2017-02-02 14:31:00

Paraqitja e Krishtit në tempull, festë e dritës.


Festa e dritës (shih Lk 2,30-32), e ka zanafillën në Lindje, ku njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe në perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali, me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi ta quante festën ‘Kandelora’ - tek shqiptarët, ‘Zoja e Qirave’.

Paraqitja e Zotit në tempull, që mbyll kremtimet e Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës Mari e të Jozefit  dhe me profecinë e Simonit, i hap rrugën Pashkëve.
Në Martiriologun Romak shkruhet: “Festa e paraqitjes së Zotit, e quajtur ‘Ipapánte’ nga grekët, kremtohet 40 ditë pas lindjes së Krishtit, kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si për t’iu nënshtruar ligjit të Moisiut, ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar e të ngazëllyer, si dritë që ndriçon njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”.

Dëshmia e parë për kremtimin e festës së sotme vjen nga Jerusalemi i shekullit IV e, deri në reformimin e Kalendarit, njihet si Festa e pastrimit të Virgjërës Mari, që tregohet në Ungjillin e Lukës. Tradita shqiptare na kujton se sot kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull e pastrimi i Zojës prej ligimit të fëmijës.

Sipas Ligjit të Moisiut, çdo djalë i parë, 40 ditë pas lindjes, çohej në tempull dhe aty i kushtohej Hyjit ndërsa, në të njëjtën kohë, e ëma, me një bekim të veçantë, pastrohej nga përlimi i lindjes e fitonte rishtas të drejtën të merrte pjesë, me gratë e tjera, në kremtimet fetare të tempullit. Që këtu dokja e dikurshme kishtare që gruaja, pas lindjes, duhet të paraqitej, porsa të çohej nga ligimi i fëmijës, në Kishë, që të hynte në uratë. Për të shprehur nënshtrimin e plotë, prindërit duhet të çonin një qengj si flije falënderimi, ose, në se ishin të varfër, një çift pëllumba a turtuj. Krishti, që në çastet e para të jetës deshi t’i rrinte besnik Ligjit të Moisiut. Prej këndej të përgjakurit dhe shugurimi zyrtar ndaj Zotit.

Po ashtu Zoja e Bekuar, krijesa më e pastër, pranoi të pastrohej, ashtu si të gjitha gratë. Ndërsa Krishti fëmijë kryen këtë sjellje rituale, një plak i del para Marisë e Jozefit e, duke e marrë foshnjën në duar të veta, njeh në Të e dëshmon Shëlbuesin. I rrëmbyer në shpirt, këndon këngën profetike: “Tani merre, o Zot, shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, në paqen tënde, sepse sytë e mi panë shpëtimin (Shëlbuesin) që vjen prej teje (Ungjilli). Mesha e ditës paraprihet nga bekimi i qirinjve, simbol i Krishtit, që është drita e botës e nga procesioni, i cili simbolikisht e drejton besimtarin drejt tempullit të qiellit, drejt lumturisë së pasosur.

                  Paraqitja e Zotit në Tempull (Ipapandia)
Dyzet ditë mbasi u lind, Jezusi u paraqit para Hyjit në Tempullin e Jerusalemit, sikurse e kërkonte Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe nëna e tij Maria bëri ritualin e pastrimit dhe ofroi flijimet, sikurse i kërkonte Ligji. Prandaj, dyzet ditë mbas Krishtlindjes Kisha kremton, më 2 Shkurt, Paraqitjen e Zotit në Tempull (Ipapandinë).
Pritja e Krishtit nga plaku Simon dhe profetesha Ana (Lluka 2:22-36) është ngjarja kryesore e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull. I qe “zbuluar Simonit me anë të Shpirtit të Shenjtë, se nuk do ta shikonte vdekjen përpara se të shikonte Zotin Krisht” (Lluka 2:26) dhe, i frymëzuar prej të njëjtit Shpirt, ai erdhi në Tempull, ku paraqiti Mesinë e porsalindur, e mori në krahët e tij dhe tha fjalët, që tani thuhen çdo ditë në shërbesën e Lutjeve të Mbrëmjes.
“Tani, o Zot, lëshoje shërbëtorin tënd të vdes në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd, që Ti e përgatite në sy të të gjithë popujve. Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit”. (Luka 2:29-32).
Në këtë kohë, Simoni parashikoi gjithashtu, që Jezusi do të jetë një “shenjë kundërshtimesh” dhe që Ai do të shkaktojë “rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael”. Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të birit të saj (Lluka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falënderuar Hyjin “ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem” (Lluka 2:38).
Në shërbesën e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, theksohet fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Hyjit, me anë të të cilit u krijua bota, tani po mbahet si fëmijë në duart e Simonit; i njëjti Bir i Hyjit, Dhënësi i Ligjit, tani Ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje.
Kremtimi i Paraqitjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë Zot, si Simoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në Kishën e Mesisë, anëtarët e Kishës mund të kërkojnë “paraqitjen” e tyre te Zoti dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të lëshohen e të shkojnë në paqe”, meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Zotit në personin e Krishtit.

