2017-02-01 17:45:00

Parolin: popujt nuk mund të mbyllen; solidariteti, rrugëdalje nga terrori


 Kundër kërcënimeve që i bëhen paqes e sigurisë, sot, më shumë se kurrë, nuk duhet të mbyllemi në interesat vetjake, por duhet t’i kundërvëmë dhunës dhe terriorit, solidaritetin ndërmjet njerëzve e popujve. Këtë  theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, gjatë shtegtimit në Madagaskar, me rastin e kremtimeve të 50-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve lindor të Afrikës.

Është fjala - theksoi Hirësia e Tij - të promovohet takimi e dialogu ndërmjet anëtarëve të grupeve etnike, kulturave e feve të ndryshme. E pikërisht në këtë larmi duhet ta gjejë frymëzimin e vet një komb, si Madagaskari. Duhen bashkuar idetë e larmishme, opinionet politike. vizionet fetare e deri ideologjitë e ndryshme, për t’i shërbyer  kauzës së njeriut, paqes, drejtësisë.

“Është udhë e vështirë, me rezultate të paqarta – nënvizoi kardinali - por - siç  tha Papa para Trupit Diplomatik, më 9 janarin e kaluar, “paqja fitohet me solidaritet” e jo duke u strehuar në kamaret e vogla të interesit, duke u mbyllur brenda vetes ose brenda nacionalizmave pak a shumë të maskuara, që ngjyrosin tashmë peizazhin e botës pas-globale. Nëse, në marrëdhëniet e globalizimit ishte e rëndësishme të mos bëje përjashtime - vijoi - në realitetin pas-global, në të cilin jemi zhytur, ideja e parë është të mbrohesh, të mbyllesh, të veçohesh nga gjithçka na rrethon, duke e parë si burim rreziku ose si ndotje e ideve, kulturave, vizioneve fetare, proceseve ekonomike. E kështu uniteti i ideve dhe i dëshirave për të bashkëpunuar, ia lë vendin copëzimeve, me të gjitha rreziqet e parashikuara e të parashikueshme.

Metoda më e përshtatshme për të ndërtuar një ardhmëri më të mirë – vërejti kardinali Parolin - është ajo e rivendosjes së dinjitetit të njerëzve që vuajnë. Më pas citoi edhe fjalimin e Papës Françesku në Kongresin e SHBA-ve, më 24 shtator 2015: “Të jesh në shërbim të dialogut dhe të paqes, do të thotë  edhe të jesh vërtet i vendosur t’i kufizosh e, në një afat sa më të shkurtër, t’u japësh fund konflikteve të armatosura në mbarë botën. E këtu duhet të pyesim: pse armët vdekjeprurëse iu shitën atyre, që planifikojnë vuajtje të parrëfyeshme kundër njerëzve dhe mbarë shoqërisë? Për fat të keq, përgjigjja, siç e dimë të gjithë, është krejt e thjeshtë: e bëjnë vetëm e vetëm për të fituar para të lara me gjak e, gjithnjë më shpesh, me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Përballë këtyre heshtjeve të turpshme e fajtore, detyra jonë është ta përballojmë problemin e ta ndalojmë tregtinë e armëve”.

Kufijtë e mbyllur hapen menjëherë, kur bëhet fjalë për fitime. Në këtë çast krize - saktësoi sekretari i Shtetit të Vatikanit - nuk mjafton të jemi solidarë e të dimë ta ndajmë gjithçka bashkërisht, por duhet të veprojmë me drejtësi ndaj vendeve më të varfëra. Në të vërtetë, përdorimi i burimeve natyrore dhe shfrytëzimi i tyre, nuk ndalohet kurrë përpara kufijve të ndonjë shteti ose identitetit të ndonjë populli: kështu, kush paguan gjithnjë, është pjesa më e madhe e popullsisë botërore.

Përballë kësaj situate - pohon kardinali Parolin - duhet reaguar me një vizion që, para çdo interesi, vë kauzën e njeriut, në mënyrë që askush të mos shtrëngohet të jetojë  - e këtu citoi edhe një herë Papën Françesku - pa ndjenjën se i përket një familjeje, një populli, një toke, Zotit tonë. Kjo ndjesi jetimi, që bën fole në zemrën narciziste, e cila di të shikojë vetëm vetveten dhe interesat e veta, rritet, kur harrojmë se jeta është dhuratë, e marrë nga të tjerët e se ftohemi ta ndajmë në shtëpinë tonë të përbashkët” (Homelia, 1 janar 2017).

Kardinali Parolin përfundon duke cituar edhe një herë mendimin e Papës: “Nuk mund të japësh paqe, pa përvuajtëri. Ku ka fodullëk, ka gjithnjë luftë, gjithnjë dëshirë për të fituar mbi tjetrin, për të besuar se ke epërsi. Pa përvuajtëri, nuk mund të ketë paqe e, pa paqe, nuk ka bashkim (Homelia në Shën Martë, 21 tetor 2016).  








All the contents on this site are copyrighted ©.