeljeve të vazhdueshme të paqes.

Kërkimi i palodhshëm i bisedimeve

Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet shpjegoi edhe domethënien e kulturës së paqes, e, sidomos, atë të mospranimit të luftës. Por, përballë realitetit konkret, që flet krejt ndryshe, kultura e paqes mund të ndihmojë së paku për regullimin e përdorimit të forcës, sipas normave të jus in bello, që i ndalon krimet ose aktet kundër civilëve, të plagosurve e robërve të luftës.  Ashtu si edhe për kërkimin e palodhur të bisedimeve dhe të arbitrazhit. Kultura e paqes  mund të ofrojë gjithnjë rrugëzgjidhje edhe për probleme të tjera ose për veprimtarinë terroristike, që destabilizon jetën kombëtare e ndërkombëtare, duke shkaktuar frikë, mosbesim, mungesë kohezioni ndërmjet vendeve.

Nga formimi, tek kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes

Imzot Gallagher citoi, më pas, “Deklaratën mbi të drejtën për paqe”, që po shqyrtohet në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së, e cila do të dëshironte ta sanksiononte paqen, parë si dëshirë e përhershme e individëve dhe e popujve, duke theksuar se kjo dëshirë mund të realizohet përmes parashikimit e parandalimit të luftës. Nga paqja negative, domethënë, nga mugesa e luftës, mund të kalohet tek koncepti i paqes pozitive, përmes jrijimit të parakushteve e paqes, ndërmjet të cilave, edukimi, studimi, liria intelektuale e fetare, kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes.

Të drejtat e refugjatëve

Kultura e paqes përfshin edhe të drejtën e rikthimit të shtëpive e të pasurive të refugjatëve dhe të të shpërngulurve për shkaqe lufte, ose përballimin e çështjes së zhdukjes së njerëzve gjatë konfliktit. Në rast emergjencash humanitare ose ushqimore, imzot Gallagher vë theksin mbi nevojën e kapërcimit të interesave vetjake, në emër të promovimit të të drejtave të njeriut  dhe të krijimit të kushteve të përshtatshme për jetën e të gjithëve.

Siguria dhe respektimi i të drejtave

Asnjë individ ose grup njerëzor nuk mund ta konsiderojë veten të gjithëpushtetshëm, të autorizuar për të shkelur nën thundër dinjitetin dhe të dhe të drejtat e individëve e të bashkësive të tjera. E gjithë kjo kërkon teorinë  e sigurimit e të parandalimit - pohon imzot Gallagher - e jo vetëm të luftërave, gjë që duhet bërë me atë guxim krijues, që na e kujton  Papa Françesku, pa të cilin kultura  e paqes mbetet letër e vdekur. Sfida që duhet të përballojmë, është  të dimë të vlerësojmë  çfarë është në shërbim të së mirës së përbashkët të familjes njerëzore, e ç’është fryt i interesave ose    ose i kërkesave të veçanta  - përfundon imzot Gallagher. - Në këtë drejtim mund të japin ndihmesë të shquar vizionet fetare dhe kërkimet universitare,  qellimi kryesor i të cilave është: të përgatisin udhën për ardhmërinë e paqes, ardhmëri e mundshme, ardhmëri për të gjithë. Detyrë dinamike, kultura e paqes, por që duhet çuar gjithnjë përpara, në mënyrë që, siç lexohet në “Pacem in terris”: “Të vëllazërohen të gjithë popujt e tokës e mbi të lulëzojë e të mbretërojë e shumëdëshiruara  paqe”. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.