Gëzohu, o hirplote, Hylindëse Virgjëreshë,
se prej teje ka lindur Dielli i Drejtësisë,
Krishti Perëndia ynë, që ndrit në errësirë.
Gëzohu dhe ti, o plak i drejtë,
që prite në krahët e tu
Shpërblyesin e shpirtrave tanë,
i cili na dhuroi Ngjalljen të gjithëve.

Me lindjen Tënde, Ti Shenjtërove gjirin e Virgjëreshës
dhe bekove duart e Simonit,
O Krisht Hyji ynë.
Tani Ti erdhe dhe na shpëtove me anë të dashurisë.
Falu paqen të gjithë të krishterëve e njerëzimit mbarë,
o i vetmi Njeridashës e Jetëdhënës.

(Shkurtorja)

Ne datën 2 Shkurt, 40 dite pas Krishtlindjes, Kisha Orthodhokse perkujton paraqitjen e Zotit tone Jezu Krishtit ne Tempull, per te plotesuar urdheresen e Ligjit te Moisiut. Cdo femije duhet te paraqitet ne pranine e Zotit, si per te falenderuar Zotin per mbrojtjen e nenes dhe femijes gjate lindjes, ashtu dhe per t'I kerkuar Atij ndihmen qe te jete Mbrojtesi i ketij femije gjate jetes!

Gjate kesaj ngjarjeje, Jezui u njoh si Mesia i premtuar nga Simoni dhe Ana, dy njerez qe prisnin me padurim ardhjen e Shpetimtarit te premtuar!
Ja dhe pjesa nga Ungjilli:
22 Me t’u plotësuar ditët e tyre të pastrimit, sipas ligjit të Moisiut, e çuan foshnjën në Jeruzalem për t’ia paraqitur Zotit,
23 siç është shkruar në Ligjin e Zotit: ‘Çdo mashkull i parëlindur do të quhet i shenjtë nga Zoti’,
24 dhe për të ofruar flijimin, siç thuhet në Ligjin e Zotit: ‘një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash’.
25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri, që quhej Simeon; ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit, e Fryma e Shenjtë ishte me të.
26 Atij i ishte zbuluar prej Frymës së Shenjtë se nuk do të vdiste para se të shihte Krishtin e Zotit.
27 I shtyrë nga Fryma, ai shkoi në tempull; kur prindërit sollën fëmijën Jezus, për t’i bërë Atij çka kërkonte zakoni i Ligjit,
28 ai e mori ndër krahë, lëvdoi Perëndinë dhe tha,
29 "Tani, Imzot, lëre shërbëtorin Tënd të shkojë në paqe, sipas fjalës Sate,
30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin Tënd,
31 që Ti ke përgatitur para syve të të gjithë popujve,
32 dritën që u jep zbulesën kombeve dhe lavdinë popullit Tënd, Izraelit."
33 I ati dhe e ëma mahniteshin me çka po thuhej për Të.
34 Simeoni i bekoi ata dhe i tha Marisë, nënës së Tij: "Ja, ky është caktuar për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael, si shenjë që do të kundërshtohet,
35 që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Edhe ty një shpatë do ta përshkojë tejpërtej shpirtin tënd."
36 Atje ishte një profete me emrin Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Aserit; ajo ishte e shtyrë në moshë, dhe kishte jetuar me të shoqin shtatë vjet pas virgjërisë së saj.
37 Pastaj mbeti e ve deri në moshën rreth tetëdhjetekatër vjeçare dhe nuk largohej nga tempulli, duke shërbyer natë e ditë me agjërime e lutje.
38 Ajo erdhi po në atë orë, dhe filloi të falënderonte Perëndinë e t’u fliste për Të të gjithë atyre që prisnin shpengimin e Jeruzalemit.
39 Ata, me t’i kryer të gjitha gjërat sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.








All the contents on this site are copyrighted ©.