2017-02-02 18:00:00

Papa kremton meshën me rregulltarët në Bazilikën e Vatikanit


“Jeta e përkushtuar është dhuratë e madhe e Zotit: dhuratë e Zotit për Kishën, dhuratë e Zotit për Popullin e vet”. Kështu shkruante Papa Françesku në tweet-in e tij të sotëm, para se të kremtonte meshën me rregulltarët e rregulltaret, sot pasdite, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Festa e sotme e Paraqitjes së Zotit në Tempull është njëkohësisht edhe Dita kushtuar të shuguruarve.

 E Ati i Shenjtë Bergoglio u nis pikërisht nga Liturgjia e ditës, që na paraqet Simeonin, të cilit i gëzon zemra, sepse mban në krahë Foshnjën Hyjnore, prandaj i thur lavde dhe e bekon Zotin me gjithë shpirt.

“Kënga e Simeonit – nënvizoi Papa – është kënga e njeriut besimtar, që, në fund të ditëve të tij, mund të pohojë: është e vërtetë, shpresa në Zotin nuk të zhgënjen kurrë, Ai i Lumi nuk mashtron”.

Më vonë, vetë Jezusi do ta shpjegojë këtë shpresë në sinagogën e Nazaretit: të sëmurët, të burgosurit, të vetmuarit, të varfërit, të moshuarit, mëkatarët, ftohen të gjithë t’i lartojnë Hyjit himnin e shpresës, sepse Biri i Zotit është me ta.

Këtë himn shprese, vijoi Papa Françesku, e kemi trashëgim nga etërit tanë. Ne jemi trashëgimtarë të ëndërrave të tyre, të cilat duhet t’i njohim për të parë më tej në të ardhmen e për ta profetizuar atë. Duhet t’i kujtojmë ëndërrat e tyre e të kemi guximin për t’i çuar përpara.

“Ky qëndrim – u tha Papa rregulltarëve – do të na bëjë të frytshëm, por sidomos, do të na ruajë nga tundimi për ta bërë shterpë jetën tonë të përkushtuar: tundimi i mbijetesës. …Ky tundim na bën reaksionarë, të frikësuar, na bën të mbyllemi dalëngadalë e heshturazi në shtëpitë e në skemat tona. …Psikologjia e mbijetesës e zvogëlon forcën e karizmave tona… na bën të harrojmë hirin, na kthen në profesionistë kishtarë, por jo në etër, nëna a vëllezër të shpresës, që jemi thirrur të profetizojmë. …Tundimi për të mbijetuar e shndërron në rrezik, në kërcënim, në tragjedi, gjithçka Zoti na e paraqet si mundësi për mision”.

Ati i Shenjtë iu rikthye gëzimit të Simeonit e të Anës. Kur Maria i vuri në duar Jezusin Simeonit, ky filloi të këndojë ëndërrat e veta. Kur Jezusi është në mesin e popullit të vet, ky gjen gëzimin. Vetëm në këtë mënyrë, nënvizoi Papa, mund të na kthehet gëzimi e shpresa e do të shpëtojmë nga tundimi për të mbijetuar. Ta vendosim Jezusin aty ku duhet të rrijë: në mesin e popullit të vet.

Bota, vërejti Françesku, po kalon përmes një shndërrimi shumëkulturor të rëndësishëm. Rregulltarët duhet të jenë tharmi i këtij shndërrimi të madh e ta vendosin Jezusin në qendër të popullit. Të bësh këtë, për Papën, do të thotë të kesh “zemër kundruese, të aftë të njohë Zotin kur ecën udhëve të qyteteve tona, të vendeve e të lagjeve tona. Ta vendosësh Jezusin në mesin e popullit të vet do të thotë ta mbartësh e të ndihmosh vëllezërit ta mbajnë kryqin”.

E nga ana tjetër, edhe rregulltarët, së bashku me Krishtin, duhet të jenë në gjirin e këtij populli. “Jo si aktivistë të fesë, por si burra e gra, që kanë nevojë për falje vazhdimisht, si burra e gra të vojuar në pagëzim për ta ndarë vojimin e ngushëllimin e Zotit me të tjerët”. Kjo përzierje, ky takim, kjo bashkëjetesë, kjo ecje krah për krah, duke e mbështetur e ndihmuar njëri-tjetrin, mund të shndërrohet në përvojë të vërtetë vëllazërimi, në një karvan solidar, në një shtegtim shenjt, theksoi më tej Papa.

“Ta shoqërojmë Jezusin që të takohet me popullin e vet, të jetë në mesin e popullit të vet, jo me ankimin e me ankthin e atij, që ka harruar të profetizojë, sepse nuk i merr përsipër ëndërrat e etërve të vet, por me lavd e me qetësi; jo me shqetësim, por me durimin e atij, që beson në Shpirtin Shenjt, Zot i ëndërrave dhe i profecisë. E kështu e ndajmë me të tjerët ç’na përket: këngën, që lind nga shpresa”.








All the contents on this site are copyrighted ©